Gjykata e Lartë në Shqipëri të mërkurën nuk ka marrë vendim për çështjen që do të zgjidhte ngërçin dhe përplasjet brenda Partisë Demokratike, por ka vendosur ta kthejë rastin në Gjykatën e Apelit.
Gjykata e Lartë në Shqipëri vendosi të kthejë për rigjykim në Gjykatën e Apelit çështjen e vulës dhe logos së Partisë Demokratike.
Në njoftimin për mediat theksohet se Gjykata e Apelit me vendimin që mori në mars të këtij viti "ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj".
Gjykata e Apelit vendoi në mars të vitit 2023 që ta kthejë për rigjykim në Gjykatën e shkallës së parë, çështjen që lidhet me konfliktin e brendshëm në Partinë Demokratike, duke njohur juridikisht se strukturat drejtuese të kësaj partie, janë ato që u zgjodhën në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Lulzim Basha, i cili në mars të vitit të kaluar kishte dhënë dorëheqje.
Sipas Gjykatës së Lartë, Apeli nuk u ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve, ndërkohë që ka marrë në shqyrtim çështje, të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.
Për Gjykatën e Lartë, në vendimin e shpallur në muajin mars, Gjykata e Apelit duhet t'i jepte zgjidhje çështjes, ndaj u vendos "prishja e vendimit të Apelit dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me një trup tjetër gjykues”.
Sali Berisha tha se Gjykata e Lartë “nuk u ngrit në lartësinë e misionit të saj që të rrëzojë vendimin e Apelit”. Sipas tij aktualisht në fuqi është vendimi i shkallës së parë, që njeh Berishën si kryetar të PD-së.
Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha reagoi ndaj këtij vendimi duke theksuar se kjo çështje do ta gjejë zgjidhjen e duhur ligjore pa vonesat e shkaktuara "nga ata që minojnë drejtësinë dhe të tjerët që i tremben forcimit të opozitës".
Situata e paqartë dhe e paqëndrueshme në PD është krijuar pas 21 marsit të vitit 2022, kur Lulzim Basha dha dorëheqje si kryetar i PD-së dhe vendin e tij e zuri Enkelejd Alibeaj.
Më 25 mars të 2022, Gjykata e shkallës së parë në Tiranë e njohu si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha dhe të gjitha vendimet që u morën prej tij. Ky vendim u apelua nga Enkelejd Alibeaj, si ushtrues detyre i Partisë Demokratike.
Pas humbjes së thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit, ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enkelejd Alibeaj, ka dhënë, po ashtu, dorëheqje.
Derisa po pritej vendimi i Gjykatës së shkallës së parë, Sali Berisha, thirri në protestë mbështetësit e tij.
Në fjalën e tij para protestuesve, Berisha tha se edhe Gjykata e Lartë është një vegël në duart e kryeministrit Edi Rama, ndërsa më së shumti foli për hetimet ndaj tij për rastin “Partizani” sesa për përplasjen brenda PD-së për vulën dhe logon e partisë.
“Kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre”, tha Berisha.
Për mbarëvajtjen e protestës ishin angazhuar forca të shumta të policisë përreth ndërtesës së Gjykatës së Lartë.
Berisha u ul për disa minuta në trotuarin para Gjykatës së Lartë, dhe më pas marshoi bashkë me mbështetësit e tij drejt selisë së Partisë Demokratike, apo siç njihet selia e Rithemelimit.
Po sot, Gjykata e Posaçme pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK), për arrestimin e Berishës për rastin “Partizani”. Në kërkesë specifikohet se kërkohet “arrest shtëpie”, se duhet të ruhet nga policia dhe se i ndalohet komunikimi me këdo tjetër pos personave me të cilët jeton në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë.
Ndërkaq, Gjykata e Posaçme as më 27 dhjetor nuk mori vendim për kërkesën e SPAK-ut për masën e arrestit ndaj Berishës.
Pas disa kërkesave të avokatëve të tij mbrojtës për t'u njohur me dosjern dhe për të përjashtuar nga trupi gjykues, gjykatësen Irena Gjoka, u vendos shtyrja për ditën e enjte, kur do të shpallet vendimi.
SHIKONI EDHE: Prokuroria kërkon arrest shtëpiak për Sali BerishënPara mbështetësve në selinë e partisë që ai drejton, Berisha tha se “askush dhe asgjë nuk më ndan nga ju” .
Kuvendi i Shqipërisë më 21 dhjetor votoi në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) për t’ia hequr imunitetin e deputetit ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i hapur rrugën arrestimit të tij nën dyshimin për korrupsion.
Për çfarë akuzohet Berisha?
Berisha, 79 vjeç, u akuzua në tetor se kishte abuzuar me pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë, e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë.
Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.
Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve.
Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997.
Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion.