Jeta e pauzuar në veri

Një kamerë qëndron në fillim të urës që ndan Mitrovicën Veriore dhe atë Jugore.

Me serbët që protestojnë dhe shqiptarët që i ndiejnë tensionet, në veri të Kosovës ka thuajse dy javë që nuk zhvillohet jetë normale.

Mbulesat e kuqe me katrorë të bardhë shtrihen mbi tavolinat që presin drekuesit në tarracën me pamje nga lumi.

Përveç turmës së zakonshme të kohës së drekës, restoranti “Ura” këto ditë pret një vlug të mysafirëve të tjerë të veçantë - gazetarë, policë e ushtarë.

Ky restorant i hapur në vitin 2011 qëndron ngjitur me urën e lumit “Ibër” në mes të Mitrovicës së Jugut me shumicë shqiptare dhe asaj të veriut, me shumicë serbe.

Kamerieri Agron Berisha duke u shërbyer të klientëve në restorantin “Ura”.

“Te ne janë të gjithë mysafirë pa kurrfarë dallimi”, thotë kamerieri Agron Berisha, i cili ka 11 vjet që punon në afërsi të urës që është bërë simbol i ndarjes etnike të dy komuniteteve në atë zonë.

Megjithatë, sipas Berishës, tensionet që ngrihen shpesh në zonën veriore ndihen lehtë brenda këtij restoranti, sidomos me rritjen e numrit të mysafirëve gazetarë që kthehen në jug pas raportimit nga veriu.

“(Gazetarët) e kanë si shtëpi të veten, vet e dinë ku janë kabllot, bateritë… Nuk na pengojnë asgjë”, tregon Berisha, duke shtuar se tashmë është familjarizuar me shumicën e gazetarëve vendorë e ndërkombëtarë.

Një ekip gazetarësh ndërkombëtarë pushojnë në restorantin “Ura”.

Nga 26 maji, protestat shpërthyen në katër komunat veriore me shumicë serbe kundër kryetarëve shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat serbët i kishin bojkotuar.

Protestat, në të cilat pati edhe dhunë e të lënduar, u zhvilluan kryesisht rreth objekteve komunale, të cilat kryetarët e zgjedhur tentuan t’i shfrytëzonin për të punuar.

Berisha thotë se përmes mysafirëve që iu shërben, ku përfshihen edhe forcat e KFOR-it, e vëren sa serioze është situata matanë urës.

Ai kujton se më parë, një pjesë e stafit të KFOR-it, sidomos ata jo-ushtarakë kanë qenë më të relaksuar.

“Nga kjo situatë tani që ka ndodhur, (i kam parë) për herë të parë me jelek antiplumb”, kujton ai.

Dy ushtarë të KFOR-it duke patrulluar në hyrje të Mitrovicës së Veriut

Ndryshe nga gjallëria e zhurma në restorant, matanë urës vërehet qetësi më e madhe tash e thuajse dy javë.

Për t’i bërë ballë motit të ndryshueshëm të 6 qershorit që kalonte nga dielli në shi shpesh gjatë ditës, Vlladimir Rakiq, ishte nën strehë jashtë një kafeneje në Mitrovicë të Veriut.

“Jeta e përditshme njëjtë si në 20 vjetët e fundit, monotoni dhe tension në çdo moment. Shumë më shumë e tensionuar në 10 ditët e fundit”, thotë pensionisti.

Rakiq po pinte kafenë e përditshme me shokun e tij Llazar Kragoviq duke çarë edhe hallin e çmimeve të larta në atë zonë ku vazhdon të përdoret valuta zyrtare e Serbisë, e jo ajo e Kosovës.

“Rreth 120 dinarë [1 euro] janë [për kilogram] qershitë në Rashkë (të Serbisë) e 450 dinarë [3.83 euro] në Mitrovicë”, thotë Kragoviq, i cili njëjtë si shumë nga serbët e veriut të Kosovës ka lidhje të ngushta pune e jete me Serbinë fqinje.

Vladimir Rakiq dhe Llazar Kragoviq duke pirë kafe në Mitrovicën e Veriut.

Qytetarë të tjerë nga Mitrovica e Veriut janë më shumë të mllefosur për faktin se shkollat në këtë qytet dhe tri komuna tjera- Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, u mbyllën për shkak të tensioneve më 26 maj.

“Ka tela rreth shkollave, tela rreth objekteve komunale. Vështirë për këta fëmijë. Gjithçka është e vdekur këtu në qytet. Të gjithë po rrinë në shtëpi ose po shkojnë ndokund”, thotë një qytetar që nuk deshi të identifikohet.

I gjithë sistemi arsimor në komunat që janë të banuara me shumicë serbe në Kosovë, punojnë me planprogram serb.

Fëmijët nga Zveçani, rreth tri kilometra larg Mitrovicës së Veriut, u bënë edhe pjesë e protestave, me recitale që kërkonin ndalje të dhunës.

ëmijët të shkollave fillore të Zveçanit mbajnë një pankartë me mbishkrimin “Zveçani është përgjithmonë” në protestën e 5 qershorit.

Në Zveçan, brenda telave e hekurave mbrojtës që e rrethojnë komunën, ka mbetur edhe një shkollë e mesme e edhe një ndërtesë banimi.

Për tërë këto ditë të tensioneve, banorët e ndërtesës në afërsi të komunës është dashur të kalojnë përmes trupave të KFOR-it për të qarkulluar.

Pjesëtari i KFOR-it hap bllokadën për të mundësuar kalimin e një banoreje nga ndërtesa afër objektit të komunës.

Prapa në Mitrovicën e Veriut, në disa rrugë të ngushta shtrihen shtëpi e biznese të komunitetit shqiptar.

Të paktë në numër në atë zonë, këta banorë varen në masë të madhe nga pazari që bëjnë serbët shumicë.

Pamje nga Mitrovica e Veriut.

Pronarë të bizneseve në atë që quhet “Lagjja e Boshnjakëve” ankohen se tensionet e kanë ulur numrin e blerësve.

“Nuk e di a po frikësohen apo çfarë është puna nuk e di, por ka rënë shumë puna, ka rënë biznesi”, thotë Dua Stavileci, punëtore në një dyqan parfumesh.

Dua Stavileci, punëtore në një dyqan parfumesh në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicën e Veriut, lagje e banuar kryesisht me shqiptarë.

Stavileci thotë se dallimin në numrin e njerëzve që qarkullojnë në lagje e sheh menjëherë sapo lëshohet një alarm që në veri bën thirrje për mobilizim të popullatës serbe.

“Ndoshta është plot, por në sekondë që e lëshojnë alarmin, këtu menjëherë shuhet lagjja”, tregon Stavileci.

Një tjetër tregtar, madje, thotë se klientët e tyre po frikësohen nga sirenat që lëshohen ndonjëherë nga veturat e Policisë së Kosovës dhe ato të misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX.

Vetura të EULEX-it duke qarkulluar në Lagjen e Boshnjakëve.

As shqiptarët e as serbët në atë pjesë të Kosovës të cilët folën për Radion Evropa e Lirë, nuk shprehen shumë optimistë për një zgjidhje të mundshme afatgjate, pasi thonë se janë përballur me kriza të njëpasnjëshme të ngjashme.

Kontribuoi: Maja Fiçoviq