Jep dorëheqje ministri britanik për Imigrim për shkak të politikës së re për azil

Ministri britanik për Imigrim, Robert Jenrick.

Ministri britanik për Imigrim, Robert Jenrick ka dhënë dorëheqje të mërkurën, duke thënë se drafti i një legjislacioni qeveritar që parasheh jetësimin e një skeme për dëbim të migrantëve në Ruandë, nuk ka shkuar mjaftueshëm larg.

Jenrick ka thënë në letrën e dorëheqjes se legjislacioni ka qenë një prej mundësive të fundit për ta luftuar krizën me anije të vogla, para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Legjislacioni është dashur të shkojë përtej, për t'i kufizuar mundësitë që gjykata vendore dhe ndërkombëtare të sfidojnë politikën, ka thënë ai.

SHIKONI EDHE: Gjykata Supreme britanike hedh poshtë planin për dërgim të migrantëve në Ruandë

“Qeveria ka përgjegjësi që t’i vendosë interesat kombëtare përtej interpretimeve të kontestueshme të ligjit ndërkombëtar”, ka thënë ai në letrën e dorëheqjes, të cilën e ka postuar në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

“Unë nuk mund të punoj me legjislacionin e propozuar, sepse nuk besoj se ofron mundësitë më të mira për sukses”.

Jenrick ka qenë aleat i ngushtë politik i kryeministrit britanik, Rishi Sunak.

Si anëtar i parlamentit prej vitit 2014, Jenrick ka shërbyer në pozita të ndryshme nëpër ministri, ndër vite.

Ditëve të fundit, Jenrick, i cili është ministër për Imigrim prej tetorit të vitit të kaluar, ka qenë shumë i ashpër në nevojën për ta luftuar shkuarjen e migrantëve në Angli me anije të vogla.