Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar e ka hedhur poshtë një plan kontrovers qeveritar për t’i dërguar migrantët në Ruandë, duke e konsideruar atë si të paligjshëm.
Ky vendim konsiderohet si kthim mbrapa për planet e kryeministrit britanik Rishi Sunak.
Paneli prej pesë personash në gjykatën më të lartë britanike ka qenë në linjë me vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka thënë se kjo politikë specifike nuk ka qenë në përputhje me traktatet ndërkombëtare të cilat i ka nënshkruar Britania.
Gjyqtarët kanë thënë se pajtohen me vlerësimin e Apelit që vendimi ka rrezikuar me përballje të refugjatëve me persekutim.
“Duke i analizuar të dhënat, ne pajtohemi me ato përfundime”, është thënë në vendim prej 56 faqesh.
Konservatorët e partisë së Sunakut kanë insistuar që skema e Ruandës është kyçe për luftim të imigrimit ilegal që bëhet prej Kanalit anglez, me anije të vogla.
Mirëpo vendimi i së mërkurës i jep fund një sage të nisur në prill të vitit të kaluar, kur Britania e ka nënshkruar një marrëveshje me Ruandën për të dërguar migrantë pa dokumente në qendra të përkohshme në atë shtet.
Ky vendim është debatuar gjatë mes partive në Britani.
Sunak ka thënë se vendimi “nuk përbën rezultatin që kemi dashur” dhe që Qeveria “do t’i shqyrtojë hapat e radhës” derisa ministrat në Kigali të pranojnë vendimin që Ruanda nuk është vend i sigurt i shteteve të botës së tretë.