AP
Japonia së fundi ka miratuar strategjinë e re kombëtare të sigurisë që përfshin vendosmërinë për të pasur aftësi “kundërsulmuese” për të parandaluar sulmet e armikut. Po ashtu, strategjia përfshin dyfishimin e buxhetit për ushtrinë për të përmirësuar fuqinë për të mbrojtur veten nga rreziqet në rritje që vijnë nga Kina, Koreja e Veriut dhe Rusia.
Strategjia e re po ashtu shënon një ndryshim historik në politikën e vetëmbrojtjes që Japonia ka pasur që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Më poshtë mund të mësoni më shumë për strategjinë e re të sigurisë dhe e mbrojtjes dhe si ato mund të ndryshojnë qëndrimin mbrojtës të Japonisë.
Aftësitë kundërsulmuese
Ndryshimi më i madh në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë është zotërimi i “aftësive kundërsulmuese” që Japonia i quan “të domosdoshme”. Japonia synon që brenda dhjetë vjetësh të zotërojë aftësitë “për të ndërprerë dhe mposhtur shumë më herët pushtimet kundër kombit të saj”.
Kjo i jep fund politikës së Qeverisë të vitit 1956, e cila hoqi dorë nga aftësia për të goditur objektiva të armikut dhe e njohu atë si idenë e fundit për të mbrojtur Kushtetutën.
Japonia tha se sulmet me raketa kundër saj janë bërë “një kërcënim i qartë” dhe sistemi aktual i mbrojtjes raketore, që mbështetet te teknologjia e zbulimit, është i pamjaftueshëm. Koreja e Veriut ka lëshuar raketa mbi 30 herë vetëm gjatë këtij viti, përfshirë edhe një raketë që kaloi mbi Japoni, dhe Kina ka lëshuar një raketë balistike në ujërat afër ishujve jugorë japonezë.
SHIKONI EDHE: Koreja Veriore lëshon raketë balistike mbi JaponiJaponia tha se përdorimi i aftësisë për kundërsulm është kushtetues, nëse është në përgjigje të shenjave për një sulm të pashmangshëm të armikut, por ekspertët thanë se është jashtëzakonisht e vështirë të kryhet një sulm i tillë pa rrezikuar që Japonia të fajësohet se ka sulmuar e para. Kundërshtarët e strategjisë së re, thanë se aftësitë për të sulmuar shkojnë përtej Kushtetutës pacifiste të Japonisë, që bazohet në vetëmbrojtje.
“Politika japoneze, ekskluzivisht e vetëmbrojtjes, është boshe”, tha gazeta Asahi, që ka prirje liberale.
Dyfishimi i shpenzimeve të mbrojtjes
Japonia synon që deri më 2027 të dyfishojë shpenzimet e mbrojtjes, në rreth 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm që arrin totalin prej 320 miliardë dollarësh. Ky synim i ri i shpenzimeve është në linjë me standardin e NATO-s, dhe përfundimisht do të shtyjë buxhetin vjetor të Japonisë deri në 73 miliardë dollarë, që do të jetë buxheti i tretë më i madh në botë për ushtrinë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Fumio Kishida dhe Qeverisë së tij do t’iu duhen edhe 30 miliardë dollarë të tjera në vit dhe Qeveria japoneze ka propozuar rritje të taksave për të financuar një të katërtën e këtyre shpenzimeve. Kërkesa e Kishidës për rritjen e taksave u përball me kritika, pasi plani pesëvjeçar për forcimin e mbrojtjes duhej të publikohej pa plane të plota të financimit, teksa partia qeverisëse ka vazhduar që të diskutojë se si të financojë pjesën e mbetur të shumës.
SHIKONI EDHE: Japonezët kundër rritjes së taksave për avancim të ushtrisëRaketa me rreze të gjatë veprimi
Gjatë pesë vjetëve të ardhshëm, Japonia do të shpenzojë rreth 37 miliardë dollarë për raketat me rreze të gjatë veprimi, që planifikon t’i dislokojë duke filluar nga viti 2026. Japonia do të blejë Tomahawks dhe raketa tokë-ajër të prodhimit amerikan. Ndërkaq, industria e rëndë e Mitsubishit japonez do të përmirësojë prodhimin në masë të raketës të llojit 12, që lëshohet nga luftanijet. Zyrtarët japonezë të mbrojtjes thanë se janë duke finalizuar detajet e marrëveshjes për blerjen e Tomahawks-ave amerikanë.
Japonia po ashtu do të zhvillojë edhe lloje të tjera të armëve për arsenalin e saj, sikurse armët hipersonike dhe makina të paspecifikuara me përdorim të shumëfishtë. Po ashtu, Japonia ka parashikuar një bashkëpunim të mundshëm për avionët luftarakë F-X të gjeneratës së re, që shteti po zhvillon me Britaninë dhe Italinë. Këta avionë pritet të dislokohen më 2035.
Po ashtu, disa njësi raketash janë duke u zhvilluar në një vend të paspecifikuar.
Siguria kibernetike
Japonisë, që i mungon siguria e mjaftueshme kibernetike dhe aftësia e inteligjencës, duhet të varet shumë te Shtetet e Bashkuara në zonat ku do të lëshojë raketat nga deti dhe ato me rreze të gjatë veprimi drejt objektivëve të synuar, thanë ekspertët.
“Pa siguri kibernetike, epërsia e forcës vetëmbrojtëse apo bashkëpunimi Japoni-SHBA është vështirë i arritshëm”, u tha në programin pesëvjeçar të mbrojtjes që u miratua të premten e kaluar. Në këtë program po ashtu u pranua se ka nevojë për të pasur siguri kibernetike në forcat vetëmbrojtëse dhe në industrinë japoneze të mbrojtjes.
Ky është një zhvillim që mirëpritet në SHBA, pasi siguria e dobët kibernetike e Qeverisë japoneze ka qenë një “pengesë kritike për thellimin e bashkëpunimit dhe zgjerimit të ndarjes së informacioneve” mes dy shteteve, tha Christopher Johnstone, këshilltar i lartë dhe kryetar për Japoninë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Japonia do të shpenzojë 58 miliardë dollarë gjatë pesë vjetëve të ardhshëm për të forcuar mbrojtjen, përfshirë sigurinë kibernetike.
Kina, “sfida më e madhe strategjike”
Frika nga një mjedis i sigurisë rajonale, që përshkruhet si “më i rëndi dhe më i komplikuari” në periudhën e pasluftës, ka qenë një shtysë e madhe për rishikimin e strategjisë së Japonisë.
Kina, që shpejt po forcon ushtrinë e saj, po shton aktivitetin ushtarak dhe po rrit rivalitetin me SHBA-në, paraqet “një sfidë të paprecedent dhe sfidën më të madhe strategjike” për paqen dhe sigurinë e Japonisë dhe të komunitetit ndërkombëtar, u tha në strategji.
SHIKONI EDHE: SHBA dhe Japonia me stërvitje ushtarakeLufta e Rusisë ndaj Ukrainës rriti frikën për një emergjencë në Tajvan, duke përshpejtuar rritjen e mbrojtjes së Japonisë brenda pesë vjetëve të ardhshëm. Ndërsa Koreja e Veriut vazhdon të avancojë aftësitë e saj bërthamore dhe raketore, kërcënimi kryesor vazhdon të jetë Kina, për të cilën, Japonia është dashur të përgatitet “duke përdorur si pretekst kërcënimin nga Koreja e Veriut”, tha Tomohisa Takei, një admiral në pension i marinës japoneze.
Ende me politikë ekskluzivisht për vetëmbrojtje?
Për shkak të të kaluarës si agresor gjatë luftës dhe shkatërrimit që pasoi pas mposhtjes së saj, politika e pasluftës së Japonisë ka vënë në prioritet ekonominë mbi sigurinë, dhe ky shtet është mbështetur në trupat amerikane të stacionuara në Japoni. Trupat janë vendosur në këtë shtet në bazë të marrëveshjeve dypalëshe të sigurisë dhe rolet janë ndarë nga politika e ashtuquajtur “mburojë dhe thikë me dy tehe”.
Mundësitë për një bashkëpunim më të ngushtë me ushtrinë amerikane në bazë të strategjisë së re, kanë rritur shqetësimet se Japonia do të marrë një përgjegjësi më sulmuese.
SHIKONI EDHE: Koreja e Veriut: Testet bërthamore janë për të zhdukur armiqtëJaponia tha se do të mbajë parimin e saj pacifist sa i përket armatimit dhe transferimit të teknologjisë. Por, njëfarë lehtësimi është planifikuar që të ndodhë, që do të lejojë eksportet e pajisjeve dhe komponentëve sulmues – që deri më tani kanë qenë të kufizuara – përfshirë edhe pajisjet për avionët luftarakë të gjeneratës së re F-X. Kjo do të bëhet me qëllim që të forcohet industria e mbrojtjes së shtetit.