Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia nisën stërvitje ushtarake të përbashkëta të enjten, në pjesën jugore të Japonisë, si tentim për rritjen e gatishmërisë shkaku i veprimeve të Kinës dhe intensifikimit të lëshimeve të raketave nga Koreja e Veriut.
Stërvitjet "Keen Sword", që zhvillohen çdo dy vjet, nisën në një bazë ajrore japoneze dhev, deri tash, u mbajtën në disa vende përreth Japonisë. Ato do të zgjasin deri më 19 nëntor.
Rreth 26 mijë japonezë dhe rreth 10 mijë trupa amerikane, së bashku me 30 anije dhe 370 avionë nga të dyja palët, do të marrin pjesë në këto stërvitje, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Japonisë. Australia, Bahreini dhe Kanadaja do t’u bashkohen disa pjesëve të ushtrimeve, sipas kësaj ministrie.
Stërvitjet e përbashkëta fushore janë planifikuar të zhvillohen në disa ishuj të largët në jugperëndim të Japonisë, si: Tokunoshima, Amami dhe Tsutarajima.
Japonia po i shton kapacitetet mbrojtëse në rajon, mes tensioneve në ngritje me Kinën.
Kina i ka përforcuar pretendimet e saj për pothuajse të gjithë Detin e Kinës Jugore duke ndërtuar ishuj artificialë të pajisur me instalime ushtarake dhe fusha ajrore. Pekini ka pretendime edhe për një varg ishujsh që kontrollohen nga Japonia në Detin e Kinës Lindore dhe ka rritur kërcënimet ushtarake ndaj Tajvanit të vetëqeverisur, për të cilin thotë se është pjesë e Kinës që do të aneksohet me forcë nëse është e nevojshme.
Stërvitjet e përbashkëta po bëhen, gjithashtu, pas intensifikimit të lansimit të raketave nga Koreja e Veriut - më shumë se 30 sosh vetëm këtë vit - duke përfshirë një të mërkurën që ra në detin midis Gadishullit Korean dhe Japonisë.
Muajin e kaluar, një raketë balistike ndërkontinentale kaloi mbi Japoninë veriore.
Kryeministri Fumio Kishida, duke përmendur përkeqësimin e sigurisë në rajon, është zotuar të rrisë kapacitetet ushtarake japoneze dhe potencialisht të lejojë ndërtimin e kapaciteteve për sulme parandaluese nga larg ndaj vendlëshimeve armike të raketave. Këto plane pritet të jenë pjesë e strategjisë së sigurisë kombëtare, që është duke u rishikuar, dhe e udhëzimeve afatmesme dhe afatgjata për mbrojtje këtë vit.
Zhvillimi i kapaciteteve të sulmit përbën një ndryshim të madh në parimin e Japonisë që ka princip vetëm vetëmbrojtjen. Por, Japonia ka përforcuar me shpejtësi rolin dhe kapacitetet e ushtrisë së saj gjatë dekadës së fundit për të punuar më ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë në rajon dhe Evropë.
Stërvitjet si "Keen Sword" u ofrojnë forcave japoneze dhe amerikane "mundësi për t'u stërvitur së bashku në një sërë fushash misioni në skenarë realistë për të rritur gatishmërinë, ndërveprimin dhe për të arritur një parandalim kredibil", u thuhej në një deklaratë të forcave të SHBA-së të enjten.