Ndërlidhjet

K.Veriore teston raketa teksa SHBA-ja aktivizon bombarduesit


Testimet raketore të verikoreanëve. Fotografi nga arkivi.
Testimet raketore të verikoreanëve. Fotografi nga arkivi.

Koreja Veriore ka rritur shkallën e demonstrimit të armëve, duke lëshuar të shtunën edhe katër raketa balistike në det.

Shtetet e Bashkuara, në anën tjetër, kanë dërguar dy bombardues supersonikë në Korenë Jugore, hap që dëshmon përshkallëzimin e tensioneve në rajon.

Shtabi i Përgjithshëm i Koresë Jugore, ka thënë se katër raketa me rreze të shkurtër kanë fluturuar drejt ujërave perëndimorë.

Koreja Veriore ka testuar më shumë se 30 raketa këtë javë, duke përfshirë raketën balistike interkontinentale të enjten, duke nxitur alarme për evakuime në veri të Japonisë.

Verikoreanët, po ashtu, kanë aktivizuar një numër të madh të aeroplanëve luftarakë brenda territorit të Koresë Veriore, si shenjë pakënaqësitë ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Jugore.

Pozicionimi i bombarduesve amerikanë në Gadishullin Korean përbën herë e parë që ndodh dicka e tillë në këtë rajon, prej vitit 2017, kur verikoreanët kanë testuar armën bërthamore.

Zyrtarët verikoreanë kanë thënë të premten se veprimet ushtarake të shtetit këtë javë, kanë qenë përgjigje ndaj stërvitjeve, të cilat i kanë konsideruar shpërfaqje “të histerisë ushtarake” të SHBA-së.

Ata kanë thënë se Koreja Veriore do të përgjigjet me “masat më të ashpra ndonjëherë”, në rast se do të ketë tentime armiqësore ndaj Koresë së Veriut.

Ndërkohë, Koreja Jugore ka thënë se përfshirja e bombarduesve supersonikë amerikanë ka demonstruar gatishmërinë e aleatëve “për t’u përgjigjur shpejt” ndaj provokimeve të verikoreanëve.

Bombarduesit amerikanë B-1B, janë parë në Gadishullin Korean vetëm në kohë tensionesh.

Një kohë fluturimi i tyre në këtë rajon është ndalur për të mbështetur përpjekjet diplomatike të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për të negociuar me Korenë Veriore, dhe më pas për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Stërvitjet ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë Jugore ka qenë e planifikuar që të mbarojnë të premten, mirëpo aleatët i kanë vazhduar ato edhe të shtunën, si përgjigje ndaj testimeve të Koresë Veriore.

Inteligjenca amerikane dhe ajo jugkoreane kanë thënë se Koreja Veriore është duke u përgatitur për të testuar armën bërthamore, pas një pushimi pesëvjeçar.

Këtë vit, Koreja Veriore ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore.

Lideri i shtetit, Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje.

Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017, pavarësisht sanksioneve.

Ky shtet në lindje të Azisë dënon vazhdimisht sanksionet dhe deklaron se sistemi bërthamor i duhet për qëllime të mbrojtjes.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG