Ndërlidhjet

K. Veriore kërcënon SHBA-në me “masa të fuqishme” pas nisjes së stërvitjeve


Lideri verikorean, Kim Jong-un.
Lideri verikorean, Kim Jong-un.

Koreja Veriore ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara me “masa të fuqishme” nëse nuk i ndal stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë Jugore.

Uashingtoni dhe Seuli kanë nisur të hënën disa prej stërvitjeve më të mëdha ushtarake ajrore, të cilat do të marrin fund të premten.

Koreja Veriore ka testuar një seri raketash në javët e fundit, si përgjigje ndaj stërvitjeve ushtarake të këtyre dy shteteve.

Po ashtu ka raportime se Pheniani është duke u përgatitur për të testuar armën bërthamore, për herë të parë prej vitit 2017.

“Nëse SHBA-ja vazhdon të insistojë në provokimet ushtarake, (Koreja Veriore) do të shqyrtojë masa edhe më të fuqishme”, ka thënë Ministria e Jashtme e Koresë Veriore.

“Nëse Uashingtoni nuk dëshiron që të përballet me zhvillime serioze rreth interesave të tij të sigurisë, duhet t’i ndalë menjëherë ushtrimet joefektive ushtarake. Nëse jo, atëherë ai do të fajësohet për të gjitha pasojat”.

Stërvitjet aktuale ushtarake përfshijnë qindra aeroplanë që simulojnë përgjigje ndaj sulmeve brenda 24 orëve.

Në fillim të muajit tetor, Uashingtoni ka dërguar afër Gadishullit Korean një aeroplanmbajtës me kapacitet bërthamor, hap që është konsideruar si paralajmërim për Korenë Veriore.

Koreja Veriore, në anën tjetër, ka rritur këtë vit numrin e testimit të raketave duke shkuar në 40 – njëherësh shifrën më të lartë ndonjëherë.

Pavarësisht sanksioneve, Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG