Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se në mesin e muajit shkurt, eventualisht në javën e tretë, në Kosovë do të vijë kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19, përmes skemës së njohur si COVAX.
Ajo thotë se janë dy prodhues me të cilët po bisedohet për t’i lehtësuar procedurat e ardhjes së vaksinave në Kosovë, por kontingjenti i parë i vaksinave do të jetë nga Universiteti i Oksford-it dhe kompania AstraZeneca.
SHIKONI EDHE: Ku dallojnë vaksinat e AstraZenecas dhe Pfizerit?Radio Evropa e Lirë: Zonja Humolli, në Kosovë ende nuk ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit. OBSH-ja është pjesë e programit COVAX, që synon shpërndarjen e vaksinave në vende më të varfra. A keni informata se kur do të arrijnë vaksinat në Kosovë?
Isme Humolli: Organizata e Botërore e Shëndetësisë së bashku me UNICEF-in dhe Bankën Botërore jemi partnerë, të cilët prej fillimit dhe në vazhdimësi jemi duke e mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë, për të përgatitur të gjitha dokumentet e nevojshme për të marrë donacion (vaksinat) nga COVAX-i, që është diku për 20 për qind të popullatës së Kosovës.
Sipas lajmeve të fundit, besojmë që në mesin e shkurtit, eventualisht javën e tretë, do të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19.
SHIKONI EDHE: Vaksina e Oksfordit besohet se mund të parandalojë përhapjen e COVID-19Kontingjente deri në 20.000 doza
Radio Evropa e Lirë: Cilat vaksinat priten të arrijnë nga program i COVAX-it dhe në çfarë sasie?
Isme Humolli: Donacion është për 20 për qind të popullatës, që i bie diku mbulesë me dy doza për 360 mijë persona në Kosovë. Në diskutim jemi me AstraZenecan dhe me Pfizerin.
Këta janë dy prodhues me të cilët jemi në bisedime se si t’i lehtësojmë procedurat e ardhjes së vaksinave në Kosovë, por pritet që kontingjenti i parë të jetë nga AstraZeneca.
Vaksina e Oxford/AstraZeneca
Agjencia Evropiane e Barnave ka miratuar më 29 janar vaksinën e AstraZenecas për personat mbi moshën 18-vjeçare. Sipas agjencisë, shumica e pjesëmarrësve në studime mbi testimet kanë qenë të moshave 18-55 vjeçare. Komisioni për vaksina i Gjermanisë ka thënë se nuk rekomandon dhënien e kësaj vaksine për personat mbi moshën 65-vjeçare.
Radio Evropa e Lirë: Sa është efikase kjo vaksinë?
Isme Humolli: Në fakt, kjo vaksinë jepet në dy doza, efikasiteti pas vaksinimit e kalon 90 për qind (v.j siç raportoi BBC më 2 shkurt, studimi i fundit i bërë nga Universiteti i Oxford-it, që nuk është publikuar ende, ka treguar se doza e parë e kësaj vaksine ka efikasitet prej 76 për qind tre muaj pasi vaksina është marrë) dhe sipas asaj e cila është dëshmuar deri më tani, pritet që dy dozat të jenë të mjaftueshme që personi të mbrohet nga COVID-19.
Radio Evropa e Lirë: Sa shpesh do të vijnë vaksinat e COVAX-it në Kosovë?
Isme Humolli: Tash varet nga kapacitetet e prodhimit. Këtu do të thotë është ajo pjesa ku COVAX-i dhuron një sasi të vaksinës, po njëkohësisht edhe Qeveria e Kosovës është në negociata, me përkrahje të Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian, për blerje të këtyre vaksinave.
Në bazë të asaj se çka jemi dakorduar deri tash, duke iu përshtatur kapaciteteve të zinxhirit të ftohtë, ato do të vinë në kontingjente deri në 20.000 (doza) për një kohë brenda dy javësh. Do të thotë 20.000 njëherë, pastaj edhe mbas dy jave edhe 20.000 të tjera, e kështu me radhë.
Vaksinimi i 50-70 për qind të popullatës, deri në fund të vitit
Radio Evropa e Lirë: Kur mendoni që Kosova do të mund të vaksinojë popullatën në një nivel të mjaftueshëm për t’u rikthyer në normalitet?
Isme Humolli: Ne po shpresojmë që 50 për qind e popullatës të vaksinohet deri në fund të vitit 2021. Kjo është diçka e cila është planifikuar, mirëpo e kemi lënë pragun të jetë deri në 70 për qind të popullatës deri në fund të vitit 2021.
Mos të harroj të përmend, Kosova është një ndër shtetet e pakta të cilat kanë një sukses jashtëzakonshëm me programin e zgjeruar të imunizimit rutinë, që është duke u vlerësuar jashtëzakonisht shumë nga OBSH-ja. Kjo ka lehtësuar jashtëzakonisht punën, me faktin që gjithë vaksinimi kundër COVID-19 bëhet duke i shfrytëzuar kapacitetet aktuale.
SHIKONI EDHE: Trampuz: Vaksinimi i 60% të popullatës, i mjaftueshëm për të ndalur pandeminë
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Kosova është gati në aspektin teknik dhe praktik për këtë fushatë vaksinimi?
Isme Humolli: Kosova është shumë gati. Definitivisht për shkak të përvojës dhe suksesit të deritanishëm të cilin e kanë treguar, plani i cili është përgatitur, të gjitha dokumentet të cilat janë siguruar. Kosova është shumë e gatshme sot t’ia fillojë vaksinimit, e lëre më që do të bëhet pas dy apo tri javësh.
SHIKONI EDHE: Zemaj: Gjatë shkurtit vaksina anti-COVID do të jetë në KosovëRadio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni punën e institucioneve lidhur me furnizimin me vaksina?
Isme Humolli: Faktikisht, furnizimi me vaksina nuk është diçka që varet nga UNICEF-i, OBSH-ja apo organizatat e tjera, është çështje e mundësisë së prodhimit.
Kapacitetet për prodhim janë shumë më të ulëta sesa që janë nevojat dhe kërkesat nga shtetet. Kjo është një situatë e ngjashme siç është krijuar në fillim të pandemisë me reagenca. Mundësia për të prodhuar reagenca ka qenë shumë e ulët në krahasim me kërkesat dhe nevojat edhe gradualisht kjo situatë është qetësuar.
E njëjta është edhe me vaksinat.
Kërkesat janë shumë të mëdha, mundësia për të prodhuar vaksina është më e ulët, por besoj që për një kohë shumë të shkurtër edhe kjo situatë do të kalohet. Edhe pse brenga e OBSH-së është që deri diku të kemi një shpërndarje të drejtë dhe të barabartë të vaksinave, sidomos me shtetet që kanë një ekonomi të ulët.
Your browser doesn’t support HTML5
Radio Evropa e Lirë: A është brengë arritja e variantit të ri të koronavirusit në Kosovë?
Isme Humolli: Po, është shqetësuese normalisht për shkak se paraqet një rrezik të përhapjes më të shpejt të sëmundjes. Problemi tjetër është që imuniteti i cili është krijuar për variantit e parë të virusit Sars-Cov-2, nuk mbron apo ofron mbrojtje në nivel shumë të ulët për variantin e ri. Është varianti britanik që është tani në Kosovë. Deri diku është më tepër i studiuar, por definitivisht është brengosëse.
Radio Evropa e Lirë: A duhet Kosova të marrë masat e reja?
Isme Humolli: Kosova duhet të vazhdojë me aplikimin e tri masave restriktive: vendosjen e maskës në çdo vend në mënyrë obligative, mbajtjen e distancës fizike, higjienën e duarve dhe t’i iket grumbullimit në masë.
SHIKONI EDHE: Varianti britanik në Kosovë, alarm për kujdes dhe respektim të masaveTë respektohet vendimi i qeverisë që në një tavolinë të mos jenë më tepër se pesë veta. Gastronomia po ankohet, por gastronomët nuk po e respektojnë këtë, duke e pasur parasysh që nëse vetëm del e sheh që në një tavolinë janë diku 10-15 persona, të cilët asnjë masë nuk janë duke e respektuar.
Radio Evropa e Lirë: Kosova është në prag të mbajtjes së zgjedhjeve. A ka ndikim kjo situatë në menaxhimin e pandemisë, duke pasur parasysh tubimet publike pa respektim masash?
Isme Humolli: Deri tash nuk është parë ndonjë efekt negativ për shkak se numri është në të njëjtin nivel. Nuk ka ashtu rritje të shpejt, që do të ishte indikator për një gjë të tillë. Ndoshta është edhe shumë herët për të ardhur deri te një përfundim i tillë, por nëse ka ndikim, atëherë kjo vërehet pas zgjedhjeve, pasi që periudha e inkubacionit është deri në 14 ditë.
OBSH-ja dhe të gjithë partnerët e kësaj organizate janë kundër grumbullimeve në masë, pa respektim të distancës fizike dhe pa mbajtjen e maskës.