Irani thotë se nuk po kërkon luftë, por se është i gatshëm për të

President iranian Ebrahim Raisi (në mes) duke e vizituar bazën detare të Trupave të Gardës Revolucionare të Republikës Islamike në Bandar Abbas, në jug të Iranit, 2 shkurt 2024.

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, tha më 2 shkurt gjatë një vizite në një rajon të varfër në jug të vendit se Teherani nuk po kërkon konflikt ushtarak, por shtoi se do të përgjigjej me forcë ndaj çdo vendi që e kërcënon Republikën Islamike.

“Ne nuk do ta nisim asnjë luftë, por nëse dikush dëshiron të na ngacmojë, do të përballet me një përgjigje të fuqishme”, tha Raisi gjatë vizitës në Provincën Hormozgan, e cila ndodhet në Gjirin e Omanit.

Deklaratat e Raisit janë më të fundit nga zyrtarët iranianë gjatë kësaj jave, të cilat tregojnë se Irani është i hapur për një zgjidhje diplomatike të tensioneve të rritura me Shtetet e Bashkuara, por gjithashtu kanë për qëllim ta portretizojnë Republikën Islamike si një vend të fuqishëm që nuk ka frikë të përgjigjet nëse sulmohet.

Këto deklarata erdhën pak kohë para se Shtetet e Bashkuara t’i fillonin sulmet ajrore hakmarrëse ndaj zonave të lidhura me Iranin në Siri dhe në Irak të premten vonë.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja i nis sulmet hakmarrëse ndaj caqeve iraniane në Siri dhe Irak

Sulmet amerikane janë hakmarrje ndaj një sulmi me dron në Jordani, ku u vranë tre ushtarë amerikanë dhe u plagosën 34 të tjerë më 28 janar, për të cilin Uashingtoni e fajësoi Teheranin.

“Përgjigja jonë filloi sot. Do të vazhdojë në vendet dhe në kohët që ne zgjedhim”, tha presidenti amerikan Joe Biden në një komunikatë pak pas fillimit të sulmeve.

Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë thënë se po kërkojnë t’i ulin tensionet në Lindjen e Mesme dhe se nuk dëshirojnë luftë me Iranin.

Këtë e përsëriti të premten edhe presidenti Biden pas fillimit të sulmeve amerikane ndaj caqeve iraniane në Siri dhe Irak.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA-ja dhe Irani nuk duan luftë, por “rrezik ka”

“Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt në Lindjen e Mesme, apo diku tjetër në botë. Por, ata të cilët mund të kërkojnë të na bëjnë dëm neve, ta dinë këtë: Nëse e lëndoni një amerikan, ne do të përgjigjemi”, tha Biden.

Zyrtarët amerikanë thanë se sulmi vdekjeprurës i 28 janarit në Jordani u krye nga milicia e sponsoruar nga Irani, Kataib Hezbollah në Irak.

Më 31 janar, ekstremistët e Kataib Hezbollah në Irak njoftuan “pezullimin” e operacioneve kundër forcave amerikane. Ky grup tha se pezullimi nënkupton shmangien e “turpërimit” të Qeverisë së Irakut dhe la të kuptohej se sulmi me dron lidhej me mbështetjen amerikane për Izraelin në luftën në Gazë.

SHIKONI EDHE: Grupi militant irakian "pezullon" operacionet ndaj SHBA-së

Në fillim të vizitës së tij në Hormozgan të premten, Raisi mori pjesë në një ekzibicion të kapaciteteve detare dhe teknologjike të Trupave të Gardës Revolucionare të Republikës Islamike, degës elitare të ushtrisë iraniane, e cila ka kryer së fundmi sulme raketore të cilat u vlerësuan si paralajmërim për Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.

“Armiku nuk ka aftësi për të vepruar kundër Republikës Islamike, sepse ata e dinë se forcat tona janë të fuqishme dhe të gatshme”, tha Raisi.

Më vonë gjatë kësaj vizite, Raisi tha se forca e ushtrisë iraniane nuk është kërcënim për asnjë vend, por një garantues i fuqishëm i sigurisë në të cilin aleatët e tij në rajon mund të mbështeten.