Irani sulmoi me raketa atë që pretendoi se ishte “seli e spiunëve izraelitë” afër Konsullatës amerikane në Irbil të Irakut, dhe shënjestroi caqe të lidhura me grupin militant, Shteti Islamik, në veri të Sirisë.
Katër civilë u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën pas sulmit të së hënës mbrëma afër Konsullatës amerikane në Irbil, që është selia e rajonit gjysmë-autonom kurd, sipas këshillit të sigurisë së qeverisë rajonale kurde.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit tha përmes një deklarate se goditi selinë e shërbimit të inteligjencës së Izraelit, Mossad, në rajonin kurd të Irakut. Në një deklaratë tjetër, Garda tha gjuajti një numër të raketave balistike ndaj “operacioneve terroriste”, përfshirë caqe të IS-it në Siri, duke shtuar se i ka shkatërruar këto caqe.
Izraeli nuk ka pranuar menjëherë sulmin në Irbil dhe Ambasada izraelite në Uashington nuk ka komentuar lidhur me pretendimet iraniane se ka shënjestruar selinë e Mossad-it.
Sulmet iraniane vijnë në një kohë të tensioneve të rritura në rajon dhe frikës se lufta në Gazë mund të zgjerohet.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja i dërgon “mesazh privat” Iranit, pas sulmeve nga rebelët huthiQë nga shpërthimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor, milicitë e mbështetura nga Irani në Irak pothuajse në baza ditore kanë kryer sulme me dronë nga bazave në Irak dhe Siri ku gjenden të stacionuar trupat amerikane. Këto sulme, sipas milicive, po kryen në shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes që Uashingtoni i jep Izraelit dhe në përpjekje që të detyrojnë trupat amerikane të largohen nga rajoni.
SHBA-ja dënon fuqishëm “sulmet e pamatura me raketa” në Irbil, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller. Ai tha se sulmet “minojnë stabilitetin e Irakut”.
Një zyrtar amerikan i mbrojtjes, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se SHBA-ja ka gjurmuar raketat, që goditën caqe në veri të Irakut dhe në veri të Sirisë, dhe sipas tij, asnjë ndërtesë e SHBA-së nuk është goditur gjatë sulmeve. Sipas këtij zyrtari, nga të dhënat fillestare, sulmet ishin “të pamatura dhe joprecize”.
SHIKONI EDHE:
Irani: Sulmet e Izraelit në Gazë mund të detyrojnë të gjithë të veprojnë‘Boshti i rezistencës’: Rrjeti i Iranit për krijimin e kaosit dhe luftimin e armiqveMegjithatë, dëmi i plotë i shkaktuar nga sulmet nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Një zyrtar irakian i sigurisë tha se Irbili u shënjestrua nga “disa” raketa balistike, por nuk dha më shumë detaje. Një zyrtar tjetër i një prej milicive irakiane që mbështeten nga Irani, tha se dhjetë raketa ranë afër zonës ku gjendet Konsullata e SHBA-së. Ai tha se raketat u lëshuan nga Garda Revolucionare e Iranit. Të dy këta zyrtarë folën në kushte anonimiteti, raporton Associated Press.
Më 2022, Irani kishte marrë përgjegjësinë për një sulm me raketa në po të njëjtën zonë afër kompleksit të Konsullatës amerikane në Irbil. Atëbotë, Teherani kishte deklaruar se sulmi ishte kryer në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve izraelite në Siri, kur ishin vrarë dy anëtarë të Gardës Revolucuonare.
Sulmet ajrore të Iranit në veri të Sirisë mbrëmjen e 15 janarit erdhën pasi IS-i më herët gjatë muajit mori përgjegjësinë për sulmin me dy bomba gjatë një ceremonie në përvjetorin e një gjenerali iranian, që u vra nga një sulm me dron të kryer nga SHBA-ja më 2020. Në sulmin në Kerman të Iranit u vranë të paktën 84 persona dhe u plagosën 284 të tjerë. Sulmi ndodhi gjatë ceremonisë së organizuar në nderim të gjeneralit të Gardës Revolucionare, Qassem Soleimani.
Muajin e kaluar, Irani akuzoi Izraelin për vrasjen e gjeneralit të lartë iranian, Seyed Razi Mousavi, gjatë një sulmi ajror në një lagje të Damaskut.