Ndërlidhjet

SHBA-ja i dërgon “mesazh privat” Iranit, pas sulmeve nga rebelët huthi


Një avion luftarak kthehet në bazë pasi i sulmoi caqet ushtarake në Jemen, 12 janar 2024.
Një avion luftarak kthehet në bazë pasi i sulmoi caqet ushtarake në Jemen, 12 janar 2024.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të dielën se Uashingtoni ia ka dërguar një mesazh privat Teheranit për rebelët e lëvizjes jemenase të mbështetur nga Irani, Huthi, të cilët janë përgjegjës për sulmet kundër anijeve tregtare ndërkombëtare në Detin e Kuq.

“Ne ua dhamë atë [mesazhin] privatisht dhe jemi të bindur se jemi të përgatitur mirë”, tha Biden për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë të dielën, një ditë pasi forcat amerikane dhe aleatët e tyre i bombarduan për herë të dytë caqet e Huthit në Jemen.

Hollësitë e mesazhit privat nuk u bënë të ditura.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani nuk kanë marrëdhënie diplomatike formalisht. Çështjet mes tyre në përgjithësi janë shtjelluar përmes Ambasadës së Zvicrës në Teheran prej vitit 1979.

Rebelët huthi – sulmet e të cilëve kundër anijeve të lidhura me Izraelin dhe anijeve të tjera tregtare në Detin e Kuq kanë nxitur reagim ushtarak nga SHBA-ja dhe aleatët e saj kundër caqeve huthi në Jemen – janë zotuar për hakmarrje “të fuqishme” pas sulmit të dytë të së shtunës.

Ky kërcënim i rrit shqetësimet se mund të ketë konfrontime të mëdha ushtarake që burojnë nga lufta e Izraelit kundër Hamasit, grupit të shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja, në Rripin e Gazës, i cili njëlloj sikur lëvizja Huthi gëzon mbështetjen e Iranit.

Rusia dhe Irani, mbështetësi kryesor të rebelëve huthi, i dënuan menjëherë sulmet duke thënë se ato do të sillnin konfrontime të mëtejshme në Lindjen e Mesme.

“Sulmi i ri do të jetë një përgjigje e fuqishme dhe efektive”, tha zëdhënësi i Huthit, Nasruldeen Amer të shtunën, sipas Al-Jazeera.

Ai tha se nga sulmi i dytë nuk kishte viktima, të lënduar apo dëme materiale.

Kërcënimi i tyre vjen pas ushtria amerikane e kreu sulmin e dytë brenda dy ditëve, këtë herë kundër një zone radarësh.

Të premten, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i bombarduan caqet e Huthit në Jemen. Huthi tha se pesë luftëtarë të tij u vranë gjatë bombardimeve.

Huthi e ka mohuar se dëshiron të përzihet në tregtinë ndërkombëtare në Detin e Kuq, por thotë se cak i sulmeve të rebelëve të tij janë anijet e lidhura me Izraelin, si shenjë mbështetje për palestinezët gjatë luftës së Izraelit kundër Hamasit.

Megjithatë, shumë prej anijeve që ata i kanë sulmuar nuk kanë lidhje të qartë me Izraelin.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk po kërkojnë konflikt në rajon, por e kanë paralajmëruar lëvizjen Huthi se nuk do ta lejojnë dhunën ta pengojë rrugën ndërkombëtare të transportit të mallrave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG