A mundet Irani ta shënjojë Trumpin në tokën amerikane?

Donald Trump i shpëtoi një atentati më 13 korrik, teksa një plumb e plagosi në veshin e djathtë.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka qenë në shënjestër të Teheranit që kur ai urdhëroi vrasjen e gjeneralit kryesor iranian, Qassem Soleimani në Irakun fqinj më 2020.

Teherani vazhdimisht është zotuar se do të hakmerret për vrasjen e Soleimanit dhe shumë zyrtarë, përfshirë liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, kanë aluduar për vrasjen e Trumpit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës së tij në tokën amerikane.

“Ne do të përgatisim terrenin për t’u hakmarrë ndaj amerikanëve në shtëpinë e tyre, duke përdorur shokët e tyre”, tha Esmail Qaani në janar të vitit 2022. Ai mori detyrën e Soleimanit si komandant i Forcave Kuds, krahu jashtë vendit i Gardës së fuqishme Revolucionare Islamike.

Mediat amerikane raportuan më 16 korrik se Shërbimi Sekret amerikan kishte përforcuar sigurinë për Trumpin, pasi kishte pranuar informacione në javët e fundit se Irani po planifikonte ta vriste. Trump është kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale amerikane të 5 nëntorit.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja raportohet se u informua për një komplot iranian për vrasjen e Trumpit

Plani i dyshuar për vrasjen e Trumpit dukej se nuk kishte lidhur me atentatin ndaj Trumpit më 13 korrik, raportuan mediat amerikane.

“Komploti për të vrarë një udhëheqës të huaj, veçmas një kandidat presidencial amerikan, shënon një hap të rëndësishëm të çmendurisë nga regjimi klerik”, tha Behnam Ben Taleblu, hulumtues i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me seli në Uashington.

Irani që një kohë të gjatë akuzohet se kryen vrasje, përfshirë të disidentëve iranianë, në tokë të huaj, edhe pse gjithmonë ka mohuar këto akuza.

Një prej incidenteve të profilit më të lartë ishte vrasja e Shapur Bakhtiar më 1991. Bakhtiar ishte kryeministri i fundit i Iranit para Revolucionit Islamik të vitit 1979. Ai u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në Francë dhe Irani gjerësisht është fajësuar për vrasjen e tij.

“Viteve të fundit, Irani nuk ka qenë i suksesshëm në përpjekje të tilla dhe aktivitetet e tij prirej të synojnë përçarjen në vend të vrasjes së ish-krerëve apo krerëve të mundshëm të shteteve”, tha Gregory Brew, analist iranian në Grupin Euroazia me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Ai tha se përderisa është e “paqartë nëse shërbimet e inteligjencës së Iranit mund të bëjnë diçka të tillë”, atentati ndaj Trumpit më 13 vë në pikëpyetje “besimin se Shërbimi Sekret mund ta mbajë atë plotësisht të sigurt”.

SHIKONI EDHE: Shërbimi Sekret rrit masat e sigurisë pas sulmit ndaj Trumpit

Taleblu tha se prandaj do të ishte gabim që të hidheshin poshtë kërcënimet e Iranit.

Shërbimi Sekret është kritikuar pasi një sulmues 20-vjeçar qëlloi me armë zjarri Trumpin gjatë një tubimi në Pensilvani. Ish-presidenti u plagos lehtë në veshin e djathtë, por nga të shtënat u vra një person që ishte në publik.

“Rruga ligjore” për t’u hakmarrë për Soleimanin

Pavarësisht deklaratave publike të bëra nga figurat e larta iraniane lidhur me dëshirën për t’u hakmarrë për Soleimanin duke vrarë Trumpin, diplomatët iranianë kanë hedhur poshtë raportimet që e lidhin Teheranin me komplot për të vrarë ish-presidentin amerikan.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Nasser Kanani, tha më 16 korrik se Teherani “është i vendosur që të ndjekë penalisht Trumpin”, ndërkaq misioni iranian në Kombet e Bashkuara insistoi se Republika Islamike ka “zgjedhur rrugë ligjore” që ta mbajë përgjegjës Trumpin.

SHIKONI EDHE: Komandantë iranianë po vriten - a po dobësohet Irani?

Ndaras, ministri në detyrë për Punë të Jashtme, Ali Baqeri Kani, tha se Irani “do të përdorë procedurat ligjore e dhe gjyqësore... në nivel vendor dhe ndërkombëtar”.

Taleblu tha se deklaratat e zyrtarëve iranianë janë në linjë me “ndarjen standarde të punës” në politikën e sigurisë në Teheran.

“Ministria e Jashtme përpiqet të zhbëjë kërcënimet përmes ndryshimeve në stil, ndërkaq Garda Revolucionare dhe të tjerët janë në gjendje të shtyjnë përpara të njëjtin terror dhe destabilizim”, shtoi ai.

Në dhjetor, një gjykatë në Teheran urdhëroi Qeverinë amerikane që të paguajë pothuajse 50 miliardë dollarë në dëme për vrasjen e Soleimanit. Gjykata dënoi Trumpin dhe 41 zyrtarë të tjerë amerikanë lidhur me vrasjen.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja vret gjeneralin e forcave elite të Iranit, Teherani zotohet për hakmarrje

Said Mahmoudi, profesor i ligjit ndërkombëtar në Universitetin e Stokholmit, i tha Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se rastet kundër Trumpit në gjykatat iraniane janë vetëm për “show” dhe atyre u mungon besueshmëria.

“Është jashtëzakonisht e pazakonshme që një shtet i huaj të ndjekë penalisht Trumpin. Vetëm gjykatat ndërkombëtare mund ta bëjnë një gjë të tillë”, tha ai, duke shtuar se ligji ndërkombëtar nuk lejon gjykatat vendore të ndjekin penalisht krerët aktualë apo ish-krerët shtetërorë bazuar në ligjet lokale.

Ndikimi i mundshëm në raportet Teheran-Uashington

Trump aktualisht po udhëheq në sondazhe kundrejt presidentit Joe Biden, para zgjedhjeve të nëntorit dhe disa argumentojnë se atentati ndaj tij, mund, të paktën përkohësisht, të rrisë gjasat e tij për fitore.

Raportimet për komplotin e pretenduar iranian kundër jetës së Trumpit mund të përshpejtojnë përpjekjet nga presidenti i zgjedhur reformist, Masud Pezeshkian, për të ulur retorikën anti-Perëndimore të Iranit, tha për Radio Farda, Damon Golriz, ligjërues në Universitetin e Hagës për Shkenca të Aplikuara.

Brew tha se Trump “mund të jetë edhe më armiqësore ndaj Iranit” nëse zgjidhet president dhe theksoi se armiqësia është e ndërsjellë.

“Nëse Trump fiton zgjedhjet e nëntorit, një fitore e tillë mund të ulë pritshmëri për përparim në të ardhmen sa i përket çështjes së programi bërthamor apo ndonjë politike tjetër”, shtoi ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku