Institucionet në Mal të Zi në rrezik për shkak të mosfunksionimit

Ministri malazez i Mbrojtjes, Rashko Konjeviq, kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, presidenti Milo Gjukanoviq dhe kryeministri Dritan Abazoviq në festën e Ditës së Ushtrisë, më 7 tetor 2022.

Konfrontimi ndërmjet kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe presidentit Milo Gjukanoviq, konflikt i hapur mes kryeministrit dhe dy ministrave të Partisë Socialdemokrate (SDP), shkarkimet e shpejta të njerëzve kyç në sektorin e sigurisë, Qeveria në mandat teknik, mungesa e një shumice të qartë parlamentare...

Problemet janë evidente edhe në gjyqësor, ku Gjykata Kushtetuese ka vetëm tre gjyqtarë nga shtatë sa janë të paraparë.

Pritet përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, si dhe e Prokurorit të Lartë të Shtetit.

Bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë (REL), profesori dhe metodologu Milosh Beshiq dhe aktivistja civile, Dina Bajramspahiq, e përshkruajnë momentin aktual politik në Mal të Zi si “anarki dhe çorganizim, institucione jofunksionale, luftë politike për kontrollin mbi shërbimet e sigurisë” dhe të gjitha këto të shoqëruara nga arbitrariteti i zyrtarëve.

Milosh Beshiq

Në skenë është një lloj anarkie, vlerëson analisti politik, Milosh Beshiq, i cili thotë për Radion Evropa e Lirë se përfaqësuesit e pushtetit të ri po i kapin institucionet në të njëjtën mënyrë siç kishte bërë pushteti që udhëhiqte Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), para gushtit 2020.

Në zgjedhjet e mbajtura dy vjet më parë, pushtetin e kishin fituar Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA, ndërkaq DPS-ja u zëvendësua pas tri dekadash në pushtet.

Ndërkohë, dallimet dhe konfliktet e tyre politike çuan në rënien e dy qeverive.

“Nuk ka unitet mes tyre, ndërkaq të gjithë duan të kenë kontroll politik mbi institucionet kyçe dhe tani, ka një anarki dhe çorganizim që rezulton me mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Agjencia për Sigurinë Kombëtare (ANB) praktikisht është në kaos”, thekson Beshiq.

Pa bashkëpunim ndërmjet kryeministrit dhe presidentit

Etiketimet dhe akuzat reciproke të dy politikanëve më me ndikim, presidentit të shtetit dhe liderit të DPS-së, Milo Gjukanoviq, si dhe kryeministrit Dritan Abazoviq, ndaj qeverisë së të cilit u votua mosbesimi më 20 gusht, kulmuan ditëve të fundit dhe vunë në dukje problemet serioze në bashkëjetesën e kreut të pushtetit.

Së pari, Gjukanoviq tha se në karrierën e tij politike mundi kundërshtarë shumë më seriozë se Abazoviqi. Ndërkaq, Abazoviq u përgjigj duke thënë se “ditët politike të Gjukanoviqit janë të numëruara”.

SHIKONI EDHE: Abazoviq thotë se URA do të votojë për shkarkimin e Gjukanoviqit

Deklarata e fundit e radhës e Gjukanoviqit është ajo e 8 tetorit, kur tha se Abazoviq është shërbëtor i idesë serbomadhe.

Një ditë më herët, Abazoviq vlerësoi se ekziston një grup në Mal të Zi i mishëruar në “krimin e organizuar dhe korrupsionin” dhe se ai është “grupi rreth presidentit të shtetit”.

Aktivistja civile, Dina Bajramspahiq, vlerëson për REL-in se dallimet politike në Mal të Zi janë sjellë në rrafshin e etiketimeve reciproke, pas së cilave nuk ka punë, vizion, program, rezultate.

“Ata prej vitesh nuk kanë pasur sukses të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe të formojnë Këshillin Gjyqësor, të rrumbullakojnë Gjykatën Kushtetuese, e cila përfundimisht u bllokua dhe për të zgjedhur prokurorin Suprem të shtetit. Ata nuk i kryejnë detyrat e tyre dhe sillen sikur nuk kanë përgjegjësi për mosfunksionimin e institucioneve”, thotë ajo.

SHIKONI EDHE: Shumicë e re apo zgjedhje të reja në Mal të Zi

Lufta politike për shërbimet e sigurisë

Dallimet politike ndërmjet kryeministrit Abazoviq nga lëvizja URA dhe dy ministrave të subjektit opozitar, Partisë Socialdemokrate, Rashko Konjeviq, ministër i Mbrojtjes dhe Ranko Krivokapiq, ministër i Punëve të Jashtme, të cilat filluan pasi Abazoviq nënshkroi Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, kulmuan në seancat e Qeverisë, me akuza të ndërsjella për lidhje me kontrabandën e cigareve në Mal të Zi.

Më 4 tetor, Abazoviq e shkarkoi Konjeviqin nga pozita e shefit të koordinatorit të shërbimeve të sigurisë, duke deklaruar se ai u përpoq ta përdorte atë pozitë politikisht në fushatën për zgjedhjet lokale të 23 tetorit.

Konflikti arriti kulmin pas shpërthimit të një afere me një kamion me cigare, që ishin paraparë të shkatërroheshin. Kamioni nuk arriti në destinacionin e tij në Nikshiq, më 1 tetor, por u gjet një ditë më vonë në periferi të Podgoricës.

Mbikëqyrja e djegies së cigareve të konfiskuara ishte përgjegjësi e Drejtorisë doganore të udhëhequr nga Rade Milosheviq, zyrtar i lëvizjes URA të Abazoviqit, i cili dha dorëheqjen nën presionin e publikut për shkak të aferës.

SHIKONI EDHE:

Drejtori i Doganës i Malit të Zi dyshohet për kontrabandë me cigareMallrat e paligjshme në rrugët detare të BallkanitMali i Zi konfiskon duhan në vlerë prej miliona eurosh

Për montim të aferës, ai e akuzoi njeriun e parë të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Sava Kentera, i cili u shkarkua nga Qeveria, më 7 tetor, si dhe ndihmësin e tij Drago Spiçanoviq, që po ashtu u shkarkua tri ditë më vonë.

Dina Bajramspahiq

Dina Bajramspahiq thotë se afera tregoi se institucionet janë të cenueshme, se ka shumë presion politik ndaj tyre dhe se masat kundër korrupsionit janë të dobëta.

“Sistemi ende bazohet në arbitraritetin e zyrtarëve publikë, të cilët mund të emërojnë të dëgjueshmit e tyre - pra, ata që punojnë për të mirën e strukturave politike, në vend se të punojnë për interesin e të gjithë qytetarëve - si dhe mund të shkarkojnë këdo që nuk i përkulet vendimmarrjes së centralizuar”, thotë ajo.

Kontrolli mbi policinë sekrete është synim i politikanëve

Milosh Beshiqi shpreh mendimin se ka indikacion që në Mal të Zi, sikurse edhe në shtetet tjera të rajonit, për shumicën e aktorëve politikë është me rëndësi kyçe që pasi të arrijnë në pushtet, të marrin pozitat në sektorin e sigurisë.

“Institucioni më i rëndësishëm në kuptimin e fuqisë politike për ta, është pikërisht Agjencia për Siguri Kombëtare, e cila do të punojë për interesat tuaja politike, do të mbledhë informacione për ju dhe do t’ju mundësojë t’i keqpërdorni ato për qëllime politike. Kohët e fundit kemi pasur një luftë të vërtetë politike për pronësinë mbi strukturat e sigurisë, në kuptimin politik”, thotë Beshiq.

Duke shpjeguar shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Sava Kentera, Abazoviq deklaroi se “lufta speciale nuk mund të bëhet përmes shërbimeve të sigurisë”, duke shtuar se ai ka informacione se “njerëz të caktuar brenda Agjencisë për Siguri Kombëtare po përpiqen të përgatisin ose tashmë kanë përgatitur afera në raport me disa anëtarë të Qeverisë dhe disa pjesëtarë të Administratës së Policisë”.

SHIKONI EDHE:

Mali i Zi fajëson shërbimet ruse për sulmin kibernetik ndaj shërbimeve qeveritareGjashtë diplomatë rusë shpallen të padëshiruar në Mal të Zi, hetimi për spiunët vazhdonSHBA do të mbështesë "çdo qeverisje demokratike, pro-perëndimore në Mal të Zi"

Ky shkarkim nxiti reagime të shumta të partnerëve perëndimorë, të cilët theksuan kontributin e Kenterës në luftën kundër ndikimit rus në Mal të Zi.

“Nëse keni operacionin më të madh për ekspozimin e rrjetit rus të spiunazhit, 35 të dëbuar nga Mali i Zi, agjentët e identifikuar të GRU-së dhe nëse në fund të fundit dikush thotë se nuk po punojmë mirë dhe nuk jep asnjë arsye, por ju pushon nga puna... Gjithçka është e qartë”, tha Kentera pas shkarkimit.

Abazoviq emëroi pasardhësin e Kenterës, Boris Miliqin, në më pak se 24 orë, ndërkaq ai, menjëherë pas marrjes së detyrës, shkarkoi shumë operativë të lartë të Agjencisë për Siguri Kombëtare.

Kentera u zgjodh drejtor i kësaj agjencie më 5 maj, pas formimit të Qeverisë së Abazoviqit, të cilës, pas rreth 100 ditë pune, më 20 gusht, iu votua mosbesimi.

Bllokimi i institucioneve i dërgon mesazh negativ Brukselit

Se jofunksionaliteti i institucioneve reflektohet edhe në integrimet evropiane, këtë e dëshmon edhe deklarata e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

SHIKONI EDHE: BE-ja bën thirrje për një qeveri 'vërtet pro-evropiane' në Mal të Zi

I pyetur se si e sheh rrugëdaljen nga kriza politike në Mal të Zi, Lajçak tha për TV Vijesti, më 7 tetor, se BE-ja dëshiron një qeveri pro-evropiane.

“Ne kemi besim se liderët tuaj politikë janë në gjendje ta zgjidhin krizën. U takova me ministrin e Jashtëm, kryeministrin, presidentin e shtetit, pikërisht për t’i pyetur se si e shohin një rrugëdalje nga situata aktuale. Sepse, kjo nuk po është e mirë për Malin e Zi”, tha Lajçak.

Ai konfirmoi se raporti i këtij viti për progresin e Malit të Zi drejt BE-së, i cili do të publikohet të mërkurën, më 12 tetor, “me siguri do të jetë më i keq se pesë vjet më parë”.

Në raportin e vitit të kaluar, thuhej se Mali i Zi nuk ka bërë asnjë përparim në fushën e drejtësisë, në kuadër të kapitullit 23.

Përgatiti: Bekim Bislimi