Ndërlidhjet

Drejtori i Doganës i Malit të Zi dyshohet për kontrabandë me cigare


Drejtori i Doganës në Mal të Zi, Rade Millosheviq.
Drejtori i Doganës në Mal të Zi, Rade Millosheviq.

Drejtori i Administratës së të Ardhurave dhe Doganës në Mal të Zi, Rade Millosheviq, është arrestuar më 1 tetor me urdhrin e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Shtetit. Tivarit. Por, siç ka mësuar Radio Evropa e Lirë, Millosheviq është liruar gjashtë orë pas arrestimit.

Prokuroria e Posaçme njoftoi më 1 tetor, se pa masa të duhura të sigurisë, zyrtarët e Doganës, së bashku me persona të tjerë fizikë dhe juridikë, kishin nxjerrë një kamion të mbushur me cigare, që ishin të destinuara të asgjësoheshin në Zonën e Lirë të Portit të Tivarit.

“Por, me atë kamionë ata nuk kanë shkuar në destinacionin përfundimtar: deponë dhe fabrikën në Nikshiq”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Nga kjo Prokurori shtuan se do të marrin vendim pas analizimit të provave të mbledhura.

Edhe drejtori i Doganës, Rade Millosheviq, është deklaruar. Ai tha se thirrjes së Policisë “i jam përgjigjur në cilësinë e qytetarit dhe kam ofruar dokumentet që janë kërkuar për kontroll nga autoritetet”.

Ai shtoi se të gjitha veprimet dhe vendimet i ka kryer “në përputhje me ligjin dhe jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi nëse kontatohet shkelje e ndonjë procedure ligjore brenda juridiksionit tim”.

Millosheviq dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin e një zinxhiri, që ka kontrabanduar një pjesë të cigareve që u konfiskuan këtë verë në Zonën e Lirë Doganore në Portin e Tivarit.

Në këtë port, sipas të dhënave britanike, mbi 2 miliardë tonë cigare kontrabandohen çdo vit. Këtë verë, autoritetet kanë kryer tri aksione të konfiskimit. Më 12 qershor u konfiskuan cigare në vlerë prej 3.5 milionë eurosh, më 14 qershor u konsifskuan 1.2 milionë euro cigare dhe në mesin e majit u konfiskua duhan në vlerë prej dhjetëra miliona eurosh, kishte thënë atëbotë kryeministri Dritan Abazoviq.

Përveç Millosheviqit, edhe disa persona të tjerë u arrestuan në Nikshiq dhe Podgoricë në operacionin e Departamentit të Policisë Speciale, që u krye me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Shtetit dhe të Agjencisë për Siguri Kombëtare. Të arrestuarit dyshohen se kanë marrë pjesë në kontrabandimin e duhanit të konfiskuar, që dyshohej se ishte djegur në disa furra në dy fabrika në Mal të Zi.

Zyra e Prokurorisë së Posaçme beson se një pjesë e pakove të cigareve që nuk u dogjën, ashtu siç ishin raportuar në dokumentet e Administratës së të Ardhurave dhe Doganës, ka përfunduar në zinxhirin e kontrabandës.

Në ngjarjen ku u dogjën cigaret, që u zhvillua më 30 shtator, kishte marrë pjesë edhe kryeministri Abazoviq dhe Millosheviq, i cili kishte deklaruar se shkatërrimi i cigareve i kryer nga Administrata e të Ardhurave dhe Doganës, paraqet një goditje të madhe për grupet kriminale të përfshira në kontranandimin e cigareve.

Ky nuk ishte aksioni i vetëm për shkatërrimin e cigareve.

Në mesin e vitit, po e njëjta administratë kishte organizuar shkatërrimin e cigareve në fabrikën në Javorak.

Një orë para se të njoftohej arrestimi i Millosheviqit, kryeministri Abazoviq dhe ministri i Brendshëm, Filip Anzhiq, mirëpritën aksionin e Zyrës së Prokurorisë së Posaçme në parandalimin e kontrabandimit të cigareve.

Millosheviq është zyrtar i lartë i Lëvizjes Qytetare URA të Dritan Abazoviqit, i cili është kryeministër teknik i Malit të Zi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG