Iniciativa e BE-së për t’i dërguar paratë ruse në Ukrainë

Një ushtar ukrainas shihet i ulur në një stol teksa një banore pastron shkatërrimin që ka afër vetes pas një sulmi ajror rus në rajonin ukrainas Zaporizhja. 5 prill 2024.

Bashkimi Evropian është duke iu afruar një vendimi historik që parasheh shfrytëzimin e aseteve të ngrira ruse për t’i ndihmuar Ukrainës.

Asetet e Bankës Qendrore të Rusisë janë ngrirë pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022 dhe ashtu vazhdojnë të jenë.

Letrat me vlerë dhe paratë e gatshme që janë ngrirë në shtatë vendet më të industrializuara në botë (G7) dhe në Bashkimin Evropian e Australi, besohet se e kanë vlerën e 260 miliardë eurove.

Asete në vlerë të 210 miliardë eurove janë në BE, kryesisht në Belgjikë, shtëpinë e Euroclear, kompanisë për shërbime financiare, e specializuar në transaksione të letrave me vlerë.

Në shkurt është bërë hapi i parë prej Brukselit në këtë drejtim, duke i lënë anash fitimet e grumbulluara nga asetet e ngrira. Më 20 mars, Komisioni Evropian e ka propozuar inicimin e një hapi të dytë dhe final për të dërguar para të gatshme në Ukrainë.

SHIKONI EDHE: Evropa do t’i përdorë asetet e ngrira ruse për të blerë armë për Ukrainën

Diçka e tillë është shtyrë përpara kohëve të fundit nga disa ministra të Jashtëm të vendeve të BE-së, të cilët kanë kërkuar nga kryediplomati evropian, Josep Borell që të dalë me një propozim për jetësim të kësaj ndihme.

Asnjëra prej 27 vendeve anëtare nuk ka kundërshtuar propozimin e Borrellit, ndonëse puna nuk është kryer ende.

Liderët dhe zyrtarët e vendeve anëtare të BE-së ende do të duhet të studiojnë propozimin e Komisionit Evropian dhe t’ia japin unanimisht dritën jeshile.

Zanafilla e gjithë kësaj

Në propozim - që e ka parë Radio Evropa e Lirë – hapi i parë i procesit, lënia anash e fitimeve, ka nisur më 15 mars të këtij viti.

“Depozituesve qendrorë të letrave me vlerë u ndalohet të kenë qasje në këto fitime, apo t’ua shpërndajnë fitimin aksionarëve, derisa Këshilli Evropian të vendosë për kontributin financiar që do të mblidhet për t’i ndihmuar Ukrainës”.

Depozituesit qendrorë të letrave me vlerë janë institucione, sikurse Euroclear, që mbajnë dhe administrojnë letra me vlerë dhe mundësojnë kryerjen e transaksioneve me to.

Ky hap besohet se e ka rritur fondin në mes të 2.5 deri në 3 miliardë eurove.

SHIKONI EDHE: Çfarë mund të bëjë Perëndimi me asetet e ngrira të Rusisë?

Komisioni Evropian shpreson që këto para do të mund të dërgohen në Ukrainë deri në korrik, në rast se të gjitha vendet anëtare janë të pajtimit.

Ekzistojnë shpresa në Bruksel që shuma të ngjashme të mund të dërgohen çdo vit në Kiev, varësisht prej normave vjetore të interesit.

Në propozimin e Borrellit ekzistojnë një numër “garancish” për vendet anëtare, të cilat shqetësohen se ky hap mund të konsiderohet konfiskim i pronës private – pasi pronësia private është e drejtë themelore brenda bllokut evropian – apo do të mund të dëmtojë valutën e përbashkët të bllokut, euron.

Në dokument përmendet se “gjenerimi i të hyrave të papritura dhe të jashtëzakonshme, nuk janë pronë e Bankës Qendrore të Rusisë, pasi nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që interesi t’iu paguhet pronarëve. Meqë të hyrat ekzistojnë vetëm si rezultat i masave kufizuese, nuk duhet të ekzistojë asnjë pritshmëri që ato të mbeten të depozituesit qendrorë të letrave me vlerë dhe aksionarët e tyre”.

Në propozim, po ashtu, është thënë se nuk mund të pranohet asnjë pretendim retroaktiv nga ana e Moskës.

“Të hyrat e papritura dhe të jashtëzakonshme nuk duhet të jenë të qasshme për Bankën Qendrore të Rusisë, edhe nëse pezullohet ndalesa në transaksione. Prandaj, rregullat që mbrojnë asetet sovrane nuk janë të zbatueshme për këto të ardhura”.

SHIKONI EDHE: Një vit i ngarkuar dhe potencialisht përcaktues për BE-në

Çfarë do të thotë krejt kjo?

Ekzistojnë disa “të mira” mbrapa propozimit, nëse vendet e miratojnë atë: pritet që 3 për qind e fitimeve nga asetet e ngrira të mbeten te depozituesit qendrorë të letrave “për të garantuar efikasitetin e punës së tyre”.

Në të ardhmen, kompanitë për shërbime financiare do të mund të sigurojnë 10 për qind të fitimeve për t’i mbuluar tarifat e mundshme ligjore, pasi ka shumë mundësi që Rusia do ta çojë rastin në gjyq.

SHIKONI EDHE: Rusia: Do të hakmerremi nëse BE-ja armatos Ukrainën me përfitimet nga asetet tona

Disa zyrtarë të BE-së, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, e kanë hedhur poshtë mundësinë e dëmtimit të pozitës së euros.

Fakti që Brukseli është marrë me këtë gjë për shumë muaj, pa pasur ndonjë ndikim në valutën e përbashkët, po përmendet si argument për të ecur përpara me planet.

Një tjetër argument në mbështetje të propozimit është shtetet e G7-s janë duke hartuar plane të ngjashme, andaj ka mundësi që të mos jetë euroja valuta e vetme që ekspozohet.

SHIKONI EDHE: Ndihma amerikane për Ukrainën mund të marrë formë së shpejti - por si?

Lidhur me këtë ekziston edhe një propozim i Komisionit Evropian për mënyrën e shpenzimit të parave, çka u ofron vendeve anëtare edhe më shumë potencial për vëzhgim, por edhe mundësi për veto.

Fillimisht ishte menduar që paratë e gjeneruara prej fitimeve do të ndaheshin për rindërtim të Ukrainës.

Mirëpo me vazhdimin e luftës, askush nuk pret ndonjë shkallë të madhe rindërtimi të këtij vendi, andaj BE-ja ka propozuar që 90 për qind e parave të shkojnë për furnizim të Kievit me pajisje ushtarake dhe pjesa tjetër, 10 për qind, në ndihmë të rregullt financiare.

Shuma prej 10 për qind do të ndahej përmes buxhetit të rregullt të BE-së, andaj nuk do të ketë nevojë për ndonjë unanimitet prej vendeve anëtare.

Mirëpo pjesa tjetër, 90 për qind, duhet të kalojë përmes një mekanizmi të BE-së për buxhet – i vetmi që i mundëson Brukselit të dërgojë para në Ukrainë për blerje armësh.

Në dy vjetët e fundit, BE-ja ia ka dërguar Kievit 5.6 miliardë euro për blerje të armëve dhe artilerisë, pikërisht përmes mekanizimit të bllokut për buxhet, mirëpo në 10 muajt e fundit ka dështuar të nënshkruar një marrëveshje prej 500 milionë eurove për ndihmë për Kievin, si pasojë e vetos së Hungarisë.

Vetoja e Budapestit është rezultat i një mospajtimi mes Hungarisë dhe Ukrainës lidhur me një listë të përpiluar prej Agjencisë Kombëtare të Ukrainës për Parandalim të Korrupsionit.

Banka Hungareze, OTP, ka qenë në listë të zezë dhe është shpallur “sponsore ndërkombëtare e luftës”, pasi i ndihmon Rusisë në bërjen e biznesit.

Ndonëse banka është hequr prej listës qysh në vjeshtën e vitit të kaluar, Budapesti ka kërkuar garanci që diçka e tillë nuk do të ndodhë në të kaluarën.

Kjo do të thotë se vetoja hungareze, apo e ndonjë vendi tjetër, do të mund të zgjasë kohën e dërgimit të ndihmës së BE-së në Ukrainë të paktën deri në verë.

Përgatiti: Krenare Cubolli