Rronita Lajçi, nënë e katër fëmijëve, ishte prej personave të parë që në një mesditë të shkurtit hyri në kuzhinën popullore “Bereqeti” në Pejë.
Pas saj mbërritën edhe dhjetëra qytetarë të tjerë, përfshirë gra, burra, pleq, të rinj dhe fëmijë.
Kjo kuzhinë shërben shujta të ngrohta, pa pagesë, për rreth 300 persona në ditë. Kush dëshiron, ushqehet aty; të tjerët mund ta marrin ushqimin me vete.
Derisa priste në radhë për të marrë gjellën që kishte gatuar atë ditë stafi i kuzhinës, Rronita tregoi se familja e saj 6-anëtareshe, prej vitesh, jeton vetëm nga ndihma sociale.
Vlera e kësaj ndihme që i ndan shteti, është 140 euro.
“S’kam çfarë të gatuaj në shtëpi. Këtu [në kuzhinë popullore] e gatuajnë mirë gjellën. Çdo ditë ka gjellë... edhe bukën e marr për anëtarët e tjerë të familjes”, rrëfeu Rronita për Radion Evropa e Lirë.
“Gjellën e sotme që nuk e hamë, e ruajmë për të nesërmen në mëngjes, derisa të vijë ora 12:00 [koha e gjellës tjetër]”, tha Rronita, e cila me vite shërbehet në këtë kuzhinë.
Bashkëshorti i saj nuk punon. Ai ka probleme shëndetësore, ashtu si edhe njëri djalë dhe vajza. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore ua ka vështirësuar edhe më shumë përditshmërinë.
“Për mua që jam edhe burrë, edhe grua, nuk ka ku të shkojë më vështirë... Një litër vaj është bërë 2 euro. Po ta shikosh miellin, 16-17 euro thesi. Ku t’i marr unë? Rryma më kushton 30-40 euro [në muaj]”, tha Rronita, edhe vetë e papunë.
Inflacioni në Kosovë, si gjetiu në botë, ka nisur të rritet në vitin 2021, për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Hov atij i ka dhënë edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila ka nisur në shkurt të vitit 2022.
Vitin e kaluar, Kosova e ka mbyllur me normë mesatare të inflacionit mbi 12 për qind.
Dhjetorin e kaluar në Pejë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kanë qenë mbi 1 mijë familje që burim të vetëm të të ardhurash, kanë pasur asistencën sociale. Komuna në pjesën perëndimore të Kosovës ka mbi 96.000 banorë.
Në të gjithë Kosovën, sipas ASK-së, janë 22.980 familje me mbi 90.000 anëtarë që përfitojnë nga skemat sociale.
Numri më i madh i tyre është i përqendruar në Mitrovicë të Jugut - gjithsejtë 2.186 familje.
Vlera monetare për përfituesit e ndihmës sociale ndryshon nga madhësia e familjes - nis nga 60 euro dhe shkon duke u rritur varësisht numrit të anëtarëve. Kusht për ta përfituar ndihmën është që familja të mos e ketë asnjë anëtar të punësuar.
Rritet numri i personave që ushqehen në kuzhinë popullore
Njëri nga udhëheqësit e shoqatës bamirëse “Bereqeti” në Pejë, Ermir Gega, tha se, muajve të fundit, është duke u rritur numri i familjeve që kërkojnë ndihmë në shoqatën e tij.
Ai tha se inflacioni ka prekur në veçanti familjet që jetojnë nga ndihma sociale dhe se kuzhina është duke u populluar gjithnjë e më shumë.
“Është duke u shtuar numri [i personave që marrin ushqime në kuzhinë]. Njerëz që nuk kanë kërkuar ndihmë më herët, tani po i shoh që po kërkojnë. Po i shoh disa emra të rinj, disa persona të rinj”, tha Gega.
“Janë ato familje që ndoshta më herët janë munduar - me mundësitë që i kanë pasur - të mos vijnë këtu, por tash po i vërej se çdo ditë lajmërohen, thërrasin, kërkojnë të takohemi...”, shtoi ai.
Përveçse me ushqime, shoqata e tij ndihmon nevojtarët edhe me veshmbathje dhe produkte higjienike.
Gega tha se në qytetin e Pejës janë mbi 800 familje që kanë nevojë të vazhdueshme për ndihma, por se shoqata e tij, aktualisht, mund të ndihmojë vetëm 50 sosh në muaj.
“Ajo ndihmë sociale nuk iu mjafton. Kanë shumë halle. Një pako kur ua dërgojmë... aq shumë e mirëpresin dhe vazhdimisht pyesin: kur do të vini herën tjetër”, tha Gega.
Pranë dyerve të kuzhinës së tij, atë ditë të shkurtit, priste edhe 58 vjeçi N.P.
Pasi hëngri drekën aty, ai i tregoi Radios Evropa e Lirë se familja e tij 5-anëtarëshe jeton me vetëm 170 euro në muaj, që ai i merr si ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tha se kishte dalë herët në mëngjes nga shtëpia, për të gjetur ndonjë punë krahu, pasi paratë që merr nga shteti, nuk i dalin.
“Më duhet ta paguaj rrymën, ujin, bërllokun... Tre fëmijë i kam në shkollë. Pak më ndihmojnë [të afërmit] nga diaspora kur vijnë, 5 euro, 10 euro... Kushdo që më jep, unë i çoj në shtëpi të gjitha”, tha N.P.
Në Kosovë janë rreth 20 kuzhina popullore. Më 13 shkurt, Qeveria e Kosovës ndau 1.2 milion euro për to.
“Kuzhinat popullore, përveçse ofrojnë shujta për ata më në nevojë, janë gjithashtu simbol i humanizmit tonë të përbashkët dhe dëshmi e fuqisë së komunitetit për të ndikuar pozitivisht në jetën e atyre që kanë më së shumti nevojë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën e ndarjes së fondeve.
Qeveria e Kosovës i ka mbështetur kuzhinat popullore në dy vjetët e kaluar. Gjatë kësaj periudhe, sipas saj, ato kanë shpërndarë mbi 300 mijë shujta për qytetarët në nevojë.
Me qëllim që t’ua lehtësojë përballimin e inflacionit, Qeveria, gjatë vitit të kaluar, ka ndarë disa herë shtesa për kategori të ndryshme sociale.
SHIKONI EDHE: Si mund të ngadalësohet inflacioni?Nevoja për planifikim të punësimit
Por, profesori i shkencave sociale në Universitetin e Prishtinës, Behxhet Gaxhiqi, thotë se duhet një angazhim më i madh institucional për punësimin e personave që marrin asistencë sociale.
“Agjencia për Punësim e Kosovës duhet të bëjë hartimin e politikave dhe të bëjë shtrirjen në nivele regjionale. Të shikohet qasja në punësim, sidomos te sektori privat, e përmes punësimit te sektori privat, të ndikohet në zvogëlimin e kategorisë që merr asistencë sociale”, tha Gaxhiqi.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në vend është mbi 20 për qind.
Së voni, Qeveria e Kosovës vuri në funksion një platformë të quajtur “superpuna”, e cila synon kryesisht punësimin e të rinjve.
Në kuadër të kësaj platforme, Qeveria subvencionon punëdhënësin duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj, në vlerë prej 264 eurosh. Por, sipas ekspertëve të ekonomisë, kjo nuk është zgjidhje afatgjate.
SHIKONI EDHE: A ofron “superpuna” punësim të qëndrueshëm?Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tregun e punës, të publikuara në vitin 2021, vlerësojnë se mbi 1.2 milion qytetarë janë në moshë pune. Nga ta, më shumë se 380 mijë punojnë, mbi 100 mijë janë të regjistruar si të papunë, ndërsa 740 mijë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, nuk janë të regjistruar si të papunë e as si kërkues pune.
Të dhënat e fundit për varfërinë në Kosovë janë publikuar para gjashtë vjetësh. Këto të dhëna të përpiluara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Banka Botërore kanë nxjerrë në pah se shkalla e varfërisë në Kosovë është 18 për qind, ndërsa e varfërisë së skajshme 5.1 për qind.