Dhënia e 20 mijë vaksinave në ditë, "ideale" për Kosovën

Ilustrim.

Autoritetet shëndetësore duhet të përshpejtojnë ritmin e vaksinimit kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi, në mënyrë që të përmbushet synimi i Qeverisë së Kosovës, që deri në fund të këtij viti, të vaksinohet 60 për qind e popullatës, thonë Blerim Syla nga Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë dhe Bujar Vitia, gazetar në gazetën "Shneta", i cili përcjell kryesisht sektorin e shëndetësisë.

Megjithatë, që të dy shprehen se imunizimi varet nga sasia e dozave që siguron Kosova.

Zyrtarë të Ministrisë se Shëndetësisë, të premten kanë treguar se kanë arritur një marrëveshje me kompaninë Pfizer, për sigurimin e mbi 1.2 milion dozave të vaksinave kundër koronavirusit.

Gjiganti farmaceutik Pfizer ka konfirmuar të shtunën për Radion Evropa e Lirë, marrëveshjen e arritur me Qeverinë e Kosovës për furnizim me vaksina kundër COVID-19.

Megjithatë, në përgjigje thuhet se sasia dhe periudha e dërgimit të vaksinave në Kosovë mbetet konfidenciale.

SHIKONI EDHE: Të moshuarit, në hall me platformën për vaksinim

Procesi i vaksinimit kundër COVID-19, në Kosovë ka nisur dy muaj më parë, ndërkaq deri më 29.05. 2021 janë vaksinuar mbi 63 mijë qytetarë, ose mbi 1,000 qytetarë brenda një dite.

Kosova deri tani ka pranuar mbi 177 mijë doza vaksinash, si donacion nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për dhurimin e vaksinave në vendet e varfra, apo Bashkimi Evropian.

Syla: Nevojiten 20 mijë doza të vaksinave brenda ditës

Blerim Syla, nga Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se vaksinimi varet nga numri i dozave që arrijnë në Kosovë dhe që autoritetet duhet të krijojnë mundësi që brenda ditës, në nivel vendi të vaksinohen deri në 20 mijë qytetarë.

“Ritmi i tanishëm i imunizimit është në kuadër të dozave aktuale të vaksinave në vend. Në momentin që ka sasi të dozave më të mëdha të vaksinave, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të zgjerojnë kapacitetet, të shtyjnë në funksion të gjitha Qendrat e Mjekësive Familjare në mënyrë që të arrijnë të japin 20 mijë vaksina brenda ditës. Rreth 20 mijë doza është shumë ideale dhe është e mundshme, me potencialin që ka Kosova, por normalisht se nevojitet një organizim pak më i mirë”, tha Syla.

Vitia: Imunizimi varet nga sasia e dozave që arrijnë në Kosovë

Edhe Bujar Vitia, gazetar në gazetën "Shneta", tha se me ritmin aktual të vaksinimit, vështirë është të arrihet synimi i Qeverisë. Megjithatë, ai shprehet se përmbushja e zotimit të Qeverisë për imunizim të 60 për qind të popullatës, varet nga sasia e dozave që Pfizer dërgon në Kosovë.

SHIKONI EDHE: Kosova harron vaksinimin në komunat serbe

“Duhet të kuptojmë se kompania Pfizer, tani ka shumë kontrata me vendet të botës dhe kërkesa të mëdha për dorëzim të dozave, sepse të gjitha shtetet e botës kanë synuar që të imunizojnë qytetarët e tyre para se të hyjnë në verë. Dhe ne tashmë po hyjmë në verë dhe në gjysmën e dytë të vitit 2021 dhe gjithçka do të varet nga sasia e dozave që Pfizer do të dërgojë në Kosovë për imunizimin e këtij 60 përqindëshit të qytetarëve”, thekson ai.

Kurse sa i përket kapaciteteve humane, Vitia vlerëson se Kosova është e përgatitur në këtë aspekt.

“Punëtorët shëndetësorë, në përgjithësi e kanë një traditë të mirë të vaksinimit. Në të kaluarën, për epidemi të ndryshme, brenda një periudhë shumë të shkurtër, ndoshta disaditore, punëtorët shëndetësorë kanë arritur të vaksinojnë qindra mijëra qytetarë të Kosovës. Kështu që konsideroj se kapacitete ka, por gjithçka varet nëse do të ketë doza të mjaftueshme të vaksinave, për administrimin e tyre nga punëtorët shëndetësorë”, thekson Vitia.

Në Planin Shtetëror të Imunizimit, thuhet se në institucionet shëndetësore publike janë të punësuar 2,703 mjekë dhe 7,700 infermierë. Numri i përgjithshëm i ekipeve të imunizimit, në 38 komuna është 212 ose 630 ofrues të shërbimeve.

SHIKONI EDHE: Hezitim i mjekëve për t’u vaksinuar dekurajoi qytetarët 

Komiteti për vaksinimin kundër COVID-19, ka vlerësuar se ekipet ekzistuese të vaksinimit të angazhuara janë të mjaftueshme për fazën e parë të vaksinimit.

Por, siç thuhet në plan, nëse do të ketë sasi më të mëdha të vaksinave në dispozicion, mund të zbatohet një rritje e kapaciteteve që mund të realizohet në dy skenarë: duke rritur orët e punës së personelit aktual, ose duke punësuar personel shtesë.

Plani shtetëror i imunizimit është i ndarë në tri faza. Fillimisht janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.

Aktualisht po vazhdon faza e dytë e procesit të imunizimit, ku janë duke u vaksinuar grup-mosha 65-79 vjeç.

SHIKONI EDHE: Edhe “karantinë e vizave” për qytetarët e Kosovës

Imunizimi është duke u bërë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë si dhe në qendrat e mjekësisë familjare në disa komuna.

Sipas këtij plani, në fazën e parë dhe të dytë, thuhet se do të vaksinohen rreth 360 mijë qytetarë.

Kurse faza e tretë do të shtrihet në pjesën tjetër prej 50 për qind të popullsisë, dhe pritet të imunizohen rreth 900,000 persona.