Bashkimi kombëtar si mjet kërcënimi

Flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ideja e një referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në rast se Kosova mbetet e izoluar nga Bashkimi Evropian, është ide origjinale e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë nënkryetari i këtij subjekti politik, Ahmet Isufi.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci thotë se e drejta e popullit për vetëvendosje, si dhe aspirata për bashkim kombëtar, është një e drejtë e synuar prej shumë gjeneratave dhe askush prej subjekteve politike nuk mund të thotë se ka pronësi mbi këtë ide.

Megjithatë, ajo nuk mohon se ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e njohur si ideja e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, për vite të tëra ka qenë pjesë e fjalorit politik të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ideja për bashkimin e mundshëm të Kosovës me Shqipërinë, apo siç njihet në opinion si ideja e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ka ekzistuar qysh moti, por në vitet e fundit, kjo ide jo rrallë është nxjerrë në sipërfaqe në kohë të fushatave zgjedhore, vlerëson Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e platformës CiviKos.

Isufi: Ideja për një union të përbashkët, krejtësisht origjinale

Së fundmi, ideja e një unioni Kosovë-Shqipëri është përmendur nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, para dhe gjatë fushatës zyrtare zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Haradinaj është shpallur nga subjekti i tij politik si kandidat pretendent për president të vendit.

Ai ka deklaruar se në rast se bëhet president i Kosovës dhe në qoftë se deri në vitin 2025 vendi “nuk i arrin rezultatet e drejta, që i takojnë t’i arrijë, në anëtarësimin, përveç BE-së, në NATO dhe OKB (Organizata e Kombeve të Bashkuara), atëherë unë do të votoj për bashkim me Shqipërinë”, ka theksuar Haradinaj.

SHIKONI EDHE: PE-ja do të kërkojë sërish nga pesë vendet e BE-së që ta njohin Kosovën

Pozicionimi i tillë i AAK-së, sipas nënkryetarit të saj, Ahmet Isufi, ka ndodhur për shkak se Bashkimi Evropian nuk po vepron në mënyrë që Kosova të ketë liberalizim të vizave, për të cilat sipas tij, i ka përmbushur kushtet, si dhe për shkak se nuk po njihet nga pesë vende evropiane dhe nga Serbia.

“Vetë shprehja për një union të përbashkët është krejtësisht origjinale, është normale dhe është edhe përvojë e disa vendeve në botë, që kanë ndodhur. Prandaj, për të pasur integrim më të shpejtë Kosova, si shtet, në mekanizma ndërkombëtarë, atëherë unioni do të mundësonte një qasje të tillë dhe një angazhim të drejtpërdrejtë, sepse Kosova nuk mund të mbetet edhe për 20 vjet e izoluar, kështu siç ka mbetur”, tha Isufi për Radion Evropa e Lirë.

Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje, gjatë fushatës zgjedhore më tepër është përqëndruar në problemet e brendshme të vendit, ajo nuk ka hequr dorë nga ideja e bashkimit kombëtar, e cila për vite të tëra ka qenë pjesë e fjalorit politik të Lëvizjes Vetëvendosje.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, thotë për Radion Evropa e Lirë që synimi që kjo ide të realizohet ka qenë dhe mbetet qëndrim i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne duhet të shtojmë përpjekjet tona, si qeverisje, në Shqipëri dhe në Kosovë, për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në të gjithë sektorët. Pra, jo vetëm me tryeza e me takime një herë në vit, por me projekte dhe aktivitete konkrete. Bashkëpunimi i jonë në këto sfera, pastaj natyrshëm do të sillte mundësinë qoftë të bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por edhe në të drejtën për të shprehur me referendum vullnetin e shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë”, theksoi Nagavci.

Mobilizim i elektoratit nacionalist?

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e platformës CiviKos, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ka shrehur mendimin se ideja për një union mes Kosovës dhe Shqipërisë, për të cilën ka folur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj është kauzë thuajse e njëjtë me atë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Siç thotë ajo, pikërisht Lëvizja Vetëvedosje e ka ndërtuar identitetin e saj politik, si parti politike, mbi kauzën e bashkimit kombëtar.

Me këtë kauzë, sipas saj, në disa raste janë shërbyer edhe politkanët dhe ish-drejtuesit e institucioneve të larta, ndërkohë që kjo ide po përdoret tash së fundmi si kauzë në fushatën elektorale edhe nga AAK-ja.

Këtë veprim të AAK-së, Emini e sheh si vardisje ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, "e cila aktualisht po konsiderohet si favorite" për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Deklaratat e Haradinajt japin atë indikacion, që përveç vullnetit politik për bashkëpunim, duke u ofruar si president, e ka edhe një komunikim ndoshta më të shpeshtë me Vetëvendosjen sesa me partitë tjera politike, me të cilat, në mënyrë të qartë janë më të polarizuara. Po duket që e gjithë kjo është duke u bërë me kalkulim elektoral. Haradinaj e di shumë mirë se nuk i ka punët mirë, siç po del nga sondazhet. Dëshiron të rrisë numrin e votave të tij, përtej klientelizmit që e ka krijuar. Tash e ka në plan që të mobilizojë elektoratin nacionalist”, tha Emini.

Siç theksoi ajo, në njëfarë formë, AAK-ja e ka "huazuar" kauzën nga Lëvizjes Vetëvendosje, në mënyrë që jo vetëm të mobilizojë votuesit potencialë nacionalistë, por edhe të jetë më e përafërt me të, për kombinimet e mundshme paszgjedhore në skenën politike.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Nagavci: Ideja e bashkimit kombëtar nuk është pronë e subjekteve politike

Nënkyetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë që qëllimi i subjektit të tij, lidhur me idenë e bashkimit kombëtar, dallon nga qasja, që sipas tij, ka pasur Lëvizja Vetëvendosje.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur si orientim dhe si qëllim për të arritur në pushtet. Ne nuk e kemi një synim të tillë. Ne e kemi që në mënyrë pragmatike të ndodhë kjo, sepse vendimet që i kemi marrë dhe veprimet që i kemi bërë kanë qenë praktike. Prandaj, ne duam ta kthejmë praktikisht këtë veprim dhe jo ta kemi vetëm si parullë”, theksoi Isufi.

Por, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, shpreh mendimin që çështja e bashkimit kombëtar, si ide, nuk është pronë e subjekteve politike, por synimi i realizimit të kësaj ideje është e drejtë që nuk mund t’i mohohet askujt.

“Konsideroj që është synim mbarë kombëtarë. Në raport me (Ramush) Haradinajn, mendoj që me qeverisjen që e kanë pasur deri më tani, me ngecjet e shumta të bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve këndej dhe andej Drinit, faktikisht e kanë treguar se nuk e kanë pasur një synim të tillë. Janë bërë hapa shumë të vegjël dhe ka shumë për të dëshiruar edhe në bashkëpunimin në sektorët që do të mund të ishte bashkëpunuar, qoftë në arsim, në kulturë, në fushën e ekonomisë dhe kështu me radhë”, theksoi Nagavci.

Emini: Bashkimi kombëtar, si shantazh për komunitetin ndërkombëtar

Por, sipas drejtoreshës së platformës CiviKos, Donika Emini, ideja për një bashkim të Kosovës me Shqipërinë, aktualisht përveç që tingëllon si shantazh ndaj bashkësisë ndërkombëtare nga ana e politikanëve kosovarë, të cilët herë pas here i rreken kësaj teme, nuk ka parakushte për qasje serioze.

Sipas saj, gjatë kohës kur u prinin qeverive në Kosovë, as Haradinaj e as Albin Kurti, nuk i kanë ngritur raportet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në nivel të admirueshëm. Përkundrazi, sipas saj, janë shënuar mjaft mospajtime.

Për më shumë, siç thotë ajo, deklaratat e Haradinajt, aktualisht lidhur me çështjen e unionit Kosovë-Shqipëri, janë të dëmshme për vendin, për shkak se përmes atyre deklaratave, me dashje apo pa dashje, tregohet mosbesim që shteti i Kosovës është projekti suksesshëm.

“Bashkimi me Shqipërinë gjithmonë ka qenë mënyra për të frikësuar komunitetin ndërkombëtar se ndryshimi i kufijve në Ballkan ka për të sjellë probleme. E para, tregon që nuk beson në një projekt, në të cilin kemi investuar për dekada të tëra. E dyta, e polarizon komunitetin ndërkombëtar, i cili për momentin, po duket se ka një qasje goxha të mirë ndaj dialogut me Serbinë dhe ka vullnet politik që ta konkludojë me një marrëveshje, e cila do të lehtësohet nga SHBA-a dhe BE-ja”, theksoi Emini.

Çështja e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, është përmendur edhe më parë nga ish-drejtues institucionalë të Kosovës.

SHIKONI EDHE: Thaçi sërish thekson bashkimin me Shqipërinë

Në maj të vititi 2019, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pati deklaruar që janë duke u krijuar rrethana të reja “që zgjidhja më e mirë do të ishte që dy parlamentet, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, të nxirrnin deklaratat e nevojshme, të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët, pa kufij”.

Deklarata të tilla të ish-presidentit Thaçi ka pasur edhe në pranverën e vitit 2017, e të cilat ishin mbështetur edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit, në atë kohë, kishte thënë që “bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE, venitet”.

Kurdo që nga liderët politikë dhe institucionalë të Kosovës është folur publikisht për idenë e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, reagimet nga Beogradi zyrtar kanë qenë të ashpra me akuzën se po synohet krijimi i “Shqipërisë së Madhe”.

Deklaratat e tilla kishin nxitur reagimet kundërshtuese edhe të zyrtarëve të BE-së dhe të SHBA-së.