Qeveria e Kosovës është duke pritur që draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që dorëzohet në Bruksel nga e ekipi menaxhues, të jetë i bazuar në Kushtetutën e Kosovës. Zyrtarët thonë se deri me tash nuk kanë pranuar ndonjë dokument final për statutin.
Data 4 gusht ishte afati i fundit kur ekipi menaxhues i formuar për këtë çështje është dashur ta dërgojë në Bruksel draftin e parë të statutit të Asociacionit.
"Pritjet tonë janë që ky draft të jetë i bazuar apo në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo është pritja jonë, dhe që ky proces që në fakt është një obligim i një marrëveshjeje ndërkombëtare që ka Kosova, të përfundojë sa me shpjet", tha për Radion Evropa e Lirë Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovë.
Nga ana tjetër, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se Statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, do të dorëzohet direkt në Bruksel nga ekipi për hartimin e draft-statutit.
Në një përgjigje me shkrim nga Ministria thuhet se "raporti nga mbledhja e fundit e mbajtur nga ekipi menaxhues të hënën dorëzohet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal [MAPL] dhe menjëherë posa të përkthehet do të dërgohet në kabinetin e kryeministrit".
Në përgjigjen nga Ministria, theksohet po ashtu se herën e kaluar Zyra e Kryeministrit e ka kthyer raportin prapa për arsye se ka qenë vetëm në gjuhën serbe.
Zyrtarët në ministri thotë se sapo të përkthehet do të procedohet në instancat përkatëse.
Zëdhënësja Gashi tha po ashtu se Qeveria e Kosovës ende nuk ka pranuara ndonjë dokument të ri nga grupi menaxhues për hartimin e statutit.
"Qeveria e Kosovës para disa javësh ka pranuar një proces verbal nga një takim i ekipit menaxhues, por ky nuk është dokument final që mund të quhet si draft-statut. Ne nuk kemi pranuar deri tash një dokument të tillë dhe kur do që ndodh kjo, sigurisht që do të njoftojmë edhe opinionin. Pra deri më tash nuk kemi marr asnjë dokument që mund të quhet si draft-statut për Asociacionin", tha Gashi.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se "ekipi menaxhues ka pasur katër muaj kohë për draftimin e statutit të Asociacionit".
Sipas BE-së, në kohën kur ky ekip e informon Brukselin për rezultatet e punës së tyre, atëherë kjo do të diskutohet në takimet e nivelit të lartë në BE nga presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri tha për Radion Evropa e Lirë se është pak e pritshme që një ekip i përbërë vetëm nga serbët të punojë për statutin e Asociacionit, në kuadër të kompetencave kushtetuese të Kosovës. Sipas tij, në këtë rast nga ai grup mund të pritet shfaqje e patriotizmit serb në atë dokument.
"E mira e kësaj pune është se çdo dokument do t'i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, ky grup dhe grupet e tjera mund të shkruajnë çka do që duan, por në fund do të varet nga vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese. Pra, vetëm mund të ketë humbje kohe nëse eventualisht dëshirojnë të kenë kompetenca ekzekutive sepse një gjë e tillë do të pamundësohet nga vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese", tha Muhaxhiri.
Themelimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është produkt i marrëveshjeve të Brukselit, të arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Qeveria në Prishtinë e sheh këtë organ si një Asociacion me kompetenca joekzekutive. Përderisa Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, pretendojnë se Asociacioni, apo siç e quajnë, Bashkësia e komunave serbe, të ketë edhe kompetenca ekzekutive.