I nxehti në Kosovë: Punëtorët në kulme e në skele

Për shkak të rrezikut nga temperaturat e larta, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, nëpërmjet një vendimi ndaloi punën në sektorin e ndërtimtarisë nga ora 11:00 deri 17:00.
 

Disa punëtorë të një kompanie duke punuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve në Prishtinë.
 
Temperatura ka arritur deri në 39 gradë celsius ditëve të fundit në Kosovë.

Por, vendimi i MSH-së nuk është duke u respektuar nga shumë kompani. 
 

Radio Evropa e Lirë gjatë javës ka fotografuar punëtorë në vendpunishte të ndryshme duke punuar në pikë të zhegut.

Fotografitë janë shkrepur nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës.

Vendimi i MSH-së, që është ende në fuqi, thotë se “nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orareve 11:00 – 17:00 në të gjithë territorin e Kosovës”.

Ministria e Shëndetësisë thotë se është vërejtur përmirësim në respektimin e vendimit.

Në një vendpunishte është vendosur një afishe me mbishkrimin "Nuk punohet".

“Ditën e parë pas marrjes së vendimit janë shqiptuar mbi 25 gjoba, por është vërejtur përmirësim i dukshëm në respektimin e tij gjatë ditëve në vijim, pasi të gjitha kategoritë janë më të informuara rreth vendimit”, tha MSH-ja në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
 

Sipas parashikimit të motit, Kosova do të vazhdojë të përballet me temperatura të larta edhe në ditët në vijim.

Vendimi i MSH-së liron nga puna gratë shtatzëna deri më 20 korrik, si dhe redukton punën për personat me sëmundje kronike në 4 orë në ditë.

Një punëtor ndërtimi shihet duke punuar në skele gjatë mesditës me gjithë vendimin e MSH-së që e ndalon punën në ndërtimtari në ambient të hapur nga ora 11 deri  në 17.