Hungaria pritet ta ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO të hënën

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Partia në pushtet e Hungarisë, Fidesz, ka propozuar të martën që Parlamenti hungarez duhet të votojë më 26 shkurt për ratifikimin e kërkesës së Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.

Ajo tha se do të votojë për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake.

“Grupi ynë ka dëshirë ta mbështesë” anëtarësimin e Suedisë në NATO, tha partia Fidesz në një dokument, përmes të cilit i kërkoi kryetarit të Parlamentit ta përfshijë në agjendën e së hënës së ardhshme edhe hedhjen në votim të kërkesës së Suedisë.

Fidesz gëzon një shumicë të madhe në Parlament.

SHIKONI EDHE: Parlamenti turk miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO

Suedia aplikoi për t’u anëtarësuar në NATO para gati dy vjetëve, duke bërë një ndryshim historik në politikën e saj, i cili u nxit nga pushtimi i Ukrainës prej Rusisë.

Pas vonesave të gjata, Hungaria do të jetë anëtarja e fundit e NATO-s që e miraton kërkesën e vendit nordik për t’u bërë anëtarja e 32-të e aleancës ushtarake.

Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson, e mirëpriti planin e Hungarisë për ta ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në NATO.

SHIKONI EDHE: Orbani fton kryeministrin suedez për të diskutuar anëtarësimin në NATO

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, kishte lënë të kuptohej të shtunën se Parlamenti mund ta ratifikojë shumë shpejt kërkesën e Suedisë sapo të mblidhet për sesionin e ri pranveror.

“Është lajm i mirë që mosmarrëveshja jonë me Suedinë do të zgjidhet shumë shpejt”, tha Orban të shtunën, pa dhënë hollësi.

Hungaria ishte vendi i vetëm nga 31 vendet anëtare të NATO-s që nuk e kishte ratifikuar kërkesën e Suedisë. Turqia e bëri këtë në fund të janarit, pas shumë vonesave.