Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i ka dërguar letër homologut të tij suedez, Ulf Kristersson, me ftesë për të diskutuar anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Ai e ka bërë të ditur vendimin përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Hungaria dhe Turqia janë vendet e vetme anëtare të aleancës 31-kombëshe, që ende nuk e kanë miratuar kërkesën e Suedisë për anëtarësim.
Mesazhi i Orbanit ka ardhur në ditën e njëjtë kur Parlamenti turk pritet të votojë për anëtarësimin e Suedisë.
Në Parlamentin e Hungarisë, votimi është vetëm formalitet, pasi komitetet revelante e kanë dhënë dritën e gjelbër.
Mirëpo, votimi final është shtyrë vazhdimisht me nxitje të Orhanit, i cili është zemëruar me kritikat e Stokholmit për nivelin e sundimit të ligjit në Hungari.
Orbani ka thënë se Hungaria dhe Turqia nuk janë duke punuar bashkë për të bllokuar anëtarësimin e Suedisë, por që secila qeveria i ka shqetësimet e veta.
Suedia dhe Finlanda kanë hequr dorë prej disa dekadave neutralitet, dhe kanë vendosur t'i bashkohen NATO-s, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
Finlanda tashmë është pranuar në aleancë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.