HRW për 2023-tën e Kosovës: Dhunë, gjykime, shkelje e të drejtave të njeriut

Serbë lokalë të Kosovës u përleshën me ushtarët e KFOR-it në hyrje të objektit të komunës së Zveçanit, Kosovë, 29 maj 2023.

Viti 2023 në Kosovë, sipas organizatës ndërkombëtare humanitare Human Rights Watch (HRW), u karakterizua, ndër tjerash, me eskalimin e dhunës në veri të Kosovës, sulmet ndaj gazetarëve dhe procesin e gjykimit për ish-krerët e UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.

SHIKONI EDHE: Çfarë ndodhi në tri ditët e gjyqit në Hagë?

Raporti vjetor i HRW-së, i publikuar më 11 janar, përmbledh ngjarjet kryesore të një viti në mbi 100 vende të botës. Për evidentimin e këtyre ngjarjeve, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, kjo organizatë bashkëpunon me organizata lokale.

Një vit më parë, fokusi kishte qenë në “progresin e ngadaltë për llogaridhënie për abuzimet gjatë kohës së luftës” në Kosovë. Këtë vit, përveç gjykimeve në Dhomat e Specializuara në Hagë, evidentohen tri aktakuza të ngritura për krime lufte, si dhe rigjykimi i një rasti të mëparshëm.

Kapitulli për Kosovën, në raportin e sivjetmë, nis me fjalinë “llogaridhënia për krime serioze dhe liri të mediave vazhdojnë të mbesin shqetësime urgjente”, ndërsa vazhdohet me përshkrimin e tensioneve në veri të Kosovës.

Tensionet në veri – veçanërisht gjatë protestave kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në zonat e banuara me shumicë serbe – u shoqëruan me numër më të madh të rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve.

“Gazetarët vazhduan t’u nënshtrohen sulmeve fizike, kërcënimeve dhe pengimit në punën e tyre”, thuhet në raport, ku evidentohen gjithsej 60 incidente, përfshirë 16 sulme dhe 22 kërcënime.

SHIKONI EDHE: Sulmuesit e gazetarëve në veri s’u përballën me drejtësinë

Në këtë raport – ku për secilin nga 100 vendet evidentohen raste të shkeljes të së drejtave të njeriut – thuhet se në Kosovë vazhdojnë ende diskriminimi dhe kërcënimet ndaj personave të komunitetit LGBTI+ (lesbikë, gei, biseksual, transgjinor dhe ndërgjinor).

“Sipas organizatës lokale CEL, shumë persona të komunitetit LGBT u përballën me kërcënime, intimidim dhe dhunë nga familjarët e tyre më 2023, me përgjigje të dobëta nga autoritetet shtetërore kur raportonin ndonjë abuzim”, thuhet në raport.

Në Kosovë, njëjtë si në vitin paraprak, sërish raportohet se të mbijetuarit e dhunës në familje përballen me pengesa dhe mungesë mbështetjeje kur largohen nga abuzuesit e tyre.

SHIKONI EDHE: “Asnjë minutë më” - Jeta e të mbijetuarve pas raportimit të dhunës në familje

Ndërkaq, për dallim nga viti i kaluar, në raportin e sivjetmë nuk u përfshinë rastet e vrasjes së grave nga partnerë apo familjarë të tyre e as rastet e dhunës seksuale.

Vitin e kaluar u raportuan katër raste të vrasjes së grave, duke e rritur në 55 numrin e përgjithshëm të grave të vrara që nga viti 2010. Në shumicën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë familjarët dhe partnerët e tyre.

Në raport përfshihen shkeljet e të drejtave të njeriut në mbi 100 vende të botës, ndërkohë evidentohen edhe progreset e bëra për luftimin e diskriminimit në vendet e analizuara.

Nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kroacia nuk janë të përfshira në raport.

Në Serbi u theksuan kërcënimet dhe intimidimet ndaj gazetarëve të pavarur, vonesat dhe mungesa e efikasitetit në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, si dhe sulmet ndaj personave të komunitetit LGBTI+.

Ndërsa, për Bosnjë e Hercegovinën theksohet “mungesa e progresit në adresimin e sistemin diskriminues elektoral të vendit” dhe ligji i ri në entitetin e Republikës Sërpska për kriminalizimin e shpifjeve dhe kufizimin e financimit të huaj për shoqatat civile.

Në raportin që përmbledh ndodhitë e 2023-tës pikasin problemet e shkaktuara nga nisja e luftës së Izraelit me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, luftës në Sudan si dhe konflikteve të vazhduara nga vitet paraprake në Ukrainë, Mianmar, Etiopi dhe në rajonin Sahel.

Një tjetër problem që karakterizon raportin e sivjetme të HRW është çështja e ndryshimeve klimatike, për shkak të zjarreve masive, thatësirave dhe stuhive që shkaktuan probleme në të gjithë botën, e veçanërisht për miliona njerëz në Bangladesh, Libi dhe Kanadë.

Moti ekstrem më 2023

“Pabarazia ekonomike u shtua nëpër botë, njëjtë si zemërimi për politikat që lanë shumë njerëz në luftë për mbijetesë”, thuhet në raport, ku përmenden edhe shkeljet e të drejtave të grave dhe personave LGBTI+ nga regjimi taleban në Afganistan.

Pavarësisht të gjitha shkeljeve dhe problematikave të identifikuara gjatë vitit 2023, në raportin e HRW thuhet se janë vërejtur edhe “shenja shprese që tregojnë mundësinë e një tjetër rruge”. Megjithatë, bëhet thirrje qe qeveritë kombëtare të marrin masa për ta përmirësuar situatën.

“Mbrojtja e të drejtave të njeriut në mënyrë të vazhdueshme – në të gjitha kategoritë, pa marrë parasysh se kush janë viktimat apo ku janë shkelur të drejtat – është e vetmja mënyrë për ta ndërtuar botën në të cilën duam të jetojmë”, thuhet në raportin e HRW.

Përgatiti: Doruntina Baftiu