Ndërlidhjet

Çfarë ndodhi në tri ditët e gjyqit në Hagë?


Ish-krerët e UÇK-së duke marrë pjesë në gjyqin ndaj tyre në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ish-krerët e UÇK-së duke marrë pjesë në gjyqin ndaj tyre në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës, gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nisi më 3 prill. Për tri ditë palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Të katër ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë, që nga nëntori i vitit 2020. Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish u deklaruan të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës.

Dita e prokurorëve dhe mbrojtësit të viktimave

Prokurorët e specializuar ishin të parët që nisën deklaratat e tyre hyrëse për rastin e ngritur ndaj ish-eprorëve të UÇK-së.

Ata thanë se gjatë këtij gjykimi do të ofrojnë dëshmi se të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që ka shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së.

Sipas prokurorisë, kjo “ndërmarrje e përbashkët kriminale” kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”.

Prokuroria argumentoi se qëllimi i përbashkët i kryerjes së krimeve nga të pandehurit ishte që ata të “fitonin pushtet në luftë, në Kosovë dhe ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.

Gjatë seancës gjyqësore, prokurorët paraqitën një sërë intervistash, komunikatash e dokumentarësh, por edhe dokumente të tjera, që, sipas tyre, do të dëshmojnë për fajësinë e të akuzuarve.

Prokuroria tha se të akuzuarit janë “personalisht përgjegjës” për krimet që iu ngarkohen, duke argumentuar se UÇK-ja kishte një strukturë të organizuar dhe në krye të kësaj strukture ishte Shtabi i Përgjithshëm, që sipas organit të akuzës, u themelua nga të akuzuarit.

Prokuroria tha se ish-krerët e UÇK-së ishin anëtarë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm, ku mbanin poste të larta drejtuese.

“Ata, të katër, pa asnjë dyshim ishin udhëheqësit parësorë të UÇK-së dhe për këtë janë vlerësuar dhe nderohen. Por, kishte edhe një anë tjetër më të errët të udhëheqjes së tyre dhe ky është objekt i gjykimit që po fillon sot”, tha prokurori i specializuar, Alex Whiting.

Ai tha se provat e organit të akuzës do të tregojnë se të akuzuarit “mbështetën dhe zbatuan një politikë, e cila vinte në shënjestër ata persona, që konsideroheshin prej tyre si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionistë - shpesh mbështetur në asgjë pos lidhjeve me institucionet serbe - si dhe personat e perceptuar jombështetës të qëllimeve apo mjeteve të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së përkohshme të Kosovës”.

Sipas prokurorisë, kundërshtarë konsideroheshin dhe personat e lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ata me përkatësi etnike serbe apo rome.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se në kohën që e mbulon aktakuza, në Kosovë dhe veri të Shqipërisë ka pasur mbi 40 qendra të ndalimit, ku në mënyrë të jashtëligjshme ishin ndaluar më shumë se 400 persona. Të paktën 102 ishin vrarë dhe mbi 20 të tjerë konsiderohen të zhdukur.

Prokuroria e Specializuar ka thënë se shumica e viktimave ishin shqiptarë.

Më 3 prill, deklaratën hyrëse e bëri edhe mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

Ai tha se të 140 viktimat – shqiptarë, serbë romë, myslimanë, katolikë dhe ortodoksë – kanë një të përbashkët.

“Ata kanë një gjë të përbashkët. Ata ishin viktima të krimeve që nuk kishin pikë justifikimi. Për secilin prej tyre, një ditë ndryshoi jetët e tyre përgjithmonë”, tha ai.

Laws tha se viktimat kanë të drejtë që të zbulohet e vërteta, “të dëgjohen dëshmi dhe të pranohen vuajtjet që kanë kaluar dhe përvojat që kanë kaluar”.

Dy ditë për ekipet mbrojtëse

Më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Thaçit, Veselit dhe Selimit mbajtën deklaratat e tyre hyrëse për rastin gjyqësor.

Avokatët hodhën poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, tha se klienti i tij gjatë kohës së aktakuzës kishte qenë drejtor politik i UÇK-së dhe më pas kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, por nuk kishte pasur përgjegjësi e as nuk e kishte kontrolluar UÇK-në.

“Hashim Thaçi nuk kontrollonte UÇK-në, e kontrollonin komandantët e zonave”, deklaroi ai.

Mbrojtësi i Veselit, Ben Emmerson, tha se prokuroria nuk ka asnjë provë dhe asnjë dëshmitar që e lidh klientin e tij me ndonjë pikë të akuzës.

“Nuk ka asnjë provë që ai të ketë autorizuar apo të ketë nxitur ndonjëherë ndonjë krim apo ndonjë politikë kriminale”, tha ai.

Ngjashëm u shpreh edhe avokati i Selimit, duke theksuar se gjatë gjykimit do të dëshmohet se Selimi nuk ka qenë pjesë “e ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, siç pretendon prokuroria.

“Në aktakuzë nuk ka aludime që Selimi ka urdhëruar ndonjë krim. Provat nuk dëshmojnë se Selimi ka kontribuar në emër të një plani të përbashkët kriminal”, tha ai.

Të tre avokatët argumentuan se UÇK-ja ishte një forcë guerile, pa strukturë të mirëfilltë udhëheqëse. Ata, po ashtu, thanë se të akuzuarit nuk kanë udhëhequr ndonjë fushatë përndjekjeje ndaj LDK-së, e as ndaj kundërshtarëve të tjerë të perceptuar të UÇK-së, siç pretendon ZPS-ja.

Më 5 prill, avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra, tha se klienti i saj ishte zëdhënës i UÇK-së dhe për një kohë edhe zëvendëskomandant për mbështetje në UÇK, por nuk kishte asnjë përgjegjësi operacionale.

“Ne jemi besimplotë që në fund të çështjes së prokurorisë ne do të kemi mundësi që të bëjmë të njëjtin parashtrim të fortë siç po bëjmë deri më tani, që nuk ka asnjë provë të besueshme që e lidhë Jakup Krasniqin me, me asnjë krim, që nuk ka prova të besueshme për qëllimin kriminal të përbashkët”, tha ajo.

Deklarimet e të akuzuarve

Përveç Veselit, tre të akuzuarit e tjerë zgjodhën që të bënin deklarata para trupit gjykues.

Ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, shprehu keqardhje për të gjitha viktimat, por po ashtu tha se i vjen mirë që ai dhe UÇK-ja janë shfajësuar nga akuzat për trafikim organesh.

Akuzat për trafikim organesh ishin bërë nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, që u konkretizua në një raport të Këshillit të Evropës më 2011. Pikërisht ky raport ishte pikënisja e thirrjeve për themelimin e Dhomave të Specializuara, institucion që deputetët e Kuvendit të Kosovës e themeluan më 2015.

"Bota tani e di, sot, si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ia ka vlejtur", tha Thaçi.

*Video: Deklarimi i Thaçit gjatë gjykimit në Hagë

Thaçi: Jam i pafajshëm, ndiej keqardhje për të gjitha viktimat
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:11 0:00

Ish-eprori i UÇK-së, Rexhep Selimi, tha se beson në pafajësinë e tij.

“Pas themelimit të kësaj gjykate, jo rrallë herë jam pyetur se a kisha frikë nga drejtësia. Gjithmonë kam thënë dhe sot e përsëris: unë nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Por, pavarësisht kësaj unë qëndroj sot përballë jush me besimin e plotë se në fund të këtij procesi ju do të vendosni në favor të pafajësisë time”, theksoi ai.

*Video: Deklarimi i Selimit gjatë gjykimit në Hagë

Selimi: Uroj të vendosni në favor të pafajësisë sime
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:32 0:00

Ndërkaq, Jakup Krasniqi, gjatë fjalimit të tij para trupit gjykues tha se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në ndonjë krim.

“Unë kurrë nuk kam qenë në shërbim të ndonjë politike të krimit. Në jetën time asnjëherë nuk kam kryer ndonjë vepër kriminale, as para luftës, gjatë luftës e as pas luftës. Gjithmonë kam vepruar ndershmërisht për liri dhe bashkim kombëtar, që kanë qenë qëllimet e mia jetësore”, tha ai, duke shtuar se është “absurde” që akuzohet për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, duke theksuar se vetë kishte qenë pjesë e kësaj organizate politike.

*Video: Deklarimi i Krasniqit gjatë gjykimit në Hagë

Krasniqi: Është absurde të akuzohem për persekutim
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:20 0:00

Pas përfundimit të deklaratave hyrëse, gjykimi do të vazhdojë më 11 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të nisë paraqitjen e provave kundër të akuzuarve.

ZPS-ja ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG