Kur Armita Garavand dhe dy shoqet e saj tentuan të futeshin në një stacion metroje në Teheran, ato u ndaluan nga oficerët e policisë për shkak se nuk e kishin veshur hixhabin, bartja e të cilit është detyrim në Iran.
Oficerët e rrahën Armitën, 16-vjeçe, së cilës i ra të fikët më vonë pasi kishte hyrë në një tren.
Armita Garavand u dërgua në spitalin e Forcave Ajrore, Fajr, në periferi të Teheranit, ku ka rënë në koma që nga 1 tetori, sipas grupeve për të drejtat e njeriut dhe gazetarëve të cilët pretendojnë se Garavand është viktima më e fundit e ligjit brutal detyrues të Iranit për bartjen e shamisë së kokës.
Rasti i Garavandit dhe sugjerimet se autoritetet po mundohen ta fshehin atë, kanë bërë që të bëhen krahasime me ngjarjet para vdekjes në paraburgim të Mahsa Aminit vitin e kaluar. Vdekja e Aminit pas një kohe të shkurtër pasi ishte arrestuar për gjoja shkeljen e ligjit të hixhabit, nxiti protesta disa mujore kundër Qeverisë iraniane.
Një burim nga spitali Forcave Ajrore, Fajr, i cili foli në kushte anonime për Radion Evropa e Lirë, tha se Garavand kishte pësuar gjakderdhje në tru dhe se është në gjendje të rëndë.
SHIKONI EDHE: Aktivistja e burgosur iraniane thotë se vdekja e Aminit simbolizon dobësinë e regjimitGaravand po ruhet në spital, sipas burimit, i cili tha se policë civilë nuk po i lejojnë vizitorët të futen në repartin e kujdesit intensiv, në të cilin është duke u mjekuar adoleshentja.
Autoritetet nuk kanë komentuar rreth gjendjes së Garavandit e as nuk kanë treguar se ku po mjekohet ajo.
“Sulm i rëndë fizik”
Agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit, IRNA, pretendon se Garavandi e kishte humbur vetëdijen pasi i kishte rënë shtypja e gjakut dhe si pasojë e kishte përplasur kokën në skajin e vagonit të metrosë.
Pamjet e publikuara nga IRNA prej kamerave të sigurisë, të cilat duket se janë ndrequr, e shfaqin një grup vajzash pa hixhab, apo shaminë e kokës, duke u futur në vagon. Pothuajse menjëherë, njëra nga vajzat zmbrapset dhe del jashtë vagonit. Ajo e tërheq jashtë vagonit një vajzë tjetër, e cila duket të jetë pandjenja.
Masood Dorosti, kryetar i Kompanisë së Metrosë në Teheran, tha për IRNA-n se nuk ka pasur “konflikt verbal apo fizik” mes udhëtarëve të reja dhe punonjësve të kompanisë.
Hyrja e stacioneve të metrosë në Teheran shpesh ruhet nga zyrtarë policorë, apo punonjës të kompanisë, të cilët ua ndalojnë hyrjen grave që nuk i përmbahen kodit të veshjes islamike.
Prindërit e Garavandit thanë për agjencinë e lajmeve të vijës së ashpër të Iranit, Fars, më 3 tetor se ajo nuk ishte sulmuar nga policia në metro.
“Ne i kemi kontrolluar të gjitha videot dhe është dëshmuar se ky incident ishte aksident”, u citua të ketë thënë babai i saj, emri i të cilit s’u bë publik.
Në të kaluarën, autoritetet iraniane janë akuzuar se i detyrojnë familjet të japin deklarata sipas kërkesave të zyrtarëve qeveritarë.
SHIKONI EDHE: Në përvjetorin e vdekjes së Aminit, Irani arreston babanë e sajHengaw, një grup me bazë në Norvegji, i cili i vëzhgon shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran, e ka hedhur poshtë versionin zyrtar të ngjarjeve. Ky grup tha më 3 tetor se Garavandi ishte viktimë e “një sulmi të rëndë fizik” nga anëtarët e policisë famëkeqe të moralit dhe se ajo u sulmua për shkak se “nuk iu përmbajt ligjit për hixhabin”.
Hengaw e postoi një fotografi të Garavandit ku ajo shihet e shtrirë pa vetëdije në shtratin e spitalit.
Më 4 tetor, ky grup tha se “institucionet e sigurisë kanë kontroll ekstrem mbi familjen e saj për ta parandaluar publikimin e informatave”, dhe shtoi se “agjentët qeveritarë të sigurisë ua kanë konfiskuar telefonat mobilë të gjithë anëtarëve të familjes së saj”.
Garavand, e cila jeton me familje në Teheran, vjen nga qyteti Kohdasht në perëndim të provincës Lorestan, sipas informacioneve të siguruara nga Radio Evropa e Lirë.
Farzad Seifikaran, gazetar në Radion Zamaneh në gjuhen persiane me bazë në Holandë, ishte i pari që raportoi për këtë incident.
Pa e identifikuar Garavandin, Seifikaran tha në rrjetin social X më 1 tetor se një nxënëse e shkollës së mesme ishte shtrirë në spital pas një ballafaqimi me oficerët e policisë.
E përditshmja iraniane Shargh tha më 2 tetor se njëri nga gazetarët e saj ishte ndaluar përkohësisht nga policia, pasi kishte shkuar në spitalin ushtarak ku po mjekohet Garavandi.
“Fshehja e së vërtetës”
Përdoruesit e rrjeteve sociale në Iran kanë bërë krahasime me rastin e 22-vjeçares Amini, familja e së cilës nguli këmbë se ajo ishte rrahur nga policia e moralit derisa po dërgohej në një qendër paraburgimi në Teheran.
Zyrtarët kishin pretenduar se ajo kishte rënë në koma pas një mosmarrëveshjeje me rojet e burgut për shkak të një sëmundjeje nga e cila vuante më herët.
Gjatë qëndrimit të saj të shkurtër në Spitalin Kasra në veri të Teheranit, fotografitë e Aminit duke derdhur gjak nga njëri prej veshëve të saj hodhi dyshime shtesë për narrativen e zyrtarëve.
SHIKONI EDHE: Si u bë vdekja e Aminit thirrje për protestë për mijëra iranianëGazetarët Nilufar Hamedi dhe Elahe Mohammadi, të cilët e zbuluan rastin e Aminit, u arrestuan. Të dy janë mbajtur në qendrën e paraburgimit që nga shtatori dhe përballen me akuza se “kanë bashkëpunuar me Qeverinë armiqësore të Amerikës, për konspiracion për të kryer krime ndaj sigurisë kombëtare, si dhe për propagandë kundër Qeverisë”.
Milad Alavi, gazetar në Shargh, shkroi në X se refuzimi i autoriteteve për të publikuar pamje të Garavandit nga vagoni i metrosë po krijon mungesë besimi në publik.
Mohsen Borhani, avokat iranian, sugjeroi se autoritetet ua kanë ndaluar shumë mediave të raportojnë për këtë incident.
“Të raportosh për incidente të tilla nuk është krim”, tha ai.
Ish-princi i kurorës i Iranit, Reza Pahlavi, lider opozitar në mërgim, i akuzoi autoritetet se po e fshehin të vërtetën.
Ai tha se autoriteteve nuk mund t’iu besohet pasi “po përhapin gënjeshtra dhe po e fshehin vrasjen e Mahsas”.
Pas vdekjes së Aminit, regjimi iranian i ka rritur përpjekjet për zbatimin e detyrueshëm të ligjit të hixhabit, përfshirë duke e kaluar një ligj të ri i cili i dënon gratë të cilat nuk i nënshtrohen ligjit për shaminë islamike të kokës me burgim deri në një dekadë.
Përgatiti: Ekrem Idrizi