Me nderime të larta shtetërore, është varrosur të martën ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Ceremonia e varrimit është mbajtur në fshatin e tij të lindjes, në Shipol të Mitrovicës. Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë zyrtarët më të lartë të vendit, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të shumtë.
Trupi i pajetë i ish-kryeministrit Rexhepi, i cili është ndarë nga jeta ditën e hënë, është sjellë të martën nga Turqia, ku po trajtohej nga goditja në tru.
Nga ora 10, nën organizimin e Komisionit të veçantë shtetëror, në hollin e Kuvendit të Kosovës janë mbajtur homazhe për ish-kryeministrin Rexhepi.
Nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës në largim, Isa Mustafa, është mbajtur mbledhje komemoracioni për ish-kryeministrin Rexhepi, në të cilën ishin të pranishëm drejtuesit e institucioneve të larta të shtetit, përfaqësues të partive politike dhe familjarët e ish-kryeministrit Rexhepi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka vlerësuar lartë figurën e ish-kryeministrit Rexhepi, duke cilësuar atë si një humanist, atdhetar dhe burrështetas të shquar të vendit.
“Bajram Rexhepi kishte profil të lartë të politikanit me mbështetje të gjerë qytetare dhe me besim nga bashkësia ndërkombëtare. Me ndarjen e tij të hershme nga jeta, familja humbi njeriun e dashur, ndërsa institucionet e vendit burrështetasin e shquar. Ne, bashkëmendimtarët, kolegët dhe miqtë e tij, do ta ruajmë përjetë kujtimin për të. Mençuria, urtësia dhe largpamësia e tij, do të jenë udhërrëfyes në rrugën tonë për përparimin dhe forcimin e shtetit tonë. Lavdi jetës, veprës dhe emrit të doktor Bajram Rexhepit”, tha presidenti Thaçi.
Kryeministri i Kosovës në largim, Isa Mustafa, e ka vlerësuar Bajram Rexhepin si një personalitet që ka dhënë kontribut shumëdimensional për vendin, jo vetëm për shkak të pozitave të larta shtetërore, por edhe për shkak të aktivitetit të tij në shërbim të jetës dhe shëndetit të njerëzve, si dhe në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit të Kosovës.
“Ai do të mbetet në historinë më të re të Kosovës, si kryeministër i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në ndërtimin e shtetit tonë. Për ne që e njohëm dhe punuam me të, në kuadër të jetës institucionale dhe politike, Bajram Rexhepi do të mbetet në mend si një politikan që e mbante fjalën dhe të cilit mund t’i besohej. Njeri konstruktiv, i dijshëm, komunikues, bashkëpunues dhe korrekt. Bajrami la gjurmët e tij të pashlyeshme në institucionet më relevante të Kosovës, në kohë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme të shtet-ndërtimit tonë”, theksoi Mustafa.
Në emër të familjes, vajza e ish-kryeministrit Rexhepi, Vanesa Rexhepi, ka falënderuar institucionet e Kosovës, por edhe shtetin e Turqisë, për angazhimin e tyre për trajtimin e babait të saj gjatë kohës sa ishte i sëmurë.
“Në nderim të më të dashurit tim, babait tim, doktor Bajram Rexhepit, edhe pse e pikëlluar dhe e katandisur nga dhimbja për vdekjen e tij, do ta përballojmë pikëllimin me krenarinë që na e la në trashëgimi, me personalitetin e tij prej një punëtori, humanisti dhe trimi të madh. Virtytet e larta të babit tim, dashurinë, sinqeritetin, butësinë dhe këshillat e tij, do t’i ruajmë dhe t’i kultivojmë me përkushtim për breznitë e reja”.
Your browser doesn’t support HTML5
Homazhe për ish-kryeministrin Rexhepi janë mbajtur edhe në qytetin e Mitrovicës, nën organizimin e Kuvendi Komunal të Mitrovicës së jugut.
Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi u lind më 3 qershor të vitit 1954, në Mitrovicë. Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1979, ndërkaq në Zagreb përfundoi studimet pasuniversitare, në vitin 1985. Deri në vitin 1990, Rexhepi punoi në Spitalin rajonal të Mitrovicës, si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik.
Si mjek, ai i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999.
Pas luftës, Bajram Rexhepi ishte kryetari i parë i Komunës së Mitrovicës. Ai ishte, po ashtu, kryeministri i parë i Kosovës, që nga marsi i vitit 2002 e deri në dhjetor të vitit 2004.
Në vitin 2007, ai sërish nga qytetarët e Mitrovicës u zgjodh kryetar i Komunës së këtij qyteti.
Më pas, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në të cilin subjekt politik mbante postin e nënkryetarit, si dhe më pas, ka mbajtur postin e Ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës.
Në vitin 2016, Rexhepi kishte refuzuar postin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se nuk do të kthehet më në jetën politike, pasi kishte dhënë dorëheqje nga Partia Demokratike e Kosovës.
Rexhepi më pas i ishte kthyer profesionit të mjekut, por ishte përballur me sëmundjen e kancerit, të cilës i kishte mbijetuar. Por, në prill të këtij viti ai pësoi goditje në tru. Ai ishte trajtuar fillimisht në Prishtinë dhe më pas ishte transferuar në Turqi, për mjekim të mëtutjeshëm.
Më 21 gusht, Bajram Rexhepi është ndarë nga jeta.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur ditën e martë, ditë zie.
Bajram Rexhepi ka lënë pas gruan dhe vajzën e tij.