Grupi militant libanez, Hezbollah, ka hedhur “dhjetëra” raketa më 27 qershor drejt një baze ushtarake në veri të Izraelit, në kundërpërgjigje të një sulmi izraelit në Liban, që vrau një luftëtar të këtij grupi i cili mbështetet nga Irani.
Javëve të fundit është rritur frika për një luftë në shkallë të plotë mes Izraelit dhe Hezbollahut, teksa palët kanë intensifikuar kërcënimet.
Izraeli dhe Hezbollahu këmbejnë zjarr pothuajse në baza ditore në kufi që kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste – sulmoi Izraelin, gjë që nxiti luftën në Rripin e Gazës.
Hezbollahu, aleat i Hamasit, tha se “në përgjigje të sulmeve të armikut që sulmuan qytetin Nabatije dhe fshatin Sohmor”, luftëtarët e tij bombarduan “bazën kryesore ajrore dhe të mbrojtjes ajrore të komandës veriore... me dhjetëra raketa të llojit Katyusha”.
SHIKONI EDHE:
SHBA: Izraeli duhet të shmangë hapjen e një fronti të ri me HezbollahunIzraeli përgatitet për një luftë të re me HezbollahunHezbollahu pretendoi se ka kryer edhe dy sulme të tjera ndaj trupave izraelite dhe pozicioneve të tyre, përfshirë edhe një sulm me dron, ndërkaq agjencia shtetërore e lajmeve në Liban raportoi se Izraeli ka kryer sulme në disa zona në jug të Libanit.
Ushtria izraelite tha përmes një deklarate se “afërsisht 35 lëshime nga Libani janë identifikuar”.
Mbrojtja ajrore “me sukses ka penguar shumicën e tyre. Nuk raportohet për ndonjë lëndim”, tha Izraeli.
Ndërkaq, përmes një njoftimi të ndarë, ushtria izraelite tha se “dy dronë u identifikuan nga Libani” që ranë në veri të Izraelit.
Hezbollahu tha të enjten se një luftëtar nga Sohmor, teksa u raportua se sulmi u krye me dron “nga armiku”.
SHIKONI EDHE: Izraeli zotohet t'i përgjigjet me forcë sulmeve të HezbollahutUshtria izraelite tha se një operativ i Hezbollahut “u eliminua” gjatë një operacioni në rajonin e Sohmorit, teksa raportoi se ka kryer sulme edhe në jug të Libanit.
Përderisa po vazhdojnë këmbimet e zjarrit, është rritur frika se lufta në Gazë mund të përhapet në rajon, nëse konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut, që deri më tani ka qenë i përqendruar në zonën kufitare, përhapet.
Që kur ka nisur dhuna në kufi, në Liban janë vrarë 482 persona, shumica luftëtarë, por po ashtu edhe 94 civilë. Ndërkaq, në anën izraelite janë vrarë të paktën 15 ushtarë dhe 11 civilë.