Associated Press
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të dielën se faza e tanishme e luftimeve kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës është duke përfunduar dalëngadalë.
Kjo do t’ia mundësojë Izraelit të dërgojë më shumë trupa në kufirin e vet verior, për t’u përballur me grupin militant libanez, Hezbollah, sipas tij.
Komentet e tij rrezikojnë t’i rrisin edhe më shumë tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut në një kohë kur ato duket se po shkojnë çdo herë e më afër luftës. Netanyahu la të kuptohej gjithashtu se luftës së vazhdueshme në Gazë nuk po i shihet fundi.
Lideri izraelit tha në një intervistë të gjatë televizive se, derisa ushtria është afër ta kompletojë ofensivën e tanishme tokësore në qytetin jugor të Gazës, Rafah, kjo nuk nënkupton se lufta kundër Hamasit ka përfunduar.
Megjithatë, ai tha se do të nevojiteshin më pak trupa në Gazë, duke liruar ushtarë për t’u përballur me Hezbollahun.
“Ne do ta kemi mundësinë për transferimin e disa prej forcave tona në veri, dhe do ta bëjmë këtë”, tha Netanyahu për kanalin izraelit 14, një kanal televiziv pro Netanyahut, në një intervistë e cila u ndërpre rregullisht nga duartrokitjet e audiencës në studio.
“E para dhe më e rëndësishmja, për t’u mbrojtur”, por edhe për t’ua mundësuar dhjetëra mijëra izraelitëve të zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre.
Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, i nisi sulmet kundër Izraelit pothuajse menjëherë pasi Hamasi e kreu një sulm më 7 tetor në jug të Izraelit, i cili edhe e nxiti luftën në Gazë.
Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr gati çdo ditë prej atëherë, por luftimet janë përshkallëzuar në javët e fundit, duke nxitur frikën për një luftë të përgjithshme mes tyre.
Hezbollahu është shumë më i fortë se Hamasi, prandaj hapja e një fronti të ri do të rrezikonte ndezjen e një luftë më të madhe në tërë rajonin, që do të përfshinte grupe të tjera të mbështetura nga Irani dhe mbase edhe vetë Iranin. Një luftë e tillë do të mundë të shkaktonte dëme të mëdha dhe viktima të shumta në të dyja anët e kufirit.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Amos Hochstein, e vizitoi rajonin javën e kaluar, ku u takua me zyrtarë në Izrael dhe në Liban, në përpjekje për t’i ulur tensionet. Megjithatë, luftimet kanë vazhduar.
Netanyahu tha se shpreson se do të gjendet një zgjidhje diplomatike për këtë krizë, por u zotua se do ta zgjidhë problemin “në një mënyrë tjetër” nëse është e nevojshme.
“Ne mund të luftojmë në disa fonte dhe jemi të përgatitur për këtë”, tha ai.
Ai tha se marrëveshja nuk do të jetë vetëm “marrëveshje në letër”. Ai theksoi se marrëveshja do t’i kërkonte Hezbollahut të qëndrojë larg kufirit, një mekanizëm për zbatimin e saj dhe kthimin e izraelitëve në shtëpitë e tyre.
Dhjetëra mijëra njerëz u evakuuan pak pasi filluan luftimet dhe nuk kanë qenë në gjendje të kthehen në shtëpi.
Hezbollahu ka thënë se do ta vazhdojë betejën kundër Izraelit derisa të arrihet një marrëveshje armëpushimi në Gazë. Lideri i grupit, Hassan Nasrallah, e paralajmëroi Izraelin javën e kaluar kundër nisjes së luftës, duke thënë se Hezbollahu ka armë të reja dje aftësi inteligjente të cilat mund t’i ndihmojnë t’i godasë caqet më thellë brenda Izraelit.
Hezbollahu i ka shpalosur tashmë armët e reja gjatë luftimeve në shkallë të vogël, përfshirë dronë ndaj të cilëve është vështirë të mbrohesh pasi ata godasin pothuajse pa paralajmërim. Një ushtar izraelit u plagos rëndë të shtunën nga një sulm me dronë.
Por, edhe Izraeli thotë se Hezbollahu e ka parë vetëm një pjesë të vogël të armëve të tij dhe se Libani do të shndërrohet në Gazë, nëse ka luftë.
Ushtria izraelite tha javën e kaluar se e ka “miratuar” dhe e ka bërë të “vlefshëm” një plan të ri për një ofensivë në Liban.
Në intervistë, Netanyahu tha se ofensiva e Izraelit në Gazë po përfundon dalëngadalë. Ushtria izraelite është duke vepruar në qytetin jugor kufitar prej fillimit të majit. Ajo thotë se i ka shkaktuar dëme të mëdha Hamasit në Rafah, të cilin e ka cilësuar si bastionin e fundit të mbetur të Hamasit.
Izraeli e nisi pushtimin tokësor dhe ajror të Gazës menjëherë pasi Hamasi e kreu sulmin në Izrael më 7 tetor, ku vrau 1.200 njerëz dhe i rrëmbeu 250 të tjerë.
Lufta izraelite i ka vrarë mbi 37.000 palestinezë, ka shkaktuar krizë humanitare dhe nxitur raste për krime lufte dhe gjenocid në gjykatat kryesore botërore në Hagë.
Ajo i ka rritur gjithashtu tensionet me Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti Joe Biden dhe Netanyahu janë grindur publikisht për luftën. Të dielën, Netanyahu e përsëriti pretendimin se Shtetet e Bashkuara e kanë “zvogëluar dukshëm” furnizimin me armë, duke i penguar përpjekjet e luftës izraelite.
Bideni vendosi në maj ta pezullojë përkohësisht dërgimin e bombave të caktuara të rënda, për shkak të shqetësimeve për numrin e madh të viktimave civile, por administrata e tij i kundërshtoi akuzat e Netanyahut se janë prekur edhe dërgesat e armëve të tjera.
Megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetësit e tjerë po shtyjnë për një marrëveshje për armëpushim, Netanyahu e ka hedhur poshtë përfundimin e luftës derisa Izraeli t’i lirojë të gjitha pengjet që po mbahen nga Hamasi dhe derisa ta shkatërrojë plotësisht Hamasin.
Faza e tanishme e luftës “është gati të përfundojë”, tha Netanyahu, duke shtuar se “kjo nuk nënkupton se lufta është gati të përfundojë”.
Netanyahu është ftuar t’i drejtohet Kongresit amerikan muajin e ardhshëm, për një fjalim që është tashmë duke e ndarë Uashingtonin. Disa demokratë, të zemëruar me fjalosjen publike të Netanyahut me Bidenin, thonë se nuk do të marrin pjesë.
Zyrtarët amerikanë i kanë bërë trysni Netanyahut ta përpilojë një plan të qartë për Gazën e pasluftës. SHBA-ja thotë se nuk pranon pushim afatgjatë të këtij territori nga Izraeli.
Netanyahu ka dhënë vizion shumë më ndryshe. Ai ka thënë se mënyra e vetme për t’u garantuar për sigurinë e Izraelit, është mbajtja në kontroll e territorit palestinez.
“Askush tjetër nuk është në gjendje ta bëjë këtë”, tha ai.
Ai ka thënë se po kërkon një mënyrë për ta krijuar një “administratë civile” palestineze për kryerjen e detyrave të përditshme në Gazë, me shpresë se do të mbështetet nga vendet e moderuara arabe.
Ai e ka hedhur poshtë përfshirjen e Autoritetet të njohur ndërkombëtarisht Palestinez, i cili u dëbua nga Gaza nga Hamasi gjatë marrjes së pushtetit me dhunë më 2007.
Netanyahu e hodhi poshtë një mundësi të mbështetur nga disa partnerë qeveritarë ultranacionalistë – rivendosjen e izraelitëve në Gazë. Izraeli u tërhoq nga Gaza më 2005, duke i dhënë fund pranisë 38-vjeçare.