Gjykata shpall fajtorë deputetët e Vetëvendosjes për hedhje të gazit lotsjellës

Kuvendi i Kosovës 14 dhjetor, 2015

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin për rastin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të akuzuar për hedhjen e gazin lotsjellës në ambientet e Kuvendit.

Gjykata i ka shpallur fajtorë katër deputetët: Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu.

Deputeti Albin Kurti është dënuar me 1 vit e 3 muaj burg për përdorim të armës, përkatësisht hedhje të gazit lotsjellës, si dhe 6 muaj për pengim të personit zyrtar. Dënimi i tërësishme: 1 vit e 6 muaj burgim.

Deputetja Albulena Haxhiu është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim si dhe 4 muaj për pengim të personit zyrtar. Dënimi i tërësishme 1 vit e 6 muaj.

Donika Kadaj-Bujupi për përdorim të armës [gazit lotsjellës] është dënuar me 1 vit e 3 muaj dhe 6 muaj për pengim të personit zyrtar. Dënimi i tërësishëm 1 vit e 6 muaj.

Ndërsa, deputeti Faton Topalli për përdorim të armës është dënuar me 1 vit burgim, si dhe për pengim të personit zyrtar me 3 muaj burg. Dënimi i tërësishme: 1 vit e dy muaj burg.

Your browser doesn’t support HTML5

Deputetët që kanë hedhur gaz lotsjellës

Të gjitha këto dënime janë me kusht, kështu që deputetët nuk do të detyrohen të vuajnë dënimin me burg. Ata mund të dërgohen në burg, vetëm nëse brenda periudhës 2-vjeçare përsërisin veprën.

Të akuzuarit nuk ishin në seancën e sotme kur u bë shpallja e aktgjykimit.

Pas shqiptimit të dënimeve, nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ka reaguar ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Dënimet e shqiptuara, sipas Ymerit, janë tregues se rasti ka qenë për “qëllime politike”.

Të katër deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje janë akuzuar për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës, me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Njëri nga avokatet mbrojtës, Haxhi Millaku, tha se do të bëhet ankesë në shkallën tjetër të gjykatës.