Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se ka marrë porosi të qartë në Uashington se pa pezullimin e tarifës doganore ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nuk mund të vazhdojë dialogu në Bruksel.
“Unë kam kërkuar edhe në Uashington mundësinë vazhdimin e dialogut pa heqjen e taksës, por më vjen keq përgjigja është që duhet të ndodhë pezullimi”, tha Thaçi gjatë një konference për media në Prishtinë, pas kthimit nga një vizite që zhvilloi në Shtetet e Bashkuara, ku mori pjesë në Lutjet e Mëngjesit.
Thaçi i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve të koalicionit qeverisës, që të respektojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara që të pezullojë taksën doganore.
“Mendoj se kjo këshillë (e SHBA-së) nga institucionet e vendit duhet të respektohet. E ritheksoj, jo për t’u hequr taksa, por për t’i dhënë mundësi përmes një pezullimi të përkohshëm, të një angazhimi të gjithanshëm ndërkombëtar, siç ka pasur një rol konstruktiv Kosova në të gjitha zhvillime tash e dy dekada, të jemi të përgjegjshëm edhe tani”, tha Thaçi.
SHIKONI EDHE: "Zemërimi" amerikan me tarifatPresidenti Thaçi tha se është krijuar percepsioni se me vendosjen e taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja, Kosova është bërë pengesë për procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Sipas presidentit, është në dorën e Qeverisë, që ta pezullojë këtë masë.
“Natyrisht se ky vendim i takon Qeverisë së Kosovës, partnerëve të koalicionit, partive politike, të gjithëve, por theksoj se në shikim të parë duket se Serbia po dëmtohet në rrafshin ekonomik për dhjetëra milionë euro, por theksoj se nuk ka çmim që mund ta paguajë ndonjë devijim apo dobësim të raporteve mes shtetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.
“Ne duhet të vazhdojmë të investojmë fuqishëm për të ruajtur dhe kultivuar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veç një kultivim dhe ushqim i raporteve, garantojnë konsolidim të shtetit tonë”, tha Thaçi.
SHIKONI EDHE: Thaçi: Nga askush dhe për asnjë çmim nuk mund të refuzohet partneriteti me SHBA-nëPresidenti Thaçi tha se është kundër kushtëzimit të dialogut nga Serbia, e cila ka thënë se nuk do ta vazhdojë këtë proces pa u hequr taksa. Ai gjithashtu komentoi edhe lidhur me idenë e kryeministrit, Ramush Haradinaj, për organizimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën, duke thënë se kjo gjë do të ishte “hap prapa” për Kosovën, pasi sipas tij, në të do të përfshihej edhe “faktori Rusi”.
SHIKONI EDHE: Haradinaj: Tarifën e heqim vetëm pas garancës për njohje të KosovësShtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Prishtinës zyrtare që të pezullojë taksën doganore, e cila është në fuqi që prej nëntorit të vitit të kaluar.
Në një deklaratë të Ambasadës amerikane në Prishtinë, të publikuar javë më parë është thënë se janë kundër supozimit se “Kosova apo cilido mik tjetër i Shteteve të Bashkuara mund të ndërmarrë veprime që janë kundër interesave tona strategjike, pa u ballafaquar me pasojat për marrëdhënien tonë bilaterale”, është thënë në deklaratë.
Me idenë për pezullimin e tarifës në një afat prej 120 ditëve ka dalë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Por, kryeministri Ramush Haradinaj po insiston se taksa doganore do të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.