Thaçi: S’ka forcë që na detyron të diskutojmë për ndarjen e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Foto nga arkivi

Duke i cilësuar si lajme të rreme, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka hedhur poshtë zërat se me Serbinë do të diskutohet për ndarjen e Kosovës.

Në një konferencë për media, presidenti Thaçi tha se në dialogun me Serbinë në Bruksel, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, nuk do të “ketë forcë” që do ta detyrojë palën kosovare që të flas për ndarjen e Kosovës.

“Prandaj unë sot këtu, si president i vendit, edhe njëherë i siguroj qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë forcë që do ta detyrojë Kosovën të diskutojë, e lëre më të pajtohet me ndarjen e saj. Nuk do të lejojmë, as të diskutohet e lëre më që dikush të pajtohet me ndarjen e Kosovës”, tha Thaçi.

“Janë shqetësuese zërat që flasin gjëra të tilla, kur në të vërtetë gjërat e tilla po kalojnë së foluri edhe nga njerëzit që kanë legalitet edhe në institucionet e vendit”, u shpreh Thaçi.

“Nuk do të ketë bosnjëzim të Kosovës, nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Nuk do të ketë Ahtisaari+”, tha tutje presidenti i Kosovës.

Presidenti Thaçi foli edhe për marrëveshjen finale që pritet të arrihet në të ardhmen me Serbinë, e cila siç tha ai, duhet të jetë ligjërisht e obligueshme. Kjo marrëveshje, nënvizoi Thaçi, për Kosovën nënkupton njohje reciproke.

“Ne do të punojmë fuqishëm që marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë, të jetë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve”, tha Thaçi.

Me këtë marrëveshja, shtoi Thaçi, Kosovës do t’i hapet mundësia që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Kuvendi i Kosovës të hënën nuk arriti që të miratojë një rezolutë të propozuar nga partia opozitare Partia Socialdemokrate, për dialogun. Kjo rezolutë, e cila nuk kaloi pasi nuk arriti të harmonizohej me partitë tjera dhe nuk pati kuorum në Kuvend, përveç se ia kontestonte rolin udhëheqës presidentit në dialog, kërkonte që Kuvendi të mandatonte prijësin e dialogut me dy të tretat e votave.

Në debatet e zhvilluara në Kuvend, partitë opozitare argumentuan se presidenti Thaçi nuk ka legjitimitet që të udhëheqë dialogun.

Lidhur me këto pretendime të opozitës, Thaçi tha se ishte dëshpëruese që Kuvendi nuk arriti që të dalë me një dokument në fund të debatit.

“Është jashtëzakonisht impresionues debati i zhvilluar dje, dhe jam jashtëzakonisht i dëshpëruar që Kuvendi nuk arriti që të dalë me një dokument”, u shpreh Thaçi. Sipas tij, roli i Kuvendit në procesin e dialogut është i pazëvendësueshëm, pasi që në fund, ky organ do të thotë fjalën e fundit për marrëveshjen eventuale me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur që nga viti 2011.Thaçi ka udhëhequr diaogun politik në Bruksel prej nisjes së tij, njëherë nga posti i kryeministrit dhe tani në cilësinë e presidentit.

Sipas Bashkimit Evropian në fund të këtij procesi, të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila, pos tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimeve evropiane.