Reuters
Forcat izraelite vranë liderin e grupit “Strofka e luanëve”, një grup militant palestinez nga qyteti Nablus.
Lideri i këtij grupi, që po rritet shpejt, u vra të martën gjatë një operacioni në qytetin Neblus në Bregun Perëndimor, duke nxitur një prej përleshjeve më të mëdha me armë zjarri në javët e fundit.
Në deklaratën e lëshuar më 25 tetor, ushtria izraelite tha se forcat e saj bastisën një banesë në zonën e tregut në Qytetin e Vjetër. Sipas Izraelit, kjo banesë ishte përdorur si vend për prodhimin e eksplozivëve. Në këtë operacion, ushtria tha se vrau 31-vjeçarin Wadi al-Houh, i cili tha se ishte përgjegjës për krijimin e bombave artizanale dhe të furnizimit me armë.
Grupi “Strofka e luanëve” u shfaq vitin e kaluar në Nablus, qytet ku fotografitë e luftëtarëve të vrarë – pothuajse shumica djem të rinj duke pozuar me armë automatike dhe veshje ushtarake – gjenden në pothuajse të gjitha rrugët e ngushta të Qytetit të Vjetër.
Përderisa anëtarët e grupit kanë prestigj të lartë në Qytetin e Vjetër, asnjë nga liderët e këtij grupi nuk ka arritur të ketë profil të lartë jashtë këtij qytetit.
Këtij grupi iu rrit rëndësia në mbarë Bregun Perëndimor pas vrasjes së një militanti 19 vjeç në gusht, të quajtur Ibrahim al-Nabulsi. Vdekja e tij u përdor për të mbledhjen e të rinjve të pakënaqur në Qytetin e Vjetër dhe në kampet e refugjatëve.
Sipas zyrtarëve lokalë palestinezë, ky grup u krijua nga katër militantë të rinj, që kryesisht u motivuan nga zemërimi i shkeljeve nga izraelitët, që jetojnë në vendbanime të ngritura në Bregun Perëndimor, por edhe nga konfrontimet me ushtrinë izraelite.
Grupi “Strofka e luanëve” nuk ka lidhje me fraksionet e tjera palestineze apo me Autoritetin Palestinez. Po ashtu, ky grup duket se nuk ka asnjë qëllim të artikuluar politik përtej luftimit të pushtimit izraelit. Megjithatë, zyrtarët palestinezë kanë deklaruar se ky grup ka të ngjarë që merr mbështetje financiare apo logjistike nga grupet e tjera.
SHIKONI EDHE: Izraeli akuzohet për vrasjen e liderit të një grupi militant palestinezPërleshjet mes militantëve dhe izraelitëve po ndodhin pranë zonës ku gjendet Varri i Jakobit, që është një moment i famshëm pelegrinazhi në Nablus.
Nuk ka shumë informacione të besueshme lidhur me anëtarët e këtij grupi, por një zyrtar palestinez nga Qyteti i Vjetër i Nablusit, tha se ky grup mund të ketë afër 25 sulmues aktivë dhe ka një numër më të madh të mbështetësve, që nuk janë brenda grupit.
Autoriteti Palestinez, që është përballur me vështirësi në përgjigjen ndaj këtij grupi që ka mbështetje gjithnjë e më të madhe në Nablus, ka tentuar që t’ua blejë armët dhe t’i integrojë në forcat e sigurisë, ka thënë guvernatori i Nablusit, Ibrahim Ramadan. Sipas tij, Autoriteti Palestinez ka pasur pak sukses në këtë drejtim.