Ndërlidhjet

Izraeli akuzohet për vrasjen e liderit të një grupi militant palestinez


Bregu Perëndimor. Fotografi ilustruese.
Bregu Perëndimor. Fotografi ilustruese.

Një grup militant palestinez e ka akuzuar Izraelin për vrasjen e një prej anëtarëve të tij të lartë, në një sulm në Bregun Perëndimor. Ky grup është zotuar se do të kundërpërgjigjet fuqishëm, teksa tensionet në këtë pjesë janë rritur.

Tamer Kilani, lideri i grupit “Strofka e Luanëve” u vra pasi një bombë që ishte vendosur në një motoçikletë të parkuar pranë, shpërtheu gjatë natës më 23 tetor.

Shpërthimi ndodhi në qytetin Nablus, ku përleshjet midis militantëve palestinezë dhe forcave të sigurisë së Izraelit ndodhin pothuajse çdo ditë.

Ushtria izraelite nuk ka pranuar të komentojë për shpërthimin, duke thënë se ushtria “operon kundër terrorit gjatë gjithë kohës”.

Një zëdhënës i ushtrisë tha se Kilani ishte i përfshirë në sulmet ndaj izraelitëve dhe më herët kishte qenë në burg në Izrael.

Incidenti vjen në kohën kur për disa muaj tensionet janë të larta dhe janë përkeqësuar qëkur forcat izraelite nisën shtypjen në Bregun Perëndimor në mars, në përgjigje të një serie sulmesh nga palestinezët në Izrael.

Nëntëmbëdhjetë palestinezë dhe dy ushtarë izraelitë janë vrarë gjatë këtij muaji, sipas statistikave të mbledhura nga agjencia e lajmeve AFP.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG