Greva e sindikalistëve në Kosovë do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave, thanë në një konferencë për media më 30 gusht përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Ata i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të zgjedhë dialogun, e jo siç thanë, “shantazhet e kërcënimet”.
Rrahman Jasharaj, i cili është edhe kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, tha se Qeveria e Kosovës po tenton “të ngufatë zërin” e grevistëve, teksa shtoi se janë duke u konsultuar me ekipet ligjore për mundësinë e ngritjes së padisë ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Ky koment i Jasharajt vjen një ditë pasi ministri Murati, tha se punëtorët e sektorit publik, të cilët janë në grevë nga 25 gushti, nuk do të marrin pagën e plotë nga Qeveria e Kosovës.
“Për 5 ditë pune i bie rreth 90 euro minus këtë muaj [në pagë]”, tha Murati më 29 gusht, gjatë një konference për media.
SHIKONI EDHE: Murati: Për pesë ditë në grevë, rreth 90 euro më pak në rrogëPor, sindikalistët thanë se Qeveria e ka për obligim të paguajë pagat e punëtorëve gjatë grevës.
Jasharaj tha se greva mund të ndalet nëse Qeveria plotëson kërkesat e tyre dhe sërish i bëri thirrje ekzekutivit që të takohet me përfaqësuesit e sindikalistëve për të gjetur një zgjidhje.
“Kërcënimi i tij [v.j. Hekuran Murati]ka pasur për synim ta frikësojë dikë dhe të ngufatë vullnetin dhe zërin e grevistëve që janë dhe do të jenë në grevë derisa nuk zgjidhen kërkesat e tyre legjitime”, tha Jasharaj.
SHIKONI EDHE: Grevë - nuk ka shërbimeQë nga 25 gushti, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Kërkesa kyçe e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Jasharaj tha se nisja e vitit të ri shkollor më 1 shtator do t’i gjejë “nxënësit në shtëpi, e mësimdhënësit në grevë”, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
Së fundmi, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka hartuar Projektligjin për pagat.
SHIKONI EDHE: Çfarë parasheh projektligji për pagat?Ky projektligj duhet të kalojë në procedurat e konsultimeve paraprake e publike dhe, pas miratimit në Qeveri e Kuvend, të publikohet në Gazetën Zyrtare të Kosovës.
Në projektligj, një kopje të të cilit e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, thuhet se ai hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.