Të paktën dy nga rreth 20 gra dhe nëna të ushtarëve të mobilizuar rusë, të cilët po luftojnë në Ukrainë, përballen me aktakuzë për organizimin e një aktiviteti publik të paautorizuar, pas protestës së tyre në fundjavë përballë ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, ku kërkuan që burrat e tyre të kthehen në shtëpi.
Gratë u thirrën në një stacion policor dhe u morën në pyetje pasi shpalosën pankarta me kërkesat e tyre.
Ndaj dy prej tyre, Anna Bogatchenko dhe Anastasia Slavik, u ngrit aktakuzë, raporton OVD-Info, një organizatë që vëzhgon shkeljen e të drejtave të njeriut në Rusi.
Protesta në kryeqytetin rus më 21 shtator përkoi me datën e dy vjetëve më parë, kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi një dekret për thirrjen e burrave në atë që zyrtarët rusë e quajnë "operacioni i posaçëm ushtarak" në Ukrainë.
SHIKONI EDHE: Një mobilizim i dytë? Rusia ka problem me ushtarët në UkrainëKëto gra kërkuan takim me ministrin e Mbrojtjes të Rusisë, Andrei Belousov, dhe kthimin e të dashurve të tyre nga lufta në Ukrainë.
Pasi ato thanë se do të qëndronin pranë ndërtesës së Ministrisë gjatë natës, policia i shpërndau me forcë, duke i ndaluar përkohësisht disa prej tyre.
Në tetor të vitit 2022, Putini njoftoi se mobilizimi i pjesshëm kishte përfunduar, por ai nuk e nënshkroi asnjëherë një urdhër për këtë, duke thënë publikisht se nuk kishte nevojë për një gjë të tillë.
Më vonë, ai njoftoi se burrat e thirrur në ushtri do të qëndronin në Forcat e Armatosura deri në përfundimin e luftës.
Mungesa e një dekreti për përfundimin e mobilizimit të pjesshëm ua mundëson autoriteteve t’i mbajnë akoma burrat të dislokuar në Ukrainë, pasi regjimi ligjor vazhdon të jetë në fuqi.
SHIKONI EDHE: “Askush nuk po na dëgjon”: Shtohen protestat e grave ruse kundër luftës në UkrainëPas njoftimit për mobilizim nga Putini dy vjet më parë, qindra mijëra qytetarë rusë u larguan nga vendi, kryesisht drejt Kazakistanit, Gjeorgjisë, Mongolisë dhe Turqisë, për t’i shpëtuar thirrjes në ushtri.
Pushtimi i Ukrainës është shndërruar në katastrofë për Rusinë, pasi ua ka marrë jetën dhjetëra mijëra ushtarëve, e ka dëmtuar ekonominë e vendit dhe i ka shkatërruar marrëdhëniet e vendit me Perëndimin.
Putini i ka ndaluar me ligj kritikat kundër luftës dhe Forcave të Armatosura për ta shtypur çdo kundërshtim.