Ndërlidhjet

“Askush nuk po na dëgjon”: Shtohen protestat e grave ruse kundër luftës në Ukrainë


Dy gra mbajnë pankarta me mesazhet “Jo luftë” dhe “Unë nuk zgjedh asnjëherë” gjatë një proteste kundër luftës në qytetin Yekaterinburg në Rusi.
Dy gra mbajnë pankarta me mesazhet “Jo luftë” dhe “Unë nuk zgjedh asnjëherë” gjatë një proteste kundër luftës në qytetin Yekaterinburg në Rusi.

Përgjatë disa ditëve këtë muaj, dhjetëra gra u grumbulluan para selisë së Distriktit Perëndimor Ushtarak në Shën Petersburg për të kërkuar nga ushtria ruse ta mbajë premtimin e qeverisë se nuk do të dërgohen të rekrutuarit në vijën e frontit në Ukrainë dhe në regjionet ruse në kufi me Ukrainën.

Secilën ditë, ato prisnin nga pesë orë, por askush nuk i hapte dyert për t’i takuar ato gra apo për t’ua marrë kërkesën e shkruar.

“Askush nuk po na dëgjon”, tha Viktoria Sannikova, që udhëtoi nga qyteti siberian, Tomsk, për të marrë pjesë në këtë protestë. “Problemet tona nuk u interesojnë atyre. Ne kemi trokitur në dyert e tyre qe dy muaj. Kjo protestë është shenjë dëshpërimi”.

Më në fund, më 15 nëntor, dyert e selisë u hapën dhe gratë hynë brenda. Ato ua dorëzuan zyrtarëve pothuajse 100 letra dhe një kërkesë të përbashkët nga familjarët e gati 400 të rekrutuarve që aktualisht po shërbejnë në regjionin perëndimor Belgorod. Aty thuhet se ata janë të rrezikuar në vazhdimësi prej gjuajtjeve nga Ukraina dhe ka pasur edhe viktima në mesin e tyre.

Që kur pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia filloi më 24 shkurt, gratë kanë luajtur rol kyç në lëvizjen kundër luftës në Rusi. Pasi presidenti Vladimir Putin dekretoi mobilizimin ushtarak më 21 shtator, pakënaqësia publike ndaj luftës u rrit. Megjithatë, burrat ishin më pak të gatshëm të protestojnë publikisht shkaku i frikës dhe lajmeve se policia po i dërgonte të arrestuarit burra drejt e në ushtri.

Gratë e kanë dominuar gjithnjë e më shumë këtë lëvizje, pjesërisht edhe shkaku se shumë burra kanë ikur nga vendi ose janë fshehur që t’i shmangen rekrutimit.

*Video nga arkivi: Banorët e Moskës flasin për pasojat e luftës ndaj civilëve ukrainas

Sipas OVD-Info, një organizatë joqeveritare që mbikëqyrë shtypjen politike në Rusi, më shumë se gjysma e 1.383 personave të arrestuar gjatë protestave kundër mobilizimit në mbarë Rusinë më 21 shtator, ishin gra. Ndërsa, 71 për qind e 848 të arrestuarëve në protestat e 24 shtatorit ishin gra.

“Pa asnjë stërvitje ushtarake”

Në qytetin Ulyanovsk, në rajonin e Vollgës, një grup i grave – bashkëshortet e burrave të rekrutuar gjatë mobilizimit, që u shpall i kompletuar më 1 nëntor – u mblodh para një ndërtese ushtarake më 11 nëntor me kërkesën që burrat e tyre të tërhiqen nga vija e frontit. Ato thonë se burrave nuk iu ofrua pothuajse asnjë stërvitje ushtarake dhe problemet e tyre të kahershme shëndetësore janë përkeqësuar që nga rekrutimi.

“Njerëzit frikësohen se do t’i zhgënjejnë më të dashurit e tyre”, tha Tatjana, bashkëshortja e një burri të rekrutuar nga Ulyanovski, që kërkoi t’i fshihet identiteti shkaku i frikës nga pasojat. “Unë nuk mora pjesë në protestë [të 11 nëntorit]... po organizoja kërkesa me shkrim”.

“Por, kemi marrë një përgjigje nga zyra e Prokurorisë ushtarake në Ulyanovsk””, tha ajo. “Unë e pata përshtypjen që ata as nuk i kishin lexuar kërkesat tona. Ata thanë se nuk kishte asnjë ankesë – me sa duket, burri im paska qëndruar në spital për asnjë arsye”.

Tatjana tha se burri i saj ishte i gatshëm t’i bashkohej ushtrisë dhe madje edhe ishte paraqitur vullnetarisht para komisionit rekrutues, por ai kërkoi t’i shtyhej data e rekrutimit pasi që po merrte trajtim për një problem të ndërlikuar dentar.

“Nuk kishte asnjë stërvitje ushtarake”, tha ajo. “Ata nuk shkuan as edhe një herë në poligonin e qitjes këtu në Ulyanovsk. Ata kaluan një javë duke bërë disa ushtrime dhe pastaj ai e kaloi një javë në spital”.

“Ai bëri një kërkesë për një vonesë me rekomandim të mjekut”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë. “Në këtë kërkesë, ai sqaroi se ishte në spital – dhe nuk ishte i vetëm atje... Ai e bëri këtë kërkesë disa herë – më 8, 10 dhe 12 tetor... por, Prokuroria tha se nuk kishte asnjë ankesë”.

Kërkohen negociatat për paqe

Olga Tsukanova është nëna e një të rekrutuari 20-vjeçar nga rajoni Astrakhan, i cili mori pjesë në protestat në Shën Petersburg. Ajo tha se zyrtarët rusë kanë tentuar dy herë t’ia dërgojnë djalin në Ukrainë dhe i kanë bërë atij presion vazhdimisht ta nënshkruajë një kontratë si vullnetar, por tha se iu ka rezistuar me sukses këtyre tentimeve deri më tani.

“Ai është një civil i rëndomtë”, tha Tsukanova. “Unë e kuptoj se nëse nuk bëj diçka shpejt, ai do të kalojë nga një i rekrutuar në një ushtar me kontratë, në mënyrë që të marrë pjesë në ‘operacione të veçanta ushtarake’... Ata po e shtyjnë vazhdimisht, po i bëjnë presion. Secilën ditë, një kolonel apo ndonjë zyrtar tjetër vjen dhe bën presion të nënshkruajë kontratë”.

Ajo tha se nuk kishte pasur kontakt me djalin e saj gjatë disa ditëve në shtator. Kur ajo kishte telefonuar bazën e tij ushtarake, asaj i ishte thënë se ai po i kryente disa “teste psikologjike”.

“Kur kuptova se diçka po ndodhte, fillova të thërras në telefon dhe ata më thanë se djali im ishte në listë për t’u vendosur në një aksion ushtarak”, tha ajo. “Unë u thashë se ai ishte rekrutuar dhe ata më thanë se ai do ta nënshkruante një kontratë vullnetarisht dhe do t’i bashkohej një ‘operacioni të veçantë’. Kështu që fillova të dërgoj kërkesa gjithkund, përfshirë këtu edhe Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe, me siguri pati efekt sepse ai nuk u dërgua atje”.

Tsukanova shtoi se ajo beson që asnjëri nga ushtarët në bazën e djalit të saj nuk është dërguar në vijën e frontit, me gjasë shkaku i dëshirës për të mos pasur “skandale” për shkak të protestave në rritje kundër dërgimit të të rekrutuarve në operacione ushtarake.

“Por, unë nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër”, tha ajo, duke shtuar se shqetësohej që sapo të përfundojë periudha e këtij mobilizimi, ai menjëherë do të ftohet për shërbim shtesë. “E kam vetëm një djalë. Çka tjetër duhet të humbas?”

Përvoja e Tsukanovës me djalin e saj e shtyu atë të bëhet bashkëthemeluese e Këshillit jozyrtar të Nënave dhe Grave të Ushtarëve, që rregullisht u dërgon kërkesa Putinit dhe zyrtarëve ushtarakë.

“Ne kërkojmë që këshillat e nënave dhe grave në çdo qytet të lejohen të inspektojnë bazat ushtarake ku po zbatohet mobilizimi për të gjetur nëse ata po trajnohen siç duhet dhe nëse janë themeluar komisione shëndetësore”.

“Ne jemi duke kërkuar edhe nisjen e negociatave për paqe. Ose të paktën që presidenti të lëvizë në atë drejtim e jo ta kërcënojë të gjithë botën me përdorimin e bombave të ndyra”, tha ajo.

Ajo shtoi se organizata e saj ka mbajtur takime online me pjesëmarrës nga secili rajon i Rusisë. Ata komunikojnë përmes grupeve të mbyllura në rrjete sociale, kryesisht në Telegram. Që kur u nënshkrua dekreti i mobilizimit, ajo tha se grupi e ka përforcuar fushatën e protestave dhe kërkesave, të cilat në përgjithësi injorohen nga autoritetet.

“Unë nuk kam asnjë shpresë sa u përket zyrtarëve”, tha ajo. “Shpresa ime e vetme janë njerëzit – që ata do të organizohen vetë dhe do ta arrijnë ndonjë rezultat... Kërkesat tona janë të nevojshme që t’i detyrojmë zyrtarët të bëjnë diçka dhe t’ua dëshmojmë atyre se njerëzit po i vëzhgojnë. Jam e bindur se do të arrijmë diçka”.

Në Ulyanovsk, Tatjana tha se tentimet e saj për të protestuar për trajtimin që i është bërë burrit të saj e kanë lënë atë “të zhgënjyer me vendin”.

“Ne nuk kemi ligje – ose, më mirë të them, ato nuk funksionojnë”, tha ajo. “Unë e kam përshtypjen se nuk jetojmë në një shoqëri moderne, por në mesjetë. Çdo kërkesë e imja është injoruar. Kur unë kërkoj ndihmë, më thuhet të rri e heshtur dhe të pres të kalojë gjithçka”.

“Unë e kam përshtypjen që bota po shkatërrohet dhe unë nuk kam asnjë ide se çfarë do të ndodhë tani”, tha ajo.

Përgatiti: Doruntina Baftiu

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG