Grafitet që i japin ngjyrë betonit të Prishtinës

Një nga grafitet e krijuara në këtë edicion të festivalit Meeting of Styles Kosovo, në Rrugën B në Prishtinë.

Për tri ditë rresht, 120 artistë, vendorë e të huaj, secili më kreativ se tjetri, e kanë mbushur me grafite Rrugën B në Prishtinë.

Kjo lagje, relativisht e re e kryeqytetit, është ndër zonat me më së shumti beton.

Por, e ka ruajtur edhe një copë rruge, në të cilën që shtatë vjet me radhë, u mundëson artistëve ta promovojnë artin e tyre, në kuadër të festivalit Meeting of Styles Kosovo.

Tema e këtij edicioni është, “Masa Kritike”.

.

Për Mattia Martinin, 33-vjeçar nga Italia, kjo është hera e parë që merr pjesë në festival.

“Më pëlqejnë njerëzit, vullnetarët, organizatorët, dhe mirëpritja është shumë e mirë dhe Prishtina është super e bukur. Më pëlqen shumë niveli i artistëve, mendoj se të gjithë janë vërtet të talentuar dhe është shumë frymëzues”, ka thënë Martin, që njihet në komunitetin e tij me nofkën Chus.

Mattia Martini duke punuar në finalizim të grafitit.

Për veprën e krijuar në këtë edicion, ai është inspiruar nga filmat e animuar japonezë të studios Ghibli, të cilët bazohen në kombinim të realitetit dhe fantazisë.

“Kam pikturuar një balenë, është e bërë sikur të ishte një pemë. Pra, ka gjethe dhe degë që rriten si një pemë. Pra, balena po fluturon, si në një univers fantastik”, ka thënë Chus për Radion Evropa e Lirë.

Për artisten zvicerane Line Guillod, festivali përbën mundësi të mirë për t’i shpërfaqur gratë dhe vendin e tyre në shoqëri.

“Është portret i një gruaje. Emri i festivalit është Masa Kritike. Mendoj se një grua duhet të ketë pushtet në shoqëri. Për mua është shumë e rëndësishme të bëj portrete grash, sepse ne duhet të zëmë vendin tonë në rrugë, duhet të zëmë vend në shoqëri, në politikë”, ka thënë ajo.

Line gjatë procesit të punës.

Për dallim prej Chus, kjo nuk është hera e parë që Line është në Kosovë.

“Është hera e tretë (në festival) dhe kam qenë më parë në Kosovë vetëm për pushime. Më pëlqen shumë vendi dhe mendoj se njerëzit janë shumë të këndshëm, shumë të ngrohtë. Po, më pëlqen shumë Ballkani, po ashtu edhe Bosnja”, ka thënë 42-vjeçarja.

Tjetër grafit që do të mund ta shihni te Rruga B.

Edicioni i këtij viti, i shtati me radhë, ka nisur më 28 korrik dhe përfundon më 30 korrik.

Puna për këto grafite përfundon brenda tre ditëve, ose edhe më shpejt.

Zanafilla e këtyre organizimeve daton prej viteve të 90-ta, kur një organizatë joqeveritare me të njëjtin emër, Meeting of Styles, është krijuar në Gjermani për t’i mbështetur artistët, të cilën mund të bëjnë grafite ligjërisht, nëpër mijëra metra katrorë të zonave të braktisura.

Artistët pjesëmarrës njihen për kreativitetin që kanë.

Giovanni Laporta nga Italia, i njohur si Zarkoner, është kthyer këtë vit për herë të tretë në Prishtinë.

“Unë jam 23 vjeç dhe kam rreth 10 vjet që pikturoj grafite. Kjo është hera ime e tretë në Kosovë. Çdo vit organizimi vetëm se përmirësohet. Në përgjithësi më pëlqen shumë ky vend, vendasit janë shumë të mirë”.

Giovanni Laporta.

“Kombinoj shumë elementë nga arti i bukur, modelimi 3D dhe shkronjat. Unë jam në thelb një përshkrim i veprës sime të artit”, ka thënë 23-vjeçari.

Projekti i tij final.

Në mesin e artistëve vendorë, për REL-in ka folur Altin Ibrahimi nga Podujeva.

Me diplomë nga Fakulteti i Arteve në Prishtinë, Altini tregon se përvoja e së kaluarës si vullnetar në festival, e ka shtyrë që të marrë pjesë si artist në këtë edicion.

Altin Ibrahimi duke e punuar portretin e një gruaje.

"Zakonisht edhe në fakultet kam punuar me portrete. Portretet e mia e shprehin një emocion, frikë, gëzim, dëshirë. Mundohem ta përcjelli [botën] e brendshme”.

Për dallim prej Altinit, Taki nga Prishtina është veteran i festivalit.

Ai merr pjesë në të qysh prej fillimit.

"Unë e shkruaj nofkën time Tak gjithmonë, kam edhe punime tjera që bëj edhe me mesazhe, mirëpo, esenca e Meeting of Styles është që të prezantosh stilin tënd...me një qasje të re”.

Grafiti final i Takit.