Me lapsa në duar përkrah fëmijëve, disa gra mësojnë shkrim-lexim

Një numër i grave mësojnë të shkruajnë e lexojnë në një qendër të organizatës The Ideas Partnership (TIP) në Fushë Kosovë.

Krah për krah me vajzën e saj katërvjeçare, një grua mëson shkronjën S.

“Këqyre, këqyre mam”, e thërret ajo nënën e saj, duke ia drejtuar fletën ku e kishte vizatuar edhe një zemër.

Të dyja po mësojnë të shkruajnë e të lexojnë së bashku. Për nënën, ky mësim vjen shumë vite më vonë sesa që është e zakonshme.

“Kur kam ardhur këtu, para një viti, as emrin tim s’kam ditur ta shkruaj. Tash i mësojmë germat një nga një”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Në sallën e organizatës The Ideas Partnership (TIP) në Fushë Kosovë, çdo të premte, në ulëset dhe tavolinat zënë vend rreth 30 gra të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian.

Për arsye të ndryshme - si kushtet e vështira socio-ekonomike, presioni familjar, martesat e hershme - këto gra nuk kanë pasur mundësi ta vijojnë arsimin e rregullt nëpër shkollat në Kosovë.

Por, tash e rreth gjashtë vjet, mësimet bazike në shkrim-lexim u ofrohen falas nga organizata TIP.

Ky grup - ku marrin pjesë gra të moshave të ndryshme, nga 15 deri në 70 vjeçe - është rritur ndër vite.

“Pasi kam ardhur këtu, kam pyetur a mund ta marr edhe kunatën. Pse mos të mësojë edhe kjo?!”, thotë një grua tjetër.

Mësuesja e tyre, 20-vjeçarja Semra Keriq, motivohet nga humaniteti që thotë se sheh te këto gra, apo gatishmëria e tyre për ta përkrahur njëra-tjetrën.

“Edhe këtu në sallë, kur jam duke u marrë me një grua, e shoh që këto tjerat po e ndihmojnë njëra-tjetrën me shkronjën që po e mësojmë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Semra Keriq, pjesë e organizatës The Ideas Partnership.

Sipas të dhënave të publikuara në një raport të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në shkurt të këtij viti, rreth 14 për qind e vajzave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nuk shkojnë në shkollë të mesme, ndërsa rreth katër për qind nuk e vazhdojnë shkollimin fare përtej klasës së pestë.

Përqindja e braktisjes së shkollimit nga pjesëtarët e këtyre komuniteteve është mesatarisht më e lartë në mesin e grave.

Por, në vitet qëkur ka nisur iniciativa për t’i mësuar gratë të shkruajnë e të lexojnë, Arijeta Islami, koordinatore në TIP, thotë se ka qenë dëshmitare e disa rrëfimeve të suksesit.

“Ka gra që janë të punësuara dhe me sukses të madh. Njëra prej tyre tashmë e ka hapur biznesin e vet dhe ka aplikuar nëpër projekte të ndryshme me atë dijeni që e ka marrë këtu. Tash e mban familjen me atë punë”, thotë Islami për REL-in.

Arijeta Islami, koordinatore në organizatën The Ideas Partnership

Nga të rinjtë që braktisin shkollimin, sipas të dhënave të OSBE-së, vetëm rreth një për qind i përkasin komunitetit shqiptar, rreth 13 për qind komunitetit rom, ndërsa rreth 43 për qind komuniteteve egjiptian dhe ashkali.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë lidhur me planet për ta ndaluar këtë fenomen, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Në Raportin e vitit të kaluar të Progresit, të publikuar nga Komisioni Evropian, thuhet se braktisja e shkollimit në Kosovë mbetet fenomen më i vërejtshëm te këto komunitete, por theksohet se statistikat nuk janë shumë të besueshme.

Edhe Avokati i Popullit ka thënë disa herë se statistikat lidhur me problemet e fëmijëve nga këto komunitete, nuk janë të sigurta, pasi që ka mungesë të të dhënave lidhur me ta, gjë që, sipas tij, i bën ata “’të padukshëm” para ligjit dhe “i privon” nga gëzimi i të drejtave të garantuara me ligj.

SHIKONI EDHE: Fëmijët që lypin para në rrugë: Të abuzuar nga prindërit, të shtyrë nga varfëria

Arsyet pse këto gra kanë mbetur pa shkollim bazik janë të ndryshme. Islami numëron disa: mentalitetin e prindërve, vështirësitë gjatë kohës së luftës në Kosovë, paragjykimet se vajzat duhet të rrinë në shtëpi e të tjera.

“Ka raste kur kanë qenë kushtet e rënda ekonomike, kur nuk kanë mundur t’i shkollojnë krejt fëmijët. Edhe prindërit kanë vendosur t’u japin përparësi djemve. Djemve ua kanë ofruar kushtet që të shkollohen e vajzave jo”, thotë ajo.

Një ndër faktorët që, sipas OSBE-së, ndikon në ndërprerjen e arsimit, janë edhe martesat e hershme.

Të dhënat e vitit 2021 nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) tregojnë se një në tri gra dhe një në dhjetë burra të moshës nga 20 deri në 24 vjeç nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë janë martuar para se të arrinin moshën 18-vjeçare.

Ligji aktual në Kosovë mundëson martesën mes personave qysh në moshën 16 -vjeçare, me pajtim të prindërve.

Neni 1140 i Projektkodit Civil synon ta rregullojë këtë problem duke përcaktuar moshën 18-vjeçare si minimalen për lidhje të martesës. Megjithatë, për këtë projektkod nuk është arritur asnjëherë mbështetja në Kuvendin e Kosovës.

SHIKONI EDHE: Në pritje të Kodit Civil...

Problemi është edhe më serioz, thuhet në raportin e OSBE-së, pasi që martesat e hershme zakonisht nuk regjistrohen fare nëpër komuna, por vetëm bëhen si marrëveshje joformale mes familjeve.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2022, martesat e hershme dhe me detyrim theksohen si problem veçanërisht në mesin e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian, boshnjak dhe goran.

Islami thotë se në vitet e fundit janë motivuar nga numri i vajzave, të cilat i kanë bindur ta vazhdojnë shkollimin dhe mos ta braktisin atë për t’u martuar, por shton se do të donte që situata të ishte edhe më e mirë.

“Ka një ndryshim, por jo në një hap shumë të madh. Ndryshimi po vjen gradualisht. Tash mund të themi që kemi përqindje të mirë të nxënësve në shkolla të mesme dhe studime. Po, ndryshim, por jo aq shpejt sa ne dëshirojmë”, thotë ajo.

Aktiviteti për t’u mësuar grave shkrim-lexim ka nisur pikërisht me iniciativën për t’i dhënë fund, siç thuhet, një cikli të dëmshëm: që prindërit të jenë të aftë t’i ndihmojnë fëmijët e tyre në kryerjen e detyrave shkollore.

Mësuesja Semra Keriq thotë se motivohet çdo ditë nga përmirësimet që sheh te këto gra. Por, jo vetëm.

“Këtu vijnë hallat e një fëmije që vjen në kopshtin e organizatës. Është vetëm katërvjeçar dhe një ditë erdhi ma tregoi fletën ku kishte vizatuar e ngjyrosur, dhe e kishte shkruar edhe emrin. Kur e pyeta se kush e ka mësuar ta shkruajë emrin, më tregoi menjëherë që hallat”, thotë ajo.

“Puna që ne po e bëjmë këtu [bën që të] shihen rezultatet edhe te fëmijët e tyre”, përfundon Keriq.