Raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare thonë se në sistemin e drejtësisë në Kosovë politika ka ndikim të madh dhe shumë raste të cilat kanë qenë në proces mund të jenë pushuar për shkak të ndikimeve apo presionit.
Javën që lam pas, siç u tha, prokurori nga Prokuroria Speciale e Kosovës Elez Blakaj dha dorëheqje pasi kishte presione të ndryshme, duke hetuar rastet të ndjeshme si ai për manipulimet me lista të veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK].
Zyrtarët në sistemin prokurorial nuk e pranojnë direkt se kanë presione nga persona me ndikim, por thonë se gjatë punës së tyre, nuk përjashtohen rastet e kërcënimeve.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se institucioni i Prokurorit është tërësisht i pavarur dhe i paanshëm në kryerjen e detyrave të veta.
Kurse, prokurori Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me mediat nga Prokuroria Speciale e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se cdo herë që ka kërcenime prokurorët duhet të kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje.
"Për shkak të natyrës së punës që bëhet nga prokurorët, sidomos nga Prokuroria Speciale, mund të ketë raste të këtilla, por ne si prokurorë çdo herë kur hasim në ato raste, e kemi atë mekanizmin tonë që t'i njoftojmë eprorët tanë e përmes eprorëve edhe Policinë e Kosovës, do të thotë mos t'i lëmë në heshtje ato raste se nuk është se jemi duke punuar diçka privat këtu, por ne jemi në zbatim të ligjit dhe kërkojmë mbrojtje që të jemi të pavarur në punën tonë", tha Hoxha.
Hoxha tha se prokurorët në sistemin e drejtësisë në Kosovë, kanë nevojë për një mbështetje të vazhdueshme institucionale në punën e tyre që bëjnë. Prokurori Hoxha tha se kërcënimet apo pengimet në punë për prokurorët mund të jenë të ndryshme.
"Rastet mund të jenë të natyrave të ndryshme edhe prej njerëzve që janë me ndikim, që janë në politikë, por edhe prej njerëzve të tjerë që janë të krimit të organizuar, grupe të ndryshme të grupeve të interesit. Për fat të keq gjatë punës, gjatë përditshmërisë ndodhin", tha Hoxha.
Mosraportimi i kërcënimeve nga politika
Ehat Miftaraj, njohës i sistemit të drejtësisë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se nga kontaktet e vazhdueshme me gjyqtarë, prokurorë dhe policë hetues, lidhur me punën e tyre që bëjnë, kryesisht me rastet e nivelit të lartë hasin në vështirësi brenda sistemit për t'i ushtruar kompetencat e përgjegjësitë e tyre në bazë të ligjit.
"Mund të themi se fatkeqësisht në sistemin e drejtësisë së Kosovës është ndërtuar një klimë jashtëzakonisht e pafavorshme e cila nuk ofron siguri të mjaftueshme për gjyqtarë, prokurorë, por edhe policë që t'i kryejnë obligimet e tyre në bazë të ligjit", tha Miftaraj.
Miftaraj shpreh mendimin se kërcënimet nga politika, dhe mosraportimi i korrupsionit nga vet brenda sistemit të drejtësisë është një brengë jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e tjera në rajon dhe më gjerë.
"Në rastin e Kosovës, me vet faktin se kemi një numër jashtëzakonisht të madh të rasteve të korrupsionit të brendshme të cilat publikohen në media e të cilat pastaj trajtohen nga prokurorët e caktuar apo nga policët e të njëjtat raste humbin nga sytë publikut e mbyllen. Kjo dëshmon se nuk ka në radhë të parë vullnet politik brenda vet sistemit gjyqësor e prokurorial për t'i trajtuar këto raste. Në anën tjetër, nuk ka siguri e hapësirë të mjaftueshme për gjyqtarë e prokurorë të cilët me të vërtetë janë të ndershëm që t'i kryejnë obligimet e tyre në bazë të ligjit në mënyrë të pavarur", tha Miftaraj.
Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë kanë reaguar pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj i cili ka qenë duke hetuar disa raste të mëdha.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie ka thënë se prokurori special, Elez Blakaj, kishte kërcënime për shkak të punës së tij.
“Kosova duhet të dëshmojë përkushtimin e saj për sundim të ligjit", ka thënë pos tjerash Delawie pas dorëheqjes së prokurorit Blakaj.