Senati amerikan ka shfajësuar ish-presidentin Donald Trump, për akuzat për "nxitje të kryengritjes" lidhur me protestat e dhunshme në Kongresin amrikan më 6 janar, ku mbetën të vdekur të paktën pesë persona.
Gjatë votimit, 57 senatorë votuan që Trump të shpallej fajtorë dhe 43 votuan kundër. Shtatë republikanë votuan që ish-presidenti amerikan të shpallej fajtor.
Që Trump të shpallej fajtor për akuzat për nxitje të kryengritjes, duheshin 67 vota.
Pas votimit në Senat, ish-presidenti Trump, përmes një deklarate tha se gjyqi ndaj tij ishte një fazë tjetër “e gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e vendit tonë".
Në këtë deklaratë, ku Trump nuk dënoi protestuesit që sulmuan Kongresi, ai tha se "lëvizja jonë historike dhe patriotike për ta bërë Amerikën të mrekullueshme sërish sapo ka nisur".
"Në muajt në vazhdim, do të ndaj shumëçka me ju dhe mirëpres që të vazhdoj këtë rrugëtim së bashku që të arrijmë madhështinë amerikane për të gjithë njerëzit tanë", tha ish-presidenti Trump.
Kjo është hera e dytë që Trump shfajësohet në Senatin amerikan.
Në teori, ky votim i lejon Trumpit që të garojë sërish për president të SHBA-së në zgjedhjet e vitit 2024.
Demokratët: Votim i turpit
Pas shfajësimit të Trumpit, lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, e cilësoi këtë votim si “votim të turpit”.
“6 janari do të jetë ditë e turpit. Dështimi për ta dënuar Donald Trumpin do të jetë një votë e turpit në historinë e Senatit amerikan”, tha Schumer.
Ai kritikoi senatorët që votuan për ta shfajësuar Trumpin duke thënë se emrat e tyre “do të jenë përkrahë” emrit të Trumpit në librat e historisë.
Lideri i republikanëve në Senat kritikon Trumpin
Lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell pas votimit, ku ai votoi për ta shfajësuar Trumpin, tha se Kushtetuta thotë se vetëm presidenti, nënpresidenti apo nëpunësit civilë mund të shpallen fajtor përmes gjyqit në Senat.
“Ne nuk kemi fuqi që të dënojmë apo diskualifikojmë një ish-president, i cili tani është qytetar privat”, tha ai.
Por, McConnell shtoi se "nuk ka asnjë pikëpyetje që presidenti Trump është praktikisht dhe moralisht përgjegjës për provokimin e ngjarjeve të asaj dite. Njerëzit që sulmuan këtë ndërtesë besonin se po vepronin sipas dëshirave dhe instruksioneve të presidentit të tyre", tha ai.
McConnell, që ka qenë një aleat i Trumpit, e kritikoi atë se ka promovuar teori të paqëndrueshme lidhur me mashtrimet zgjedhore dhe për mosreagim pasi që “kaosi nisi” më 6 janar.
“Teksa policët u gjakosën nga xhamat e thyer që mbuluan dyshemetë në Kongres, ai (Trump) vazhdoi që të përsëris gënjeshtrat për mshtrime zgjedhore dhe duke lavdëruar kriminelët”, tha McConnell.
Gjyqi i dytë ndaj Trumpit
Gjyqi i dytë ndaj Trumpit nisi pasi Dhoma e Përfaqësuesve, me kërkesën e demokratëve miratoi një artikull për gjykim, për nxitjen e kryengritjes.
Më pas çështja kaloi në Senat, ku demokratët dhe ekipi mbrojtës i Trumpit paraqitën argumentet e tyre për këtë çështje.
Avokatët e Trumpit kanë paraqitur argumentet e tyre më 12 shkurt, duke shfrytëzuar vetëm tri orë nga 16 sa kishin në dispozicion.
Të paktën 17 republikanë duhej të votonin, së bashku me të gjithë demokratët dhe të pavarurit, që të arrihet dy e treta e shumicës së kërkuar, që Trump të shpallej fajtor.
SHIKONI EDHE: “Dënojeni Trumpin, ose dhuna mund të përsëritet”
Gjatë tri orëve, mbrojtja e Trumpit më 12 shkurt, tha se demokratët nuk kanë treguar asnjë të dhënë që dëshmon se ish-presidenti ka nxitur trazirat dhe i ka akuzuar ata se ka përdorur gjyqin si pjesë e një përpjekje “për të eliminuar politikisht një kundërshtar”.
Ekipi i mbrojtjes së Trumpit mohoi se ish-presidenti ka nxitur trazirat, ku kanë vdekur të paktën pesë persona përfshirë edhe një zyrtar policor, duke argumentuar se gjyqi është nxitur nga “urrejtja” që kanë demokratët ndaj Trumpit.
“Urrejtja është në zemrën e përpjekjeve të menaxherëve të Dhomës së Përfaqësuesve të cilët fajësojë Donald Trumpin për akte kriminale”, tha avokati i Trumpit, Michael van der Veen said.
Van der Veen gjithashtu theksoi se kur Trumpi inkurajoi mbështetësit e tij që “të luftojnë si ferr” në një tubim të mbajtur pak para se të ndodhnin ngjarjet e dhunshme në Kongres, ishte “retorikë e zakonshme politike që praktikisht nuk dallon nga gjuha që është përdorur nga njerëzit në gjithë spektrin politik për qindra vjet”.
Ai gjithashtu ka shfaqur edhe disa video të anëtarëve të Kongresit të cilët përdorin fjalën “luftë” në fjalimet e tyre.
Avokatët e Trumpit po ashtu theksuan se në fjalimin e tij më 6 janar, Trump inkurajoi turmën që të sillej në “mënyrë paqësore” dhe ata po ashtu thanë se komentet e ish-presidentit mbi mosbesimin e tij ndaj rezultateve të zgjedhjeve, mbrohen si liri e shprehjes, që garantohet në Kushtetutën amerikane.
Demokratët e kundërshtojnë fuqishëm këtë pretendim, duke argumentuar se fjalët e përdorura nga Trumpi, përbëjnë nxitje të drejtpërdrejtë të dhunës. Gjatë prezantimeve të tyre në Senat, më herët gjatë kësaj jave, demokratët e cilësuan Trumpin si “nxitësin kryesor”, ku sipas tyre, ai fillimisht përhapi pretendime të rreme për mashtrime zgjedhore dhe më pas inkurajoi mbështetësit e tij që të vinin më 6 janar në Uashington dhe të sfidonin rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, 2020.
SHIKONI EDHE: Demokratët akuzojnë Trumpin si "nxitësin kryesor të trazirave"Pasi humbit zgjedhjet, Trumpi shpenzoi javë të tëra duke sfiduar rezultatin zgjedhor, por rastet që ekipi i tij solli në gjykatat në mbarë vendin, u hodhën poshtë.
Trumpi kishte mbajtur një fjalim para mbështetësve të tij, pak kohë para se Kongresi të niste certifikimin e votave të Kolegjit Zgjedhor. Ai po ashtu kishte inkurajuar nënpresidentin, Mike Pence që të refuzonte certifikimin e rezultateve, si përpjekje për të përmbysur rezultatin e 3 nëntorit.
Avokatët e Trumpit nuk kanë kundërshtuar se protestat në Kongres ishin të dhunshme, por ata thanë se këto akte janë kryer nga persona, që e shndërruan një protestë që ishte paraparë të ishte paqësore në të dhunshme. Ata thanë po ashtu se protestuesit kishin planifikuar që ngjarjet të ishin të dhunshme, para se Trump t’iu drejtohej mbështetësve të tij.