Ndërlidhjet

Demokratët akuzojnë Trumpin si "nxitësin kryesor të trazirave"


Procesi i gjykimit të ish-presidentit Donald Trump në Senat.
Procesi i gjykimit të ish-presidentit Donald Trump në Senat.

Ligjvënësit demokratë paraqitën faktet e tyre në gjyqin kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në Senat.

Ata thanë se Trump ishte “nxitësi kryesor” i trazirave vdekjeprurëse në Kongresin amerikan më 6 janar.

Gjatë disa orëve, një ekip i demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët po shërbejnë si prokurorë, paraqitën prova kundër Trumpit, duke përfshirë edhe video të sulmit në Kongres nga ana e mbështetësve të tij, dhe fragmente nga fjalimet dhe postimet e Trumpit në Twitter.

Ligjvënësi demokrat, Jamie Raskin, duke folur në seancën gjyqësore të Senatit tha se provat që ata do të paraqesin, do të dëshmojnë se komentet e Trumpit nuk ishin thjesht një retorikë.

Demokratët akuzuan ish-presidentin, se duke gënjyer që zgjedhjet e 3 nëntorit janë vjedhur, i ka nxitur mbështetësit e tij, duke u thënë atyre se ishte detyrë e tyre patriotike të "luftonin" për ta përmbysur rezultatin zgjedhor.

Demokratët paraqitën shumë postime të Trumpit të bëra në rrjetin social Twitter, të cilat i kishte postuar që nga mbajtja e zgjedhjeve. Në kuadër të këtyre postimeve ishte edhe një thirrje për mbështetësit e tij që të marrin pjesë në një ngjarje në Uashington, për të cilën Trump kishte shkruar se do të jetë “e egër”.

Menaxherët e Dhomës së Përfaqësuesve thanë se ish-presidenti humbi mundësinë që t’u thotë protestuesve të shmangin dhunën. Në vend të kësaj, siç thanë ata, ai dyfishoi thirrjet e tij ndaj tyre që të mos e pranojnë rezultatin zgjedhor.

Në seancë ata, gjithashtu, paraqitën disa postime të mbështetësve të Trumpit, të cilët thoshin se po ndiqnin urdhrat e tij.

Pika kyçe ku u përqëndruan ligjvënësit demokratë ishte fjalimi i Trumpit më 6 janar para Shtëpisë së Bardhë. Atë ditë edhe ndodhi sulmi ndaj Kongresit amerikan nga ana e mbështetësve të tij, derisa ligjvënësit po certifikonin fitoren e presidentit Joe Biden.

Ligjëvënësja demokrate, Madeleine Dean, duke folur për këtë fjalim të Trumpit përmendi faktin se ish-presidenti i tha turmës që të marshojnë drejt Kongresit në mënyrë paqësore dhe patriotike dhe të “dëgjohen zërat e tyre” .

Por, ajo tha se kjo ishte hera e vetme që Trump gjatë fjalimit përmendi fjalën paqësore.

Sipas saj, ai 20 herë tjera përmendi fjalën luftim. Madje, Trump i tha turmës së duhej të “luftonin si ferr”.

Demokratët paraqitën edhe video në të cilat mbështetësit e Trumpit dëgjoheshin duke kërcënuar me vdekje kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe nënpresidentin e atëhershëm, Mike Pence.

Ligjvënësja Stacey Plaskett tha se Pelosi me të shpejtë u dërgua në një vend të sigurt dhe se protestuesit do ta kishin vrarë nëse do të kishin zënë atë.

“Ata e kërkuan Pelosin sepse Trump i dërgoi në këtë mision”, tha ajo.

Gjatë paraqitjes së akuzave, ligjëvënsit demokratë thanë se Trump ka nxitur trazirat edhe para zgjedhjeve duke inkurajuar dhunën përmes pretendimeve të pabazuara për mashtrime zgjedhore.

“Në pranverën e kaluar ai e kuptoi se mund të humbte zgjedhjet dhe filloi të nxisë zemërim te mbështetësit e tij duke u thënë se ai mund të humbasë vetëm nëse do të ketë vjedhje në zgjedhje”, tha ligjëvënsi demokrat, Joseph Neguse.

Në Senat, demokratët kanë nevojë për votat e të paktën 17 republikanëve për të arritur shumicën e dy të tretave të nevojshme për të dënuar Trumpin.

Dënimi i tij po konsiderohet i pamundur. Në rast se do të dënohej pastaj Senati do të mund të votonte për t’ia ndaluar Trumpit që të kandidojë përsëri në këtë post.

Senatori republikan, Josh Hawley, tha se akuzat e prokurorëve përbënin informacione që tashmë ishin publike.

Senatori tjetër republikan, Ron Johnson, e përshkroi gjyqin si "mjaft të lodhshëm" duke shtuar se do të ishte më mirë nëse të dyja palët do të paraqisnin argumentet e tyre në mënyrë që kjo të “përfundojë sa më shpejt”.

Por, senatorët Lisa Murkowski dhe Mitt Romney, të cilët e përkrahin dënimin e Trumpit, thanë se ishin thellësisht të shqetësuar nga dëshmitë e paraqitura nga demokratët.

Sipas rregullave të procesit gjyqësor të shkarkimit, menaxherët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë një afat prej 16 orësh për të paraqitur dëshmitë e tyre. Më pas ekipi mbrojtës i Trumpit do të ketë 16 orë për të paraqitur argumentet mbrojtëse.

Ekipi mbrojtës i Trumpit do të paraqesë argumentin se retorika e tij hyn në kuadër të fjalës së lirë, të cilën e mbron Kushtetuta dhe se personat që hynë në Kongres janë përgjegjës për sjelljet e tyre kriminale.

Ata, gjithashtu, thonë se gjyqi është i motivuar politikisht.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG