Shumë persona nga Serbia, të cilët organet e ndjekjes penale në Kosovë i shohin si përgjegjës për krime lufte gjatë periudhës 1998-99, mund të gjykohen në mungesë nën dyshimet për krime lufte në Kosovë, thonë autoritetet në Prishtinë.
Gjykimet për rastet e krimeve të dyshuara të luftës, janë kthyer në një top-prioritet për institucionet e Kosovës, tani 20 vjet pas përfundimit të konfliktit, i cili si pasojë la më shumë se 13 mijë viktima në njerëz dhe shumë krime tjera të pandriçuara.
Video nga arkivi: Sa persona janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë?
Your browser doesn’t support HTML5
Personat që autoritetet në Kosovë i shohin përgjegjës për këto krime, sipas organeve të rendit, kryesisht jetojnë në Serbi, por edhe në ndonjë vend tjetër të rajonit. Sjellja e tyre para drejtësisë në Kosovë, konsiderohet gati e pamundshme, pasi që Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, andaj rrjedhimisht edhe nuk mund të ketë një marrëveshje ekstradimi.
Ministria e Drejtësisë ka proceduar për miratim në Kuvendin e Kosovës plotësim ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, ku është paraparë edhe dispozita për gjykimin dhe dënimin në mungesë.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, mendon se gjykimi edhe në mungesë i këtyre personave e ka domethënien dhe kuptimin e vet dhe sapo pak shpaguan edhe borxhin ndaj viktimave.
“Ne jemi të vetëdijshëm se nuk është e lehtë t’i sjellim në Kosovë të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës së viteve 1998-99, mirëpo është me rëndësi të kalojë kjo predispozitë për faktin që pavarësisht nëse nuk mund t’i arrijmë t’i nxjerrim fizikisht në gjykatat tona, këta njerëz të marrin dënimin e merituar dhe të jenë të ndjekur nga drejtësia kosovare që herë do kur ta vuajnë dënimin për krimet e kryera. Në fund të fundit, dënimi i kriminelëve të luftës është e vetmja rrugë për të jetuar së bashku si komunitete në Republikën e Kosovës”, theksoi Tahiri.
Gjatë javës së fundit, në Prishtinë, institucionet ndërmorën disa nisma që si qëllim kishin adresimin e çështjeve që ndërlidhen me gjykimet për krime lufte.
Krahas nismës për plotësim ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli po synon që institucionet e vendit të angazhojnë jo vetëm agjenci shtetërore, por edhe kompani ndërkombëtare për të krijuar, siç ka thënë ai, një Tribunal Ndërkombëtar për krime lufte, edhe pse një nismë e tillë, sipas njohësve të Drejtës Penale është parë gati e parealizueshme, pasi që kërkon mbështetjen, financimin ndërkombëtar, përfshirë edhe aprovimin nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, pjesë e të cilës nuk është ende Kosova.
SHIKONI EDHE: Formalizohet nisma për tribunal për krimet e SerbisëSkeptike për nismën e kryetarit të Kuvendit, është shprehur edhe deputetja Saranda Bogujevci.
Më 28 mars të vitit 1999 në Podujevë, pjesëtarë serbë të formacionit “Shkorpionët” kanë vrarë 14 persona, nga familjet Bogujevci e Duriqi, në mesin e tyre gra dhe fëmijë. Pesë fëmijë të plagosur rëndë kanë mbijetuar, në mesin e tyre edhe Saranda Bogujevci, aktualisht deputete. Ajo thotë se gjykime duhet të ketë, por preferon që këtë punë ta kryejnë gjykatat e Kosovës.
“Janë disa aspekte sa i përket çështjes së Tribunalit Ndërkombëtar. E para është që një Tribunal Ndërkombëtar duhet të kërkohet nga dikush, duhet të financohet nga dikush dhe në fakt, tash për tash ne nuk i kemi kompetencat për të formuar atë. Kështu që kjo më bën skeptike për realizimin e këtij qëllimi. Personalisht nuk jam për një Tribunal Ndërkombëtar, por jam për një gjykatë për krime lufte këtu brenda Kosovës”, tha Bogujevci.
Dhunimet gjatë luftës, përbëjnë një prej krimeve më të tmerrshme. Ndonëse kurrë nuk janë publikuar shifra bindëse, në bazë të asaj që e deklarojnë krerët e institucioneve dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, del se gjatë konfliktit kishte rreth 20 mijë raste të dhunimeve.
Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për rehabilitimin e viktimave të torturës, thotë se gjykimi i këtyre krimeve do të sillte jo vetëm drejtësi, por edhe do të vetëdijesonte njerëzit në Serbi, për krimet e tmerrshme që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
“Pa drejtësi, pa ndëshkim të këtij krimi nuk ka qetësi për 20 mijë gra e burra, por edhe 100 mijë familjarët e tyre, sepse edhe familjarët e tyre vuajnë dhe bartin pasojat. Kështu që ne nuk mund të ecim përpara si shoqëri pa ndëshkuar krimet e tilla të luftës. Ne nuk mund të ndërtojmë as fqinjësi të mirë, sepse Serbia duhet ta dinë të vërtetën dhe vetëm duke i gjykuar rastet, ne mund ta mësojmë të vërtetën si për fqinjët tanë, ashtu edhe për gjeneratat që vijnë”, tha Rushiti.
SHIKONI EDHE: Për viktimat e dhunës seksuale kërkohet drejtësi nga Kombet e BashkuaraAktualisht, në Kosovë ekziston një Gjykatë Speciale për krime lufte me seli në Hagë të Holandës, me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë, por e cila konsiderohet gjykatë vendore, pasi që funksionon në bazë të ligjeve të Kosovës.
Ajo është themeluar mbi bazën e raportit të senatorit Dick Marty të prezantuar para Këshillit të Evropës, në të cilin ngriten dyshime për krimet e kryera ndaj civilëve serbë nga ana e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, sado që kjo gjykatë është cilësuar se do të trajtojë vetëm krimet e supozuara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, në rast të ofrimit të provave dhe dëshmive, besohet se ajo mund të merret edhe me raste tjera që ndërlidhen me fushën e krimeve të luftës.
*Video: Çka është Gjykata Speciale?
Your browser doesn’t support HTML5
Gjatë vizitës së parë në Kosovë, në vitin 2017, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova pati deklaruar se ligji i cili është vënë në fuqi nga Parlamenti i Kosovës thekson se kushdo, që është qytetar, shtetas i Kosovës, apo i ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, mund të mbahet përgjegjës, nëse ka kryer krime kundër njerëzimit, krime të luftës.
Përderisa gjykimet në mungesë nga ana e organeve të drejtësisë në Kosovë shihen si mundësi reale për t’u zbatuar në praktikë, nisma për Tribunalin Ndërkombëtar në Prishtinë, edhe pse ende në fazën fillestare të debateve, nuk është komentuar ende nga askush nga qarqet relevante ndërkombëtare.
SHIKONI EDHE: Dokumentimi i krimeve të luftës, mision i papërmbushur në KosovëNdërkaq, sipas analistëve në Kosovë, marrë parasysh që tash e 20 vjet nuk është ngritur çështja e krimeve të Serbisë në Kosovë, ideja për themelimin e Tribunalit për krimet e Serbisë në Kosovë, mund të shihet edhe si tentim për krijimin e një kundërpeshe karshi Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që njihen si Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, e cila do t’i trajtojë krimet e pretenduara se janë bërë nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pretendime të cilat janë ngritur nga Dick Marty në Raportin e tij për Parlamentin Evropian.
Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës ka në procedurë edhe një draft-rezolutë për dënimin e, siç thuhet, gjenocidit serb në Kosovë. Ajo pritet të prezantohet në versionin final para Kuvendit të Kosovës.