Ndërlidhjet

Për viktimat e dhunës seksuale kërkohet drejtësi nga Kombet e Bashkuara


Instalacioni “Mendoj për ty” i artistes Alketa Xhafa-Mripa, kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Instalacioni “Mendoj për ty” i artistes Alketa Xhafa-Mripa, kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përdhunimet, konsiderohen ndër krimet më të tmerrshme që njeh njerëzimi dhe të cilat, si në shumë vende të botës ku kishte apo ka lufta e konflikte, ndodhën edhe në Kosovë gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 .

Mimoza (emër i njohur për redaksinë) është një nga 20 mijë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo është dhunuar nga pjesëtarët e forcave serbe, në vitin 1999.

Në atë kohë Mimoza ishte 24-vjeçare dhe kujdesej për prindërit e saj. Por, për një ditë, jeta e saj mori një kthesë tjetër.

“Unë kam qenë fëmija i vetëm në familje. Nuk kam motër as vëlla. Për prindërit e mi kam qenë gjithçka. Në vitin 1999, kanë hyrë tre policë serbë në shtëpi dhe kanë filluar t’i rrahin prindërit e mi. Më pas janë kthyer nga unë dhe prej tre policëve, njëri para syve të prindërve më ka dhunuar. Prindërit e kanë përjetuar shumë keq. Mua më pas më kanë tërhequr zvarrë dhe më kanë lënë në rrugë. Edhe më kanë rrahur shumë”, kishte rrëfyer Mimoza në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në vitin 2017.

*Video nga arkivi: Dy rrëfime dhunimesh gjatë luftës

Dy rrëfime dhunimesh gjatë luftës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:04:21 0:00

Për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në vitet 1998-1999 po kërkohet drejtësi ndërkombëtare.

Në mesin e muajit të kaluar Bordi Drejtues i Grave të Kosovës, ka dorëzuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara peticionin e qytetarëve të Kosovës përmes së cilit kërkohet drejtësi ndërkombëtare.

Edita Tahiri, kryetare e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore, njëherësh ideatore e peticionit në Kosovë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se pas përpjekjeve që zgjatën plotë pesë vjet, është arritur që peticioni, në versionin elektronik, t’i dorëzohet Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

“Ka qenë takim ku kemi diskutuar për problemet lidhur me gratë e dhunuara gjatë luftërave në Ballkan, pra në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci. Shqetësimet tona kanë qenë se përse Ballkani është nën hije dhe nuk përmendet fare, sikur nuk kanë ndodhur luftërat. Dhe çështja e grave të dhunuara mbahet disi e fshehur, me tendencë apo pa tendencë”, tha Tahiri.

Ky peticion ishte nënshkruar në vitin 2014, nga më shumë se 110 mijë qytetarë në gjithë territorin e Kosovës, përjashtuar komunat e banuara më shumicë serbe. Synim i këtij peticioni ka qenë dhe mbetet që, siç thuhet, “kryesit e krimeve gjenocidale në Kosovë”, të dalin para organeve të drejtësisë.

Tahiri shpreson se pas dorëzimit të peticionit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) do të krijohen mekanizma ndërkombëtarë, që fajtorët apo përgjegjësit të cilët kanë ushtruar dhunë seksuale, të marrin dënimin e merituar.

“Tash OKB-ja nuk mund të thotë se nuk e dinë problemin dhe nuk mund të thotë se Kosova nuk ka kërkuar drejtësi ndërkombëtare. Dhe e dyta, nga historia e drejtësisë për gratë e dhunuara gjatë luftërave nëpër botë, kjo drejtësi ndodh që nuk vjen shpejtë, kjo drejtësi vonon, por vjen një ditë”.

“Kur po them se vonohet, po flas për shembuj që kanë ndodhur në botë, por një ditë do të vjen. Një ditë duhet të krijohet një gjykatë ndërkombëtare dhe gjithë fajtorët për krime duhet të dalin para drejtësisë e të dënohen në mënyrë të merituar. Me këtë, do t’iu kthehej dinjiteti viktimave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, por edhe në Ballkan”, tha Tahiri.

Edhe Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për rehabilitimin e viktimave të torturës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se drejtësia ndërkombëtare është shumë e rëndësishme për viktimat e dhunës seksuale, pasi në nivel të shtetit nuk ka drejtësi për këtë kategori.

Rushiti shpreson se ky peticion të paktën të alarmojë situatën aktuale se në çfarë situate gjenden viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. Ajo thotë se në raportet e OKB-së ku raportohet dhuna seksuale në vendet në konflikt dhe pas konfliktit, Kosova nuk është potencuar fare, fatkeqësisht as vitin e kaluar.

“Me një presion të vazhduar nga organizata jonë dhe ambasadores së Kosovës në Uashington (Vlora Çitaku) dhe konsulles se përgjithshme në Nju Jork (Teuta Sahatqija), është arritur të debatohet dhe sfidohet ky raport kur është shpalos në sesionin e radhës në OKB”.

“Kështu që shpresoj që edhe ky peticion të paktën të alarmojë situatën aktuale se në çfarë gjendje viktimat e dhunës seksuale dhe të avokojë për çështjen e drejtësisë ndërkombëtare për viktimat e dhunës seksuale”, tha Rushiti.

Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International në raportin e saj të fundit për këtë çështje në vitin 2017, ka thënë se për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ende nuk është vënë drejtësi. Nga 20 mijë raste të dhunimit, thuhet se deri më tash janë dënuar vetëm 5 persona. Sipas kësaj organizate, të mbijetuarat “e dhunës së tmerrshme seksuale, tash e disa vite kanë qenë të tradhtuara nga bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë e ndryshme”.

Përderisa drejtësia për gjykimin e këtyre krimeve po vonon, në Kosovë janë krijuar mekanizma ligjorë për t’i ndihmuar të gjitha viktimat e dhunës seksuale.

Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, në bazë të ligjit në fuqi përfitojnë benificione prej 230 euro në muaj.

Sipas ligjit, viktimë e dhunës seksuale të luftës është personi i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës së 27.02.1998 deri më 20.06.1999. Viktima të dhunës seksuale gjatë luftës janë si femrat ashtu edhe meshkujt, ndonëse numri më i madh i tyre i takon gjinisë femërore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG