Krizë mbi krizë
2 shkurt 2020 - Pas katër muajsh përpjekjeje, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës u pajtuan për koalicion të bashkëqeverisjes.
3 shkurt 2020 - Me 66 vota për, asnjë kundër dhe dhjetë abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për formimin e qeverisë së re.
11 mars 2020 - Rritja e numrit të rasteve me COVID-19 në vendet e rajonit, bëri që Qeveria e Kosovës t’i mbyllë të gjitha shkollat në nivel vendi deri më 27 mars. Pak kohë më vonë filloi mësimi në distancë.
13 mars 2020 - Në Kosovë u regjistruan rastet e para me koronavirus. Qeveria filloi masat parandaluese duke vendosur disa fshatra e komuna të tëra në karantinë. Rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus, shtyu qeverinë që ta fusë Kosovën në izolim total për gati tre muaj.
18 mars 2020 - Shfaqen mospajtime në qeverisjen LVV-LDK. Albin Kurti shkarkon ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun. LDK-ja nuk e pranon shkarkimin, nis procedurat për rrëzimin e qeverisë.
25 mars 2020 - Kuvendi i Kosovës, me 82 vota për, 32 kundër dhe një abstenim, rrëzon qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
30 prill 2020 - Pas takimit me Albin Kurtin dhe disa letrave drejtuar tij, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i dha të drejtën Avdullah Hotit të LDK-së që të formojë qeverinë e re.
28 maj 2020 - Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se ishte i ligjshëm dekreti i presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin për postin e kryeministrit. Vetëvendosje e kishte dërguar vendimin e Thaçit në Kushtetuese.
3 qershor 2020 - Në një seancë të Kuvendit të Kosovës, me 61 vota për, Avdullah Hoti, u bë kryeministër i Kosovës.
6 qershor 2020 - Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, hoqi çdo masë për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
24 qershor 2020 - Presidenti Hashim Thaçi anulon shkuarjen në SHBA pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, njoftoi se kishte dorëzuar për shqyrtim një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
4 shtator 2020 - Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën marrëveshje për normalizim ekonomik. Marrëveshja u nënshkrua në prezencë presidentit amerikan, Donald Trump dhe anëtarë të kabinetit të tij.
24 shtator 2020 - Gjykata Speciale për herë të parë arrestoi një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Prishtinë u arrestua Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së.
25 shtator 2020 - Gjykata Speciale arreston kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatin si dhe nënkryetarin e kësaj organizate, Nasim Haradinajn.
4 nëntor 2020 - Pas disa orë bastisjesh në shtëpinë e tij, Jakup Krasniqi arrestohet dhe dërgohet në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
5 nëntor 2020 - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi jep dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
5 nëntor 2020 - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dërgohet në qendrën e paraburgimit në Hagë.
5 nëntor 2020 - Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Rexhep Selimi dërgohet në qendrën e paraburgimit në Hagë.
29 nëntor 2020 - Instituti i Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se numri i të vdekurve nga COVID-19 ka kaluar mbi 1,000. Këtë ditë, IKSHPK-ja njoftoi për edhe 16 raste të reja të vdekjes së pacientëve me COVID, duke arritur kështu shifrën prej 1,005.
29 nëntor 2020 - Të sfiduar nga pandemia e COVID-19, institucionet organizuan zgjedhjet në nivel lokal në Komunën e Podujevës si dhe atë të Mitrovicës së Veriut.
21 dhjetor 2020 - Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së. Qeveria u rrëzua dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.