Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, sërish u deklaruan të pafajshëm, teksa në Hagë u mbajt dita e dytë e gjykimit ndaj tyre dhe Jakup Krasniqit e Kadri Veselit, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjatë një deklarate të shkurtër para trupit gjykues pranë Dhomave të Specializuara, ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, shprehu keqardhje për të gjitha viktimat e luftës më 1998/99, pavarësisht etnisë, fesë apo përkatësisë së tyre politike.
Thaçi flet për akuzat për trafikim organesh
Thaçi tha se tani është vërtetuar se as ai e as UÇK-ja nuk kanë kryer veprën e trafikimit të organeve – akuzë e bërë nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, që u konkretizua në një raport të Këshillit të Evropës më 2011. Pikërisht ky raport ishte pikënisja e thirrjeve për themelimin e Dhomave të Specializuara, institucion që deputetët e Kuvendit të Kosovës e themeluan më 2015.
"Bota tani e di sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe rreja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ja ka vlejtur", tha Thaçi.
Thaçi theksoi se nuk mund të arrihet drejtësi për viktimat, duke përndjekur "të pafajshmit".
*Video: Deklarimi i Thaçit para Gjykatës Speciale
Your browser doesn’t support HTML5
Selimi pret të shpallet i pafajshëm
Pak kohë pas deklarimit të Thaçit, para trupit gjykues foli edhe Rexhep Selimi, që në kohë të luftës, sipas Gjykatës Speciale në Hagë, kishte qenë Inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së.
Ai tha se shtypja e vazhdueshme e shqiptarëve nga autoritetet serbe bën që ai të zgjidhte rrugën e rezistencës, e jo të largimit nga Kosova, siç kishin vepruar shumë të rinj në vitet ’90.
Sa i përket akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Selimi u shpreh se në fund të procesit pret që të vërtetohet pafajësia e tij.
“Pas themelimit të kësaj gjykate, jo rrallë herë jam pyetur se a kisha frikë nga drejtësia. Gjithmonë kam thënë dhe sot e përsëris: unë nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Por, pavarësisht kësaj unë qëndroj sot përballë jush me besimin e plotë se në fund të këtij procesi ju do të vendosni në favor të pafajësisë time”, theksoi ai.
*Video: Adresimi i Selimit para Dhomave të Specializuara
Your browser doesn’t support HTML5
Në seancën gjyqësore të 4 prillit, ekipet mbrojtëse të Thaçit, Veselit dhe Selimit, paraqitën kundërshtimet e tyre lidhur me akuzat që janë ngritur ndaj klientëve të tyre.
Mbrojtja hedh poshtë akuzat e ZPS-së
Avokatët e Hashim Thaçit gjatë deklaratave hyrëse argumentuan se klienti i tyre, duke mbajtur postin e drejtorit politik të UÇK-së, e më vonë të kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme, nuk kishte pasur përgjegjësi e as nuk e kishte kontrolluar UÇK-në.
Avokati Gregory Kehoe disa herë përsëriti se pushtetin real në luftë e kishin komandantët e zonave të UÇK-së, e jo drejtoria politike që e udhëhiqte Thaçi, e as Shtabi i Përgjithshëm.
“Hashim Thaçi nuk kontrollonte UÇK-në, e kontrollonin komandantët e zonave”, tha ai.
*Video: Mbrojtja e Thaçit flet lidhur me atë se kush e kontrollonte UÇK-në
Your browser doesn’t support HTML5
Ai tha se pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar se Thaçi, dhe të akuzuarit e tjerë, udhëhiqnin një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që synonin të merrnin kontrollin e Kosovës, nuk qëndrojnë.
Mbrojtja e Thaçit u përqendrua shumë në çështjen nëse Thaçi kishte fuqi të vërtetë mbi UÇK-në.
Avokati Kehoe tha se pafuqia e Thaçit dhe e Shtabit të Përgjithshëm vërtetohet në rastin kur Thaçi, së bashku me Azem Sylën – që atëbotë ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së – në kohën kur ishin në Rambuje për negociatat e marrëveshjes së dhënies fund të konfliktit – nuk patën fjalë në ndërrimin e kryekomandantit.
Ai kujtoi se ishin komandantët lokalë të zonave, që emëruan Sylejman Selimin në postin e komandantit të përgjithshëm.
“Hashim Thaçi nuk kishte mundësinë të parandalonte apo të ndëshkonte krimet që ndodhnin nëpër zona. Pushteti real u takonte komandantëve të zonave”, tha ai.
Mbrojtësit e Thaçit po ashtu argumentuan se UÇK-ja nuk kishte një strukturë efikase dhe strukturë komande, ashtu siç pretendon ZPS-ja.
Avokati tjetër i Thaçit, Lluka Mishetiq, u ndal edhe të një aspekt tjetër. Ai tha se klienti i tij u kishte bërë thirrje serbëve që të qëndronin në Kosovë dhe se kishte shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me krimet që ishin kryer ndaj serbëve.
Video: Mbrojtja thotë se Thaçi punoi për të ndalur dhunën
Your browser doesn’t support HTML5
Në ditën e dytë të gjykimit, deklaratën hyrëse e bëri edhe Ben Emmerson, avokati i të akuzuarit Kadri Veselit, që në luftë kishte udhëhequr drejtorin e zbulimit të UÇK-së.
Emmerson argumentoi se ndaj klientit të tij nuk ka as prova e as dëshmitarë që e lidhin atë me ndonjë prej krimeve të pretenduara në aktakuzë.
“Nuk ka asnjë provë që ai të ketë autorizuar apo të ketë nxitur ndonjëherë ndonjë krim apo ndonjë politikë kriminale. Që ai të ketë marrë ndonjëherë në cilësinë si shef i zbulimit ndonjë raportim të ndonjë krimi të kryer apo që ai të ketë luajtur ndonjëherë çfarëdolloj roli në ngjarjet që kanë çuar në kryerjen e ndonjë krimi. Pra, nuk ka asnjë provë për këto pika. Fare”, theksoi Emmerson.
Video: Ndaj Veselit "nuk ka prova dhe dëshmitarë" që e lidhin me krimet e pretenduara
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërkaq, Geoffrey Roberts, mbrojtësi i Selimit, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar po sulmon trashëgiminë e UÇK-së.
Ai tha se nuk ka asnjë provë ndaj klientit të tij, që vërtetojnë se ai ka qenë pjesë “e ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, siç pretendon ZPS-ja.
“Në aktakuzë nuk ka aludime që Selimi ka urdhëruar ndonjë krim.Provat nuk dëshmojnë se Selimi ka kontribuar në emër të një plani të përbashkët kriminal”, tha ai, duke iu bashkuar edhe ekipeve të tjera mbrojtëse që argumentuan se UÇK-ja ishte një forcë guerile, pa strukturë të mirëfilltë udhëheqëse.
Ekipet mbrojtëse argumentuan se ish-krerët nuk kishin udhëhequr ndonjë fushatë përndjekjeje as ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës e as ndaj kundërshtarëve të tjerë të perceptuar të UÇK-së, siç pretendon organi i ndjekjes.
Më 5 prill, edhe mbrojtja e Jakup Krasniqit do të paraqesë deklaratat e saj hyrëse për rastin.
Ndërkaq, në ditën e parë të gjykimit, ZPS-ja paraqiti rastin e saj, duke argumentuar se të pandehurit kishin udhëhequr një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që sipas organit të akuzës synonte marrjen e kontrollit të Kosovës dhe shënjestronte kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së, që sipas prokurorisë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”.
SHIKONI EDHE:
Ish-krerët e UÇK-së “bënë luftë speciale kundër kolaboracionistëve e tradhtarëve"“Të pafajshëm” - Dita e parë e gjyqit kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së Provat e Prokurorisë: Komunikata të UÇK-së, intervista, dokumentarë, shënime personaleQë nga njoftimi për konfirmimin e aktakuzës në nëntor të vitit 2020, të katër ish-krerët e UÇK-së gjenden në paraburgim në Hagë.
Aktakuza i ngarkon ata për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
SHIKONI EDHE: Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?Rasti gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të zgjasë me vite, për shkak të numrit të madh të dëshmitarëve dhe provave që ZPS-ja ka thënë se do të paraqesë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime fillimisht ishin përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, që ishte hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Raporti i hapi rrugën themelimit të Speciales përmes votimit në Kuvendin e Kosovës më 2015.