Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Time Kadrijaj është ish-pjesëtarja e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ka pranuar ftesë për tu intervistuar nga Gjykata Speciale.
Ndonëse ende nuk e di cilësinë në të cilën është ftuar që të dëshmojë, deputetja Kadrijaj thotë se nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë në heshtje apo do të përgjigjet në pyetjet e Prokurorit të Specializuar.
“Do të kontaktoj me ndonjë prej avokatëve tonë dhe varësisht prej rekomandimeve që do të marrë prej avokatit edhe do të veproj. Unë jam e lumtur për atë periudhë kohore të jetës sime. Është periudha më e ndritshme dhe vazhdoj me qenë krenare me UÇK-në dhe luftën e pastër dhe të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Kadrijaj për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: Salihu: Pas intervistimeve, priten akuzat nga Gjykata SpecialeAvokati Arianit Koci, i cili është i akredituar për të përfaqësuar raste pranë Gjykatës Speciale, thotë se ky institucion është treguar i ngathët, pasi janë bërë gati tetë vite prej se fillimisht kishin nisur hetimet.
Koci thotë se Gjykata Speciale është duke menaxhuar në mënyrë të çuditshme edhe procesin e intervistimit të të dyshuarave dhe dëshmitarëve.
“Flitet, ka indikacione që është në fazën e fundit, hetimi i këtyre ditëve edhe pse nuk mundet të garantohet asgjë për shkak se tani e kemi një hetim të pazakontë që 7-8 vite të gjatë, kështu që nuk mundet askush saktësisht të parashikoj se kur do të përfundojnë hetimet dhe në çfarë forme do të ngiten aktakuzat eventuale. Sidoqoftë nëse vazhdon kështu me këtë ngathtësi Gjykata Speciale, e ashtuquajtura, unë do të jem i zëshëm që vitin tjetër mandati të mos i vazhdohet. Mbi të gjitha për të njëjtat çështje i ka trajtuar Tribunali i Hagës, Gjykata e UNMIK-ut si gjykatë ndërkombëtare, Gjykata e EULEX-it dhe gjykatat vendore”, tha Koci.
Në anën tjetër, Veteranët e luftës së UÇK-së, presin që të ketë numër më të madh të ish-pjesëtareve që do të ftohen nga specialja.
Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, tha numri i të ftuarve për intervistim nga Prokurori i Specializuar, pritet të rritet deri në fund të muajit gusht.
“Pritet një numër bukur i madh që këtë muaj të lajmërohen në Gjykatën Speciale. Kjo po dihet se më shumë është politike sesa për zbulimin e ndonjë rasti aty-këtu që flitet. Unë gjithmonë besoj se s’do të gjejnë faje dhe nuk do të ketë argumente për këto aktakuza”, tha Gucati.
Gucati është kritik ndaj liderëve politikë të cilët sipas tij, nuk e kishin seriozisht kur para pak muajsh tentuan që të shfuqizonin Gjykatën Speciale.
Gucati thotë se veteranët janë optimistë se në rast se do të ketë zgjedhje të reja, atëherë, një përbërje e Kuvendit do të votojë shfuqizimin e Speciales.
“Shpresojmë se në vitin 2020, do të bëhet shfuqizimi i kësaj gjykate, gjithmonë duke shpresuar sepse këta vet e kanë votuar dhe unë besoj se historia do t’i dënojë këta deputetë të parlamentit të Kosovës që e kanë votuar këtë Gjykatë Speciale të njëanshme”, deklaroi Gucati.
Më 19 korrik, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje të papritur pasi njoftoi se kishte pranuar ftesë për tu intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime të luftës.
Pas përfundimit të intervistimit në Gjykatën Speciale, Haradinaj tha se do të mbrohet në heshtje dhe se nuk është ngritur aktakuzë për te.
Nga Prokurori i Specializuar u intervistua edhe ish-anëtari dhe zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili njoftoi se ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Prej se ka filluar procesin e intervistimit, dhjetëra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë paraqitur për intervistim pranë Gjykatës Speciale me seli në Hagë.
Gjykata Speciale u formua pasi vet deputetët e Kuvendit të Kosovës, në gusht të 2015-s votuan për themelimin e saj.
Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?
Formimit të Gjykatës Speciale i parapriu një rezolutë në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.