Specialja, gati për aktakuzat e para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Ilustrim

Dhomat e Specializuara për krime lufte mund të nisin punën me procedimin e rasteve të dyshuara. Nga data 06 korrik, është konfirmuar se këto dhoma mund të procedojnë edhe me arrestimet dhe gjykimet eventuale.

E njohur me emrin Gjykata Speciale për krime lufte, mandati i saj përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshinë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Këto pretendime fillimisht ishin ngritur në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty të prezantuar para Këshillit Evropian.

Përfaqësuesit e kësaj Gjykate, thanë për Radion Evropa e Lirë se gjithçka është gati për fillimin e punës, por nuk kanë pranuar të flasin për detajet e tjera.

Fillimi i punës së kësaj gjykate e njohur si Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special, është mundësuar pas harmonizimit të Rregullores së Procedurës dhe Provave me Kushtetutën e Kosovës.

Joseph Hollerhead, ndihmës ekzekutiv i zëvendësprokurorit special, ka thënë se Prokurori Special, në disa raste ka deklaruar dhe përsëritë se nuk është profesionale, etike dhe as ligjërisht e qëndrueshme që ai t’i komentojë çështjet që kanë të bëjnë me hetimet që janë në vazhdimësi, apo që të komentojë për çështjet potenciale në të ardhmen që lidhen me mandatin e Prokurorit Special.

Selia e Gjykatës është në Hagë të Holandës, kurse përbërja e saj është nga prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ndërkohë, Vigan Qorolli, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës tha për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Speciale nga sot mund të funksionojë lirshëm dhe në bazë të rregullave dhe ligjeve e Kushtetutës së Kosovës.

Ai tha se Gjykata Speciale, do të shihet si pengesa e fundit për progresin e domosdoshëm të shoqërisë dhe fuqisë politike të Kosovës.

"Ne nuk e dimë se çka do të ndodhë sepse në këtë situatë nuk kemi emra potencialisht të dyshuar. A do të ndiqen penalisht të gjithë ata që përmenden në raportin e Dick Martyt, apo do të jenë njerëz tjerë, kjo mbetet për tu parë. Por, dyshimet se janë kryer vepra serioze kriminale gjatë periudhës së përmendur do të mund të pastrohen vetëm në gjykatë, për t'i mundësuar pastaj frymëmarrjen e lirshme Kosovës në arenën ndërkombëtare", tha Qorolli.

Përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara, kanë deklaruar se gjatë punës, një kujdes i veçantë do t’i kushtohet programit të mbrojtjes së dëshmitarëve. Ata kanë thënë se dëshmitarët do të jenë plotësisht anonim, të mbrojtur dhe të përkrahur nga gjykata.

Profesori Qorolli thotë së në këtë drejtim, Gjykata duhet të ketë kujdes të shtuar pasi sipas tij, kjo çështje është shumë e rëndësishëm për gjithë procesin.

"Mbrojta e dëshmitarëve do të jetë alfa dhe omega e funksionimit të kësaj gjykate dhe do të jetë stabiliteti mbi të gjitha ligjor i Kosovës dhe do të varet pastaj se kush do të jenë emrat të cilët do të akuzohen", tha Qorolli.

Ai shton se në të ardhmen, në rast të provave, Gjykata mund t'i dënojë të njëjtit, por edhe t'i lirojë në rast se nuk ka prova të mjaftueshme.

Megjithatë, Qorolli konsideron se dënimet eventuale, nuk duhet të shihen si dënime të luftës së UÇK-së, por si ndëshkime eventuale ndaj individëve.

"Besoj që në mungesë të një sistemi komanduese të vet UÇK-së, dhe në mungesë të një zinxhiri tjetër operacional i cili ka funksionuar në kuadër të Shtabit të Përgjithshme të UÇK-së, do të mund të ketë vetëm individ të caktuar të cilët kanë mund potencialisht të kryejnë vepra dhe të kenë rënë ndesh më konventat e luftës dhe të Drejtën Ndërkombëtar Humanitare", tha Qorolli.

Gjykata Speciale ka nxitur debate të ashpra në Kosovë, këto dy vitet e fundit. Përderisa një pjesë e spektrit politik e konsideron atë të padrejtë dhe të njëanshme, pasi që do të hetojë vetëm krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së, pjesa tjetër e spektrit që ka mbështetur edhe ndryshimet ligjore e kushtetuese për punën e kësaj Gjykate, ka vlerësuar se me gjykimet që priten, nuk atakohet lufta e UÇK-së por individët.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës, tashmë në largim, ka ndarë mbi 1. 5 milionë euro në buxhetin e këtij viti, për t’u ofruar ndihmë juridike dhe financiare personave që mund të akuzohen nga Gjykata Speciale.

Kjo shumë, sipas Qeverisë, është ndarë në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të cilët mund të jenë akuzuar nga Gjykata Speciale.

Sipas këtij ligji, të gjithë personat që mund të akuzohen kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur.

Përveç kësaj mbështetjeje financiare, ligji i siguron edhe anëtarët e ngushtë të familjes të personave të akuzuar për krimet e pretenduara, përfshirë këtu edhe shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës.