Si të luftohet gjuha e urrejtjes?

Fotografi ilustruese.

Fotografi ilustruese.

Komente me mesazhe urrejtjeje dhe thirrje për dhunë kanë vërshuar mediat sociale në Kosovë pas sulmit vdekjeprurës në shkollën “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd të Serbisë, më 3 maj.

Një nxënës 13-vjeçar atje dyshohet se ka vrarë tetë nxënës dhe një rojë të shkollës.

Komente të ngjashme ka pasur edhe pas një sulmi tjetër në rajonin e Beogradit, që ka ndodhur më 4 maj, kur sulmuesi i dyshuar 21-vjeçar ka vrarë së paku 8 persona në disa fshatra.

Mesazhe të tilla kanë arritur edhe në llogarinë e Radios Evropa e Lirë në Facebook.

Bardh Bakija, i diplomuar për Arte Liberale dhe Filozofi, njëherësh drejtor ekzekutiv i portalit ‘Sbunker’, thotë se “gjuha mizore” e shfaqur me rastin e tragjedive në Serbi, duhet të shihet si një “fryt i kalbur i nacionalizmit ekstrem”, që, sipas tij, “mbizotëron prej kohësh në rajon”.

“Në një botëkuptim ku identiteti etnik vihet mbi çdo identitet tjetër, mosha e tjetrit është e parëndësishme: në emërtimet ‘fëmijë serb’, ose ‘fëmijë shqiptar’ mbizotëron jo ‘fëmija’, por ‘serb’ ose ‘shqiptar’”, thotë Bakija.

Bakija thotë se në kurthin e këtij botëkuptimi “të ngushtë dhe shkurtpamës” kanë rënë edhe ata që i kritikojnë shqiptarët e Kosovës që kanë shfaqur solidaritet me familjet e viktimave në Serbi.

“Sipas tyre, duke qenë se ata [serbët] që kanë masakruar fëmijë shqiptarë nuk kanë kërkuar falje as nuk janë penduar, pse do të duhej që ne të shfaqnim mirëkuptim e solidaritet për fëmijët serbë? Përsëri, edhe këtu, ajo që mbizotëron, është identifikimi etnik i viktimave: jo e përbashkëta e të qenët ‘fëmijë’, por e ndryshmja e të qenët ‘shqiptarë dhe serbë’”, thotë Bakija.

Faj për këtë, sipas tij, kanë edhe elitat politike në Kosovë e Serbi, të cilat, siç thotë, trumbetojnë qëndrime të tilla.

Lule e mesazhe për viktimat e sulmit në shkollën e Beogradit

Abdullahu: Nuk kishte trajtim të duhur të historisë

Shfaqja e nivelit kaq të lartë të gjuhës së urrejtjes dhe mungesës së keqardhjes nga kosovarët, sipas Durim Abdullahut, historian dhe ligjërues në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, ndodh për shkak të mostrajtimit të duhur të historisë dhe trashëgimisë së luftës së viteve 1998/99.

“Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e të vrarëve gjatë luftës”, thotë Abdullahu për Raion Evropa e Lirë.

Abdullahu thotë se në Kosovë, historia e luftës së fundit nuk është shkencëruar siç duhet, ndërkohë që në Serbi thotë se ka dhjetëra botime propagandistike që e mjegullojnë të vërtetën për luftën, e cila ka lënë mbi 9.000 civilë të vrarë - në mesin e të tyre rreth 1.200 fëmijë.

“Reagimet e njerëzve në Kosovë, përfshirë edhe gjuhën e papërshtatshme ose joempatike të përdorur, duhet kuptuar në kuadër të kontekstit të realitetit aktual të trashëgimisë së luftës”, thotë ai.

SHIKONI EDHE:

Diskursi ofendues ndaj shqiptarëve, paralajmërim i politikës serbe 

Në lidhje me gjuhën e përdorur dhe kundërshtitë për nderimin e viktimave, Nora Visoka-Weller, kandidate për doktoraturë në trashëgimi kulturore dhe konflikte në Kolegjin Selëyn në Universitetin e Kembrixhit, tha:

“Vrasja e fëmijëve në Beograd është tragjedi, ashtu siç ishte vrasja e fëmijëve në Teksas apo tërmeti në Turqi. Është njerëzore të shprehësh keqardhje dhe ngushëllime”, shkroi Visoka – Weller në rrjetet sociale.

Problem edhe politika e librat

Derisa shtetet nuk distancohen nga “ideologjitë shkatërrimtare” të së kaluarës, thotë Bakija, “elita politike dhe intelektuale janë përgjegjëse për klimën e urrejtjes dhe mosbesimit në rajon”.

“Mjafton t’i shfletojmë librat e historisë të vendeve të rajonit për të parë se çfarë monstruozitetesh u servohen fëmijëve që në moshë të re, për të kuptuar burimet e shpërthimit të urrejtjes”, thotë ai, pa specifikuar më shumë.

SHIKONI EDHE: Çka mësojnë serbët në një libër të Historisë për luftërat ballkanike?

Naim Beshiri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Çështje Evropiane me bazë në Beograd të Serbisë, thotë se dhuna e shfaqur ditëve të fundit në Serbi, është rezultat i gjuhës së urrejtjes së përhapur nga udhëheqësit politikë të Serbisë.

“Për të ndryshuar nivelin e dhunës, duhet të fillojmë nga lart”, thotë ai për REL-in.

Duke përmendur faktin se ka pasur edhe reagime keqardhjeje dhe solidarizimi nga Kosova për viktimat e sulmeve në Beograd, historiani Durim Abdullahu thotë se situata mund të tejkalohet përmes trajtimit të trashëgimisë së luftës.

“Kjo mund të tejkalohet vetëm nëpërmjet një trajtimi të sinqertë të trashëgimisë së luftës sipas shembullit të vendeve të Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore dhe vetëm duke ndjekur traditën teorike të shkencërimit të historisë së luftës”, thotë ai.

Komente të shumta fyese për shqiptarët ka pasur edhe në Serbi, sidomos në artikujt ku zyrtarët kosovarë shprehnin ngushëllime për tragjedinë.