Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës thanë se duan të krijojnë raporte të reja me Sirinë dhe bënë thirrje për tranzcion paqësor, teksa gjatë vizitës në Damask u takuan me liderin e ri de facto Ahmed al-Sharaa në emër të Bashkimit Evropian.
Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, dhe ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, janë ministrat e parë nga BE-ja që vizitojnë Sirinë pasi rebelët morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor dhe detyruan presidentin Bashar al-Assad të ikte për në Rusi pas më shumë se 13 vjetësh luftë civile, duke i dhënë fund sundimit dekadësh të familjes së tij.
“Vizita ime sot... është mesazh i qartë për sirianët: se është i mundur një fillim i ri politik mes Evropës dhe Sirisë, mes Gjermanisë dhe Sirisë”, tha Baerbock para se të largohej nga Damasku.
SHIKONI EDHE: Sunduesit islamistë sirianë refuzojnë modelin qeverisës të talibanëveBarrot tha se shpreson për “për një Siri sovrane, të qëndrueshme dhe paqësore”. Ai në Damask po ashtu vizitoi Ambasadën franceze, e cila është e mbyllur që nga viti 2012.
Që nga rrëzimi nga pushteti i Assadit, rebelët islamistë të udhëhequr nga Sharaa's Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – kanë kërkuar që të sigurojnë shtetet arabe dhe komunitetin ndërkombëtar se ata do të qeverisin në emër të të gjithë sirianëve.
Qeveritë perëndimore kanë nisur gradualisht të hapin kanalet e komunikimit me Sharaa dhe HTS dhe po nisin debatin nëse duhet ta largojnë këtë grup nga lista e organizatave terroriste.
Para vizitës në Siri, Baerbock tha se nga kjo vizitë kishte “pritje të qarta” nga sundimtarët e rinj, të cilët, sipas saj, do të gjykohen për veprimet e tyre.
Qëllimi për Sirinë është që ky shtet të bëhet sërish një anëtar i respektuar i komunitetit ndërkombëtar, tha kryediplomatja gjermane.
Ndërkaq, Barrot, që u takua me patriarkun e Kishës Ortodokse Greke, tha se Franca është e përkushtuar për një Siri ku do të mbroheshin të drejtat e të gjithëve.
Ai po ashtu qëndroi në ndërtesën e mbyllur të Ambasadës në Damask dhe tha se Parisi po punon drejt rivendosjes së pranisë diplomatike.